Vizitë pune e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Lituanisë akad. Jūras Banys në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi priti sot në një vizitë zyrtare pune kryetarin e Akademisë së Shkencave të Lituanisë akad. Jūras Banys.
Në delegacion bënin pjesë gjithashtu akad. Zenonas Dabkevičius, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Lituanisë; akad. Leonas Valkūnas, kryetar i divizionit të shkencave matematikë-fizikë dhe kimi; Violeta Skirgailienė, drejtore për marrëdhëniet me jashtë.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë: zëvendëskryetari akad. Vasil S.Tole; sekretari shkencor akad. Shaban Sinani, kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike akad. Neki Frashëri; kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike akad. Gëzim Hoxha; akad. Nazim Gruda, prof. asoc. dr. Elda Zotaj, përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë.
Ky takim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit midis dy akademive, të cilat kanë institucionalizuar marrëdhënien ndërakademike dypalëshe përmes nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit një vit më parë në Vilnius, më 26 shtator 2023.
Akad. Skënder Gjinushi përmendi disa nga përvojat më të mira të Akademisë së Shkencave të Lituanisë, të vërejtura gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Lituani, si dhe njohu të pranishmit me zhvillimet aktuale në Akademinë Shkencave të Shqipërisë për arritjen e standardeve të kërkimit shkencor dhe institucioneve kërkimore në vend. Ndër të tjera ai theksoi si përvojë të suksesshme – rezultat i reformës – ngritjen e komisioneve të përhershme dhe të qendrave kërkimore, për të vijuar me synimin dhe ambicien e arritjes së standardeve europiane në funksionimin e tyre.
Akad. Jūras Banys shprehu falënderimet për mikpritjen dhe tha se ndihej shumë i nderuar që do të njihej me eksperiencat e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Jam shumë i kënaqur dhe i surprizuar në këtë vizitë të parë në Shqipëri, tha ai.
Kryetarët e dy akademive diskutuan mbi hapësirat dhe mundësitë e bashkëpunimit të komuniteteve të kërkuesve shkencorë, për pjesëmarrjen në projektet e përbashkëta kërkimore, si konferencat dhe kongreset shkencore.
Më pas ata nënshkruan protokollin e marrëveshjes për bashkëpunim shkencor midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Lituanisë.
Përmes nënshkrimit të protokollit trevjeçar për bashkëpunim shkencor palët bien dakord të nxisin bashkëpunimin e shkencëtarëve e studiuesve në të gjitha disiplinat me interes në akademitë partnere.
Objektivi është të krijohen mundësi për studiuesit e të dyja palëve për të propozuar e realizuar projekte aktuale kërkimore në vendin tjetër, për të ngritur komitete kërkimore të përbashkëta, që ndërmarrin kërkime dypalëshe dhe organizojnë evente shkencore.
Pas firmosjes së protokollit në sallën “Akademikët” u bë një takim i zgjeruar i delegacionit me drejtues të instituteve dhe qendrave shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të komisioneve të përhershme.
Përfaqësuesit e dy akademive diskutuan mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të instituteve dhe qendrave të rrjeteve kërkimore pranë tyre; për organizimin e nismave shkencore në të ardhmen mbi bazën e protokollit, që do të vijojë me ndarjen e eksperiencave për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së kërkimit me përfitim të ndërsjellët për të dyja palët.
Bashkëpunimet do të kenë prioritet bujqësinë, teknologjinë shkencore dhe informacionin gjenetik për bimësinë. Veçanërisht do të bashkëpunohet midis instituteve e qendrave kërkimore të bioteknologjisë dhe gjenetikës, të nanoteknologjisë; si dhe për botimet enciklopedike dhe ato në fushë të gjuhësisë, trashëgimisë, historisë dhe arkeologjisë.
Më pas delegacioni i Akademisë së Shkencave të Lituanisë bëri vizita në institutet e albanologjisë dhe në muzeun arkeologjik.
Gjatë qëndrimit treditor në Shqipëri delegacioni do të ketë takime pune me rektorin e Universitetit Bujqësor akad. F. Sallaku; me rektorin e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës prof. L. Ikonomi; me drejtues të qendrës rajonale të teknologjisë bujqësore në këtë qytet; vijuar me vizita në muze.