• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
In business since 1995

Muzeu Arkeologjik

MUZEU PREZANTON KËRKIMET

DHE ZBULIMET NË TË GJITHË

SHQIPËRINË

 

HISTORIKU

Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeore. U hap më 1 nëntor 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavijoni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik.

PËRMBAJTJA

Materiali i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit), kur lindi e u zhvillua etnosi ilir, periudhën e antikitetit ilir dhe periudhën e antikitetit të vonë e Mesjetën deri në pushtimin osman.

SALLAT

 

Kërkimet intensive arkeologjike në fushën e prehistorisë, antikitetit dhe Mesjetës gjatë viteve në vazhdim bënë të mundur nje varg riorganizimesh e rikonstruksionesh të këtij muzeu (1957, 1976, 1982, 1985, 1998) për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes dhe ekspozimit.

SALLA E PARË DHE E DYTË

Në këto salla janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së prehistorisë nga paleoliti deri në epokën e hekurit. Objektet e zbuluara nga jugu deri në veri të Shqipërisë janë paraqitur sipas një renditjeje tematike dhe kronologjike, ku qëllimi kryesor i përzgjedhjes së tyre ka qenë lindja dhe krijimi i autenticitetit të etnosit ilir, i cili u krijua dhe u zhvillua në këtë territor.

SALLA E TRETË DHE E KATËRT

Në sallën e tretë dhe të katërt janë ekspozuar objekte që u përkasin periudhave të ndryshme, që nga shek. VI p. Kr. deri në shek. IV p.Kr. sipas një ndarjeje kronologjike dhe sipas një shpërndarjeje nga jugu në veri të Koinoneve ilire. Periudha e antikitetit paraqitet nëpërmjet qendrave qytetare që lulëzuan në shek. III-II p. Kr. në territoret e fiseve kryesore ilire. Në sallën e katërt dy vitrina u janë rezervuar kolonive greke të Dyrrachium-it dhe Apolonisë, të themeluara përgjatë bregdetir ilir.

SALLA E PESTË

Në sallën e pestë dhe të fundit janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së Mesjetës, të cilat vijnë nga kështjella dhe varreza, sidomos nga varreza e famshme e Komanit. Objektet e ekspozuara në këtë sallë janë konsideruar si hallka e vazhdimësisë nga kultura ilire tek ajo mesjetare. Qëllimi kryesor i këtij sesioni është të dëshmojë që ilirët nuk u romanizuan, por ata vazhduan të jetojnë në të njëjtin territor, duke trashëguar të njëjtën kulturë materiale dhe shpirtërore.

VIZITË
VIRTUALE

NË SALLAT E MUZEUT
ARKEOLOGJIK TË TIRANËS

 

Në sallat e muzeut janë ekspozuar foto të lidhura me materialin e ekspozuar sipas çdo periudhe, si dhe dy harta: njëra paraqet sitet arkeologjike të gërmuara nga arkeologët në vite, nga periudhat më të hershme (që nga stacionet paleolitike) deri në periudhën para pushtimit turik, ku është dhe fundi i koleksionit të muzeut, kurse harta tjetër paraqet shtrirjen e fiseve ilire në antikitet.

Pranë çdo objekti, brenda dhe jashtë vitrinave, janë vendosur etiketa që tregojnë vendgjetjen e tyre.

Muzeu Arkeologjik i Tiranës ka të ekspozuara rreth 2.000 objekte dhe mbështetet në një fond rezervë me më shumë se 17.000 objekte, të cilit gjithashtu i shtohen çdo vit objekte të tjera nga zbulimet sistematike arkeologjike.

ADRESA

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, Shqipëri

ORARI

E Hënë – e Djelë, 09:00 – 14:00

 

Muzeu ofron guida me grupe të organizuara mbi pesë veta, aktivitete didaktike me nxënës dhe studentë të të gjitha viteve të sistemit arsimor. Për grupet e turistëve, të cilët bëjnë prenotim paraprak, muzeu hapet dhe jashtë orarit të zakonshëm.

Hyrja është me pagesë.