Panairi mbarëkombëtar i librit akademik dhe shkencor, si nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka këtë vit edicionin e tij të tretë. Dy edicionet e mëhershme (i pari në Tiranë në vitin 2022 dhe i dyti në Prishtinë në vitin 2023), provuan se kjo nismë është në shërbim të promovimit të botimeve akademike dhe shkencore dhe lehtësimit të rrugës së vështirë të librit akademik dhe shkencor për të mbërritur te lexuesi.
Panairi zhvillohet në datat 23-25 prill 2024 dhe synon që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në të gjithë hapësirën shqiptare. Si i tillë, panairi synon një prani përfaqësuese sa më të gjerë, duke bërë bashkë autorët, botimet, institucionet e kërkimit dhe IAL-të që merren me librin akademik e shkencor dhe lexuesin e tyre.
Si promovues dhe manifestues, panairi ofron pjesëmarrje të hapur, duke mundësuar pranëvendosje në sasi dhe cilësi të botimeve shkencore dhe të autorëve të tyre nga gjithë hapësira shqiptare.