Instituti Alb-Shkenca dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë lidhin një marrëveshje bashkëpunimi

Instituti Alb-Shkenca dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë lidhën sot, ditën e martë, më 5 mars 2024, një marrëveshje bashkëpunimi në praninë e Kryetarit të Akademinë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit, zëvendëskryetarit akad. Vasil Toles, Kryetarit të Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike akad. Neki Frashërit, akad. Ilia Mikerezit, akad. Genc Sulçebeut, akad. Rrapo Ormënit, akad. Floran Vilës dhe sekretarit të përgjithshëm për Institutin Alb-Shkenca prof. dr. Fatos Yllit. Ishin të pranishëm gjithashtu Kryetari i degës së Tiranës prof. Ardian Maçi dhe sekretarja e degës së Tiranës prof. as. Shpresa Tafaj.

Në fillim të takimit mes palëve, Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi foli rreth nevojës për bashkëpunim, duke theksuar se komuniteti ynë shkencor është i vogël për të punuar i ndarë e secili më vete. Synimi është që të vendosim një lidhje midis mendjeve që janë jashtë dhe njësive tona, për të lehtësuar e mundësuar bashkëpunimin, deri edhe nëpërmjet drejtimit të njësive kërkimore pranë ASHSH a projekteve të përbashkëta.

Akad. Gjinushi foli për aktivizimin e deritanishëm të diasporës shkencore pranë ASHSH, gjë që ka nisur me ngritjen e komisioneve të përhershme me anëtarë të jashtëm nga diaspora dhe zgjedhjen si anëtarë të jashtëm të atyre që janë të suksesshëm.

Kemi një potencial të madh jashtë, – tha akad. Gjinushi, -por përmes teknologjive të reja të komunikimit është e mundur që ta frenojmë “rrjedhjen e trurit” e ta ”risjellim“ atë nëpërmjet bashkëpunimit në distancë.

Ndërsa foli për perspektivat e këtij bashkëpunimi me Institutin e Alb-shkencës, theksoi se kanë dy objektiva kryesore të përbashkëta: rritjen e investimit e financimit për shkencën, të paktën e fillimisht, në 1% të GDP dhe ngritjen e njësive të reja kërkimore elitare ne fushat kryesore e më me ndikim si ato të nanoteknologjisë e bio-gjenetikes. Së bashku i bëjmë më shumë presion qeverisë për të mbështetur realizimin e këtyre synimeve-theksoi ai.

Prof. dr. Fatos Ylli falënderoi akad. Gjinushin dhe Kryesinë e ASHSH dhe shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi mes palëve po forcohet në rrugë zyrtare, duke e bërë më të qëndrueshëm.

Marrëveshja ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Alb-Shkenca bëhet për bashkëpunimin në fushën e kërkim-zhvillimit dhe për forcimin e lidhjeve me diasporën shkencore shqiptare, me qëllim përfshirjen e saj në programet e zhvillimit kombëtar.

Një ndër synimet e kësaj marrëveshjeje është edhe për të dhënë kontribut për projektet madhore të drejtuara nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si Fjalori i madh i shqipes, Historia e shqiptarëve dhe Enciklopedia shqiptare., etj.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Akademinë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe sekretari i përgjithshëm për Institutin Alb-Shkenca prof. dr. Fatos Ylli.

Instituti Alb-Shkenca është një strukturë shkencore joqeveritare e jofitimprurëse që bashkon studiues të të gjitha disiplinave shkencore nga diaspora dhe nga mbarë trojet shqiptare në Ballkan.

Teksti i marrëveshjes:

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Institutit Alb-Shkenca.

Për bashkëpunimin në fushën e kërkim-zhvillimit dhe për forcimin e lidhjeve me diasporën shkencore shqiptare.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Instituti Alb-Shkenca (IASH), në vijim Palët, nxitur nga vullneti e dëshira për bashkëpunim shkencor, me qëllim përfshirjen e diasporës shkencore shqiptare në programet e zhvillimit kombëtar, bien dakord për sa vijon në këtë marrëveshje.

Neni 1

Parime të përgjithshme

  1. Në bashkëpunimin mes tyre Palët respektojnë liritë akademike e autonominë në kërkim dhe mbështeten në parimin e barazisë e të respektit të ndërsjellë. Palët projektojnë dhe realizojnë veprimtari shkencore të përbashkëta në funksion të përfshirjes së diasporës shkencore shqiptare në sistemin kërkimor-shkencor brenda vendit e të rrjetëzimit të saj në kuadër të këtij sistemi; në funksion të rritjes së rolit të saj në zhvillimin kombëtar dhe promovimin e përfaqësuesve të saj brenda dhe jashtë vendit.

Palët mbajnë qëndrim kritik dhe përjashtues ndaj çdo forme të plagjiaturës, manipulimit të të dhënave, diletantizmit dhe vullnetarizmit në shkencë.

Neni 2

Përparësitë

  1. Palët bashkëpunojnë mes tyre për krijimin e një amze kombëtare të diasporës intelektuale shqiptare dhe lehtësimin e ndërveprimit të saj me institucionet kërkimore-shkencore të vendit; për fuqizimin e ndikimit të saj në zhvillimin e shkencës në Shqipëri; për përfaqësimin dinjitoz të dijes shqiptare në vend dhe në Botë; për promovimin e vlerave mendore kombëtare brenda dhe jashtë vendit; për përshpejtimin e procesve të eurointegrimit.
  2. Për realizimin e objektit dhe të qëllimeve të kësaj marrëveshjeje Palët organizojnë veprimtari shkencore me interes të përbashkët dhe mundësojnë praninë e përfaqësuesve të njëra-tjetrës në veprimtaritë e veçanta. Ato përgatisin e realizojnë konferenca shkencore në fusha të albanologjisë dhe të shkencave të sakta; takime vjetore për diskutimin dhe marrjen e vendimeve për nisma e projekte të përbashkëta; forume e tryeza shkencore në linjë dhe me prani fizike për çështje të integrimit të intelektualëve në diasporë si kontribuues në strategjitë kombëtare të zhvillimit.
  3. Palët bashkëveprojnë veçmas për çështje që lidhen me diasporën në përgjithësi: për gjuhën e njësuar si pasuri kombëtare dhe ruajtjen e saj në brezat e rinj; për trashëgiminë kulturore dhe identitetin; për ruajtjen e lidhjeve me vendin e origjinës; për ndërsjellë në fushën e kërkimit shkencor, përdorimit te njësuar të gjuhës dhe terminologjisë bashkëkohore të shkencës e teknikës, ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Për këtë qëllim ato ndikojnë bashkërisht për rritjen e ndikimit dhe të përgjegjësisë së institucioneve të arsimit shtetëror dhe të kërkimit shkencor ndaj shqiptarëve në diasporë, përmes botimeve didaktike dhe në forma të tjera. Botimet përfshijnë historinë e ngulimeve të vjetra dhe të diasporave të reja; vlerat dhe ndikimin e tyre në jetën kombëtare e shtetërore të Shqipërisë; hartëzimin dhe kronologjinë e shtresëzimeve në diasporë; identitetin dhe diversitetet e saj.
  4. Palët marrin përsipër të mbështesin njëra-tjetrin për përfshirjen në rrjetet ndërkombëtare të kërkimit institucionalisht e përmes përfaqësuesve të tyre dhe për nxitjen e realizimin e nismave dhe projekteve me palë të treta.
  5. Palët bashkëpunojnë për një terminologji të përbashkët shkencore në të gjitha disiplinat. Përfaqësues të diasporës intelektuale ftohen për të dhënë kontribut për projektet madhore të drejtuara nga ASHSH, si Fjalori i madh i shqipes, Historia e shqiptarëve dhe Enciklopedia shqiptare.
  6. Palët nxisin rritjen e interesit për kërkim shkencor tek brezat e rinj.

Neni 3

Pronësia intelektuale

Palët ruajnë fshehtësinë e informacionit shkencor që shkëmbejnë mes tyre sipas njoftimit paraprak; si dhe të dhënat e njohuritë e ofruara gjatë vlefshmërisë dhe / ose zbatimit të kësaj marrëveshjeje. E drejta e pronësisë intelektuale të një pale mbetet në zotërim të plotë të saj, me përjashtim të rasteve kur ato merren vesh ndryshe.

Neni 4

Të dhënat personale

Palët lejojnë përpunimin e të dhënave në funksion të kësaj marrëveshjeje në përputhje me legjislacionin në fuqi; duke përfshirë të drejtën e disponimit në bazat e të dhënave, në skedarët kompjuterikë dhe sistemet telematike për qëllime që lidhen me këtë marrëveshje.

Neni 5

Palët e treta

Palët janë pajtuar që kjo marrëveshje nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit me subjekte të tjera, me kusht që bashkëpunimet me palët e treta të mos bien ndesh me qëllimin e kësaj marrëveshjeje. Palët nuk janë përgjegjëse për mosmarrëveshjet që mund të kenë me palë të treta më vete.

Neni 6

Komunikimi

Palët mbajnë komunikim të vazhdueshëm mes tyre dhe shkëmbejnë çdo informacion të nevojshëm për realizimin e qëllimit të marrëveshjes. Komunikimi kryhet në formë shkresore ose në rrugë elektronike. Në rast të paraqitjes së kërkesave, Palët japin përgjigje me përparësi.

 

Neni 7

Amendimet

Kësaj marrëveshjeje Palët mund t’i bëjnë në çdo kohë mendime dhe mbi bazën e saj mund të hartohen, nënshkruhen e bashkëngjiten protokolle të veçanta, bazuar në pëlqimin e ndërsjellë të paraqitur me shkrim.

Neni 8

Paqartësitë

Paqartësitë dhe mosmarrëveshjet në lidhje me interpretimin e zbatimin e dispozitave të kësaj marrëveshje zgjidhen me mirëkuptim midis Palëve.

Neni 9

Vlefshmëria

  1. Kjo marrëveshje nënshkruhet për një periudhë prej tre vjetësh. Afati i vlefshmërisë së saj mund të zgjatet edhe për tre vjet të tjera nëse asnjëra nga Palët nuk kërkon paraprakisht dhe me shkrim ndërprerjen e saj së paku gjashtë muaj përpara mbarimit të vlefshmërisë.
  2. Palët mund të tërhiqen nga kjo marrëveshje duke ia komunikuar me shkrim këtë vendim Palës tjetër së paku 6 muaj përpara.
  3. Kjo marrëveshje hartohet në gjuhën shqipe, në dy kopje për secilën Palë dhe hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.