• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Veprimtaria

Drejtimet Kryesore të Veprimtarisë Shkencore

Objekti kryesor i punës kërkimore-shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë është gjuha shqipe dhe letërsia shqipe. 

I. STUDIME NË FUSHËN E GJUHËSISË

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë ka pasur dhe ka si detyrë themelore studimin e shqipes e të dialekteve të saj në gjendjen e sotme dhe në zhvillimin e tyre historik, hartimin e gramatikave shkencore dhe të fjalorëve shpjegues e terminologjikë, trajtimin e çështjeve të shqipes standarde, të normës gjuhësore e të kulturës së gjuhës.

1. STUDIMET NË FUSHËN E FONETIKËS DHE TË GRAMATIKËS

Studimet në fushën e gjuhësisë, së pari janë lidhur me ato për fonetikën dhe për gramatikën, duke u marrë kryesisht me strukturën fonetike, morfologjike e sintaksore të shqipes. Ato janë sintetizuar në shumë monografi e në veprën përgjithësuese në tri vëllime Fonetika dhe Gramatika e gjuhës së sotme shqipe (1995, 1996), e cila u ribotua në dy vëllime me titull Gramatika e gjuhës shqipe (2002), ku janë përfshirë Morfologjia dhe Sintaksa. Në vitin 2004 u botua Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe (A. Dodi). Janë botuar gjithashtu studime e monografi për kategori e çështje të veçanta të gramatikës së shqipes, të mbështetura në një lëndë të pasur gjuhësore, si S. Riza, Vepra të zgjedhura (2009). Instituti ka botuar e boton dhe seri e përmbledhje studimesh, si Çështje të gramatikës së shqipes së sotme, Studime për leksikun dhe për formimin e fjalëve në gjuhën shqipe etj. 

2. HISTORIA E SHQIPES

Studime të rëndësishme janë kryer edhe në fushën e historisë së shqipes, të raporteve të saj me gjuhë të tjera, sidomos me gjuhët e Ballkanit, dhe në fushë të etimologjisë së saj. Arritja kryesore në këtë fushë është vepra në shtatë vëllime e akademik E. Çabej Studime etimologjike në fushë të shqipes (botuar në vitet 1976–2006). IGJL ka botuar dhe veprat e akademikut K. Topalli që lidhen disa nënfusha shkencore të historisë së shqipes:  Theksi në gjuhën shqipe (1995),  Për historinë e hundorësisë së zanoreve në gjuhën shqipe (1996), Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes (1998), Shndërrime historike në sistemin zanor të gjuhës shqipe (2000), Sonantet e gjuhës shqipe (2001), Mbylltoret e gjuhës shqipe (2002), Fërkimoret e afrikatet e gjuhës shqipe (2003), Dukuritë fonetike të sistemit bashkëtingëllor të gjuhës shqipe (2004), Bazat e fonetikës historike të gjuhës shqipe (2005), Fonetika historike e gjuhës shqipe (2007), Evolucioni historik i përemrave të shqipes (2008), Sistemi rasor i emrave të shqipes (2009), Nyjat e shqipes (2009), Sistemi foljor i gjuhës shqipe (2010). Në krye të botimeve nga ky autor zënë vend veprat Fonetikë historike e gjuhës shqipe (2007), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (2011), Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe (2017).

Për historinë e shqipes janë botuar gjithashtu: Seit Mansaku, Studime për historinë e gjuhës shqipe, I, (2018), Studime për historinë e gjuhës shqipe II (2018); Anila Omari, Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe (2012), Leksiku i veprës së Pjetër Bogdanit (2016), Studime rreth shqipes së vjetër (shek. XVI-XVIII) (2022) etj.

Janë bërë botime kritike filologjike, si Meshari i Gjon Buzukut (1968); Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve) e Pjetër Bogdanit (2005); përmbledhja Studime filologjike dhe pedagogjike për nder të prof. dr. Aleksandër Xhuvanit (1980), si dhe vëllime të studiuesve të veçantë.

3. STUDIMI I DIALEKTEVE DHE I TË FOLMEVE SHOQËRORE

Studimi i dialekteve të shqipes ka formuar një nga drejtimet e kërkimit shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë që nga themelimi i tij. Janë kryer kërkime dialektologjike në 300 pika në Republikën e Shqipërisë dhe në shumë pika në trojet e shqipes në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në ngulimet e arbëreshëve të Italisë. Rezultatet e kësaj pune çuan në krijimin e Kartotekës dhe fonotekës së dialektologjisë shqipe, në hartimin e një numri të madh skicash dialektologjike dhe në përgatitjen dhe botimin e “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” (2007), dalë nga shtypi në Napoli nën kujdesin e Institutit Oriental të Napolit.

Materialet e mbledhura, së bashku me studimet e mirëfillta për to janë botuar në serinë shkencore “Dialektologjia shqiptare”: Dialektologjia shqiptare I (1971), Dialektologjia shqiptare II (1974), Dialektologjia shqiptare III (1975), Dialektologjia shqiptare IV (1982), Dialektologjia shqiptare V (1987), Dialektologjia shqiptare VI (1990), Dialektologjia shqiptare VII (2005).

Për disa vjet në Institut u punua për projektin “Variacioni sintaksor në dialektet e të folmet e shqipes”, për të cilin u bënë dy konferenca shkencore dhe u përgatit vepra Mikrovariacion sintaksor i shqipes: atlas me vjelje digjitale me autorë Enkeleida Kapia, Stefano Coreta, Anila Omari, Ludmila Buxheli (vepër në proces botimi).

4. SHQIPJA LETRARE DHE PROCESI I STANDARDIZIMIT TË SAJ

Problemet e kulturës së gjuhës, të historisë së zhvillimit të shqipes letrare si dhe procesi i standardizimit e i kodifikimit të saj janë bërë objekt studimesh të veçanta dhe i veprimtarive shkencore të rëndësishme si “Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), apo i disa konferencave shkencore, si “Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë”, 1984, “Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot (1992), “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot” (2002), “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit” (Durrës, 2010), Konferencat shkencore mbarëkombëtare “45-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit” (Korçë, 2017) dhe “50-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit” (2022), “Një komb – një gjuhë” (Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2022) etj.

Rezultatet në këto fusha kanë gjetur pasqyrim në veprat normative të karakterit të përgjithshëm (gramatika, fjalorë), por dhe në vepra të karakterit të veçantë, si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976).

5. STUDIME NË GJUHËSINË E LIGJËRIMIT

Vitet e fundit në IGJL kanë filluar të bëhen studime të planifikuara institucionalisht dhe në fushën e funksionimit të shqipes në ligjërime e stile të ndryshme (gjuhësia e diskursit). Këtu përmendim studimet e T. Plangaricës, si Aspekte të gjuhësisë së zbatuar (1, 2, 3) etj., monografinë e  E. Kapias “Psikolinguistika” etj.

6. LEKSIKOLOGJIA DHE LEKSIKOGRAFIA

Rezultate të shënuara janë arritur në fushë të leksikologjisë e leksikografisë. Puna institucionale në këto fusha ka synuar të nxjerrë në dritë pasuritë leksikore, frazeologjike e semantike të shqipes. Ajo është përqendruar në studimin e strukturës kuptimore të fjalëve, në sistemin fjalëformues të shqipes dhe në hartimin e fjalorëve shpjegues, si “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalor i shqipes së sotme” (1984/2002), “Fjalori i gjuhës shqipe” (2006), “Fjalor sinonimik i gjuhës shqipe” (2004), “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (1999/2010), Fjalor i gjuhës shqipe (2020).

Në leksikografi po realizohet projekt madhor për hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, me 120.000 njësi (fjalë, njësi frazeologjike dhe togfjalësha të qëndrueshëm), si vepër mbarëkombëtare, i cili jo vetëm rrit ndjeshëm karakterin informues, duke dyfishuar numrin e njësive që kanë zënë vend në fjalorët shpjegues të mësipërm, por pasuron ndjeshëm dhe leksikun normativ të shqipes.

7. TERMINOLOGJIA DHE TERMINOGRAFIA

Arritje janë shënuar dhe në studimet për terminologjinë, si dhe në përgatitjen dhe botimin e një numri të konsiderueshëm fjalorësh terminologjikë të fushave të ndryshme, të realizuar me grupe specialistësh të këtyre fushave. Fjalorët janë të dy tipologjive.

a. Fjalorë me terma në shqipe dhe me barasvlerësit e tyre në disa gjuhë (pa shpjegime kuptimore), duke mbuluar gati të gjitha fushat e dijes (mbi 50 fjalorë): fjalorë terminologjikë për terma të matematikës, të gjeometrisë deskriptive dhe të vizatimit teknik, të bujqësisë, të botanikës, të fitonimisë, të biologjisë, të mikrobiologjisë, të histologjisë dhe të embrionologjisë, të anatomisë së kafshëve shtëpiake, të fiziologjisë, të bletarisë, të gjeografisë, të gjeologjisë, të gjeodezisë, të topografisë, të hidraulikës, të astronomisë, të detarisë, të ekonomisë, të ekonomisë së transportit, të ekonomisë politike, të financës e të kontabilitetit, të biznesit, të legjislacionit ekonomik, të planifikimit, të statistikës, të tregtisë së brendshme, të tregtisë së jashtme, të kimisë, të mjekësisë, të mjekësisë ligjore, të optikës, të akustikës, të obstretikës dhe të gjinekologjisë, të sëmundjeve të lëkurës e veneriane, të stomatologjisë, të elektromagnetizmit, të elektronikës, të elektroteknikës, të radioelektronikës, të energjisë atomike, të mekanikës, të mekanikës teorike, të termodinamikës, të autotraktorëve dhe të agregateve, të arkitekturës, të minierave, të hidraulikës, të psikologjisë, të pedagogjisë, të mësimit, të kulturës popullore, të argjendarisë, të etnomuzikologjisë, të kishës, të mitologjisë, të filozofisë, të drejtësisë, të së drejtës ndërkombëtare, të bibliotekës e të bibliografisë, të arkivistikës, të sportit, të ushtrisë, të armatimit dhe të municioneve, të artilerisë, të armës së tankeve, të armës së xhenios, të mbrojtjes kundërajrore, të forcave vullnetare të vetëmbrojtjes, të ADM-së, të shërbimeve të prapavijës, të organizimit, të mobilizimit dhe të kuadrit, të zbulimit, të topografisë ushtarake, të taktikës operative, të akronimeve të NATO-s etj.

b. Fjalorë termash me shpjegime, Fjalor i termave themelorë të bujqësisë (A. Duro), Fjalor i termave të mekanikës (A. Duro) etj.

II. STUDIME NË FUSHËN E LETËRSISË

Në fushën e letërsisë janë drejtuar dhe realizuar projekte për studimin e historisë së letërsisë shqiptare, për botimin kritik të veprave të autorëve të shquar të së kaluarës. Studimet në këtë fushë kanë synuar të hedhin dritë në procesin e formimit të letërsisë kombëtare të shqiptarëve, në veçoritë e këtij procesi vështruar edhe në rrafsh krahasimtar, si dhe në njohjen dhe analizimin e krijimtarisë së shkrimtarëve shqiptarë të gjithë periudhave letrare, si: Studime për letërsinë shqiptare, Historia e letërsisë shqiptare (që nga fillimet deri më 1944) (1983); N. Frashëri, Vepra me 6 vëllime, Asdreni ,Vepra (I, 1976; II, 1980), Fan S. Noli, Vepra në gjashtë vëllime (1987-1996), A. Z. Çajupi, Vepra me tri vëllime etj., M. Kuteli, Vepra etj. Janë bërë botime kritike për letërsinë shqipe me alfabet arab nga G. Abazi, përmbledhje me studime për autorë të panjohur e të ndaluar, botime nga letërsia arbëreshe nga M. Bruci për Santorin, si dhe shumë vepra të veçanta monografike etj. 

EKSPEDITA

IGJL-ja ka organizuar, me ekspedita të veçanta, mbledhjen e fjalëve e të shprehjeve popullore, të toponimeve e të antroponimeve në trojet e shqipes etj.

VEPRIMTARITË KRYESORE KOMBËTARE E NDËRKOMBËTARE

IGJL ka organizuar një varg veprimtarish shkencore kombëtare e ndërkombëtare për probleme të gjuhës e të letërsisë shqiptare, ka botuar e boton aktet e tyre. Veçojmë këtu, konferencat albanologjike të viteve 1962 e 1968, Kongresin e Drejtshkrimit (1972), konferencat për gjuhën standarde në vitet 1984, 1992, 2002, konferencën shkencore me rastin e 100vjetorit të lindjes së Aleksandër Xhuvanit (1980), konferencën kushtuar 90vjetorit të Kongresit të Manastirit (1998), konferencën kushtuar veprës shkencore të prof. Selman Rizës (1999), konferencën për leksikografinë shqipe (2004), konferencën shkencore për 450vjetorin e “Mesharit” të Buzukut” (2005) etj., konferencën ndërkombëtare “Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe” (2009), konferencën ndërkombëtare “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit” (2010), konferencën shkencore “Spiro Floqi personalitet i gjuhësisë shqiptare”, konferencën shkencore me rastin e 30-vjetorit të vdekjes (2013), konferencën shkencore “50 vjet Studime filologjike” (2014), konferencën “Kontributi i prof. Jorgji Gjinarit në studimet dialektologjike të shqipes” (2015), konferencën shkencore ndërkombëtare “Variacioni sintaksor në dialektet dhe të folmet e shqipes” (2016), konferencën shkencore “Zhvillimet në shkencat e ligjërimit dhe lënda e gjuhës dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar” (2019), Konferencën “Kultura e hershme e shkrimit shqip – nga perspektiva e leksikografisë historike”, (2019), Konferencën “Një komb-një gjuhë”, 2022 etj.

Në fushën e letërsisë ka organizuar kolokuiumin “Naim Frashëri dhe koha e tij” (1990), konferencën “Letërsia si e tillë – probleme të vlerësimit të trashëgimisë sonë letrare” (1996), konferencën “Faik Konica – personaliteti dhe vepra” (1992), konferencën “Migjeni sot” (1998), konferencën “Naim Frashëri dhe kultura shqiptare” (2000), sesionin shkencor për Zef Seremben (2001), konferencën kushtuar Jeronim De Radës me rastin e 100vjetorit të vdekjes (2003), konferencën kushtuar jetës dhe veprës së Ernest Koliqit me rastin e 100vjetorit të lindjes (2003) etj., konferencën “Martin Camaj në kulturën shqiptare (në 85-vjetorin e lindjes)”, Tiranë (2010), konferencën “Leximet e Iluminizmit në Evropën Lindore”, konferencën “Për një histori antologjike të letërsisë shqipe (autorë pak ose aspak të njohur në programet dhe tekstet shkollore)” (2014), konferencën shkencore “Studime letrare në proces: teza, projekte, ide, rezultate”, I, II, III, IV (2015, 2016, 2017, 2018 etj.), konferencën shkencore “Dritëro Agolli në 85-vjetorin e lindjes” (2016), konferencën shkencore “Letërsia shqipe mes qëllimores dhe estetikes” (2017), konferencën “Franqisk A. Santori dhe trashëgimia gjuhësore e letrare shqipe”, (2019) etj.

IGJL-ja ka bashkëpunuar dhe ka qenë bashkorganizator për një varg veprimtarish të tjera me institucione shkencore të vendit e të rajonit.