• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Historiku

Historiku

 

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë  (IGJL) është institucion kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe qendër kryesore për studimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqiptare. Bërthama e tij e parë ka qenë Seksioni i gjuhës, i letërsisë dhe i folkloritInstitutin e Studimeve Shqiptare,  themeluar më 1940. Me zgjerimin e veprimtarisë shkencore u ngritën disa sektorë: i gramatikës dhe i dialektologjisë, i leksikologjisë e i leksikografisë, i terminologjisë, i historisë së letërsisë, i folklorit; së bashku me sektorët e historisë dhe të arkeologjisë ata u përfshinë në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë më 1955. Me krijimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (AShSh) më 1972, me sektorët gjuhësorë e letrarë të këtij instituti u formuan Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i cili e kreu veprimtarinë e vet kërkimore-shkencore, në përbërje të së kësaj akademie, deri në fundin e vitit 2007.

Nga viti 2008 deri në vitin 2023 Instituti e kreu veprimtarinë e vet dhe funksionoi në përbërje të Qendrës së Studimeve Albanologjike, e cila në vitin 2017 u kthye në Akademi e Studimeve Albanologjike (ASA), kurse me VKM, nr. 821, dt. 28 nëntor 2023, që nga data 1 janar 2024, IGJL-ja (së bashku me institutet e tjera albanologjike në përbërje të ASA-s), kaloi përsëri në përbërje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

STRUKTURA

Në periudhën 1972 – 2007, kur IGJL-ja ishte institucion kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka pasur në përbërjen e vet 4 departamente shkencore:

  1. Departamentin e historisë së gjuhës, të dialektologjisë dhe të onomastikës
  2. Departamentin e gramatikës e të kulturës së gjuhës
  3. Departamentin e leksikologjisë e të terminologjisë
  4. Departamentin e historisë së letërsisë shqiptare.

Në periudhën 2008 – 2017, IGJL-ja ishte strukturë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, 2017-2023 ishte strukturë e ASA-s dhe ka pasur në përbërjen e vet 3 departamente shkencore, të cilat funksionojnë dhe sot, kur IGJL-ja ka kaluar përsëri në përbërje të AShSh-së:

  1. Departamentin e Gramatikës dhe të Historisë së gjuhës shqipe
  2. Departamentin e Leksikologjisë, të Terminologjisë dhe të Gjuhësisë së zbatuar
  3. Departamentin e Studimeve letrare.

Gjithashtu, në IGJL janë ngritur e funksionojnë disa kartoteka shkencore (Ngritja e tyre zë fill në vitin 1955):

  1. Kartoteka e leksikut të shqipes
  2. Kartoteka e gramatikës
  3. Kartoteka e dialektologjisë dhe e onomastikës
  4. Fonoteka e dialektologjisë
  5. Kartoteka elektronike për korpusin leksikor të shqipes (me një database / bazë të dhënash me mbi 800.000.000 njësi).

Kartotekat e IGJL-së formojnë bazën e të dhënave gjuhësore dhe bibliografike mbi të cilat mbështetet kërkimi shkencor në fushën e gjuhësisë dhe të historisë së letërsisë. Kartoteka e leksikut të gjuhës shqipe ka një fond me mbi 3.000.000 skedash leksikore (fizike). Kartoteka e gramatikës ka në fondin e saj rreth 1.000.000 skeda për njësi të veçanta morfologjike, sintaksore e fjalëformuese, të vjela nga letërsia artistike, botimet folklorike dhe letërsia publicistike. Kartoteka e dialektologjisë dhe fonoteka ka në fondin e saj skeda dhe shirita me lëndë dialektologjike të regjistruara gjatë gati treçerek shekulli nga ekspeditat kërkimore në terren.

Kartoteka e historisë së letërsisë përmban skeda bibliografike nga fusha e historisë dhe e teorisë së letërsisë.

Fondet e kartotekave të IGJL-së janë kompjuterizuar (janë fotografuar) për të krijuar bazën elektronike të të dhënave gjuhësore dhe bibliografike.

Pranë IGJL-së funksionon dhe Arkivi i këtij Instituti. Ai ruan në fondet e tij dorëshkrime tekstesh të vjetra të shqipes, materiale dokumentare nga fusha e albanologjisë, që mund të shfrytëzohen nga çdo studiues (me mbi 700.000 faqe dokumentesh). Në të ruhen gjithashtu dorëshkrime të punimeve, të monografive e veprave gjuhësore apo historiko-letrare të studiuesve të ndryshëm, të botuara ose jo.

IGJL-ja është anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (CISO), merr pjesë në hartimin e Atlasit të gjuhëve të Europës (ALE / Atlas Linguarum Europae); është anëtar i EULEX-it (European Lexicography) me qendër në Londër. Ai bashkëpunon dhe me disa qendra albanologjike të vendeve të ndryshme, veçanërisht me institucionet e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, me katedra të shqipes dhe studiues arbëreshë në Itali (Kozencë, Palermo, Napoli, Bolonja) etj.

IGJL-ja bashkëpunon me të gjitha Departamentet e Gjuhës shqipe dhe të Letërsisë të universiteteve publike dhe jopublike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e më gjerë.

 REVISTAT SHKENCORE

Instituti i Gjuhësisë dhe të Letërsisë, boton revistën shkencore “Studime filologjike” (SF), numri i parë i së cilës doli më 1964, si vijim i pjesës filologjike të Buletinit të USHT Seria shkencat shoqërore. SF-ja është organ qendror për studimet në fushën e gjuhës shqipe dhe të filologjisë shqiptare, të historisë së letërsisë shqiptare e të teorisë së letërsisë. Ajo boton studime, artikuj, recensione, bibliografi, materiale gjuhësore e dokumentare, kronika të veprimtarive të ndryshme shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHSH e të institucioneve të tjera në fushat e mësipërme. Artikujt shoqërohen me përmbledhje në gjuhë të huaja. Botimi i revistës SF nuk ka qenë i rregullt periodik. Nga viti 1964 deri në vitin 1990 doli si revistë 3-mujore (me 4 numra në vit), në vitin 1991 doli me tre numra (1, 2 dhe 3-4), nga 1992 deri në vitin 1997 doli me një numër në vit (1-4), kurse nga viti 1998 dhe sot del me dy numra në vit (1, 2). Deri tani janë botuar mbi 160 numra të kësaj reviste. Revista tashmë del në dy formate përdorimi: e shtypur dhe on-line.

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si institucion kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, botoi për 28 vjet rresht dhe revistën gjuhësore shkencore popullarizuese “Gjuha jonë” (1981–2008). Ajo ka trajtuar çështjet e gjuhës letrare kombëtare, të normës gjuhësore e të kulturës së gjuhës dhe të pastrimit e të pasurimit të gjuhës letrare në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore që kanë si mjet komunikimi fjalën e shkruar e të folur. Ka paraqitur gjithashtu veprimtarinë e Komisionit të përhershëm për organizimin e punës për pastrimin dhe pasurimin e mëtejshëm të gjuhës letrare shqipe. Përveç artikujve, janë botuar edhe kritikë e bibliografi, fjalë të rralla, diskutime, përgjigje pyetjeve, materiale nga puna me gjuhën në shkollë dhe nga jeta shkencore.

Në vitin 2008 deri në vitin 2023, kur Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë u riorganizua si institucion kërkimor-shkencor i Qendrës së Studimeve Albanologjike e më vonë i Akademisë së Studimeve Albanologjike, botimi i revistës “Gjuha jonë” u ndërpre.

Me riorganizimin e IGJL-së pranë AShSh-së (1 janar 2024) edhe kjo revistë do të rifillojë të botohet.

DREJTUESIT E INSTITUTIT NË VITE

1972-1990       Akad. Androkli Kostallari

1990-1993       Akad. Jorgo Bulo

1993-1997       Akad. Bahri Beci

1997-2007       Akad. Jorgo Bulo

2008-2012       Prof. dr. Enver Muhametaj

2012-2021       Prof. dr. Valter Memisha

2021-2023       Prof. dr. Artur Lama

2024-              Akad. Valter Memisha