Instituti i Antropologjisë (IAn) është një nga institutet kërkimore, pjesë përbërëse e Akademisë së Shkencave së Shqipërisë. IAn-ja përbëhet nga: Departamenti i Etnologjisë dhe Departamenti i Folklorit. Zanafilla e IAn-së është në vitin 1947, kohë kur themelohet Sektori i Etnografisë, si pjesë përbërëse e Institutit të Shkencave. Instituti i Antropologjisë ka si shtyllë kryesore veprimtarie kërkimin shkencor në lëmin e etnologjisë dhe folklorit. Në fokus të punës kërkimore të studiuesve të IAn-së janë dukuritë sociale dhe kulturore të shfaqura e të zhvilluara në shoqërinë shqiptare, të cilat analizohen, së paku, në dy dimensione: së pari, në rrafshin e dijeve albanologjike dhe, së dyti, si lëndë empirike për analiza teorike dhe përgjithësuese. Në këtë aspekt, natyra e kërkimeve që zhvillohen në këtë institut janë teorike, kritike-reflektive, albanologjike, krahasimore dhe përgjithësuese. Këto studime ndërthurin qasje prezentiste dhe historiciste të tipit longue-dure. Prioritet kërkimor kanë marrë veçanërisht temat që lidhen me historinë e artikulimit dhe jetësimit të modernitetit/eve në Shqipëri. Ndërsa, qasja prezentiste ndalon mbi hulumtimin e fenomeneve sociale, kulturore dhe artistike në bashkëkohësinë e shqiptarëve dhe pakicave kombëtare.
Pjesë integrale e Institutit të Antropologjisë janë edhe arkivat shkencorë me një lëndë të pasur etnografike dhe folklorike. Fondet etnografike datojnë që prej vitit 1947, kur u ngrit Sektori i Etnografisë, dhe ndihmuan në hapjen e Muzeut Arkeologjik-Etnografik (1948) pranë Institutit të Shkencave. Pjesa kryesore e reperteve është mbledhur ndër dekada gjatë ekspeditave studimore prej etnografëve shqiptarë, ndërsa një pjesë është dhuruar nga dashamirës të ndryshëm.
Në aspektin strukturor, fondet etnografike që ndodhen në arkivat e Institutit të Antropologjisë ruhen të ndara në disa kategori:
Arkivi i fotografisë është i ndarë në disa fonde: fondi i filmotekës (me rreth 38 000 negativë filmi), fondi i negativëve prej xhami, ndër më të veçantët në Shqipëri, pasi përmban negativë të fondeve fotografike të Kolë Idromenos, Margaret Hasluck, Kiço Venetikut, Ugolinit etj. (me rreth 2700 negativë); fondi i fotografisë (me rreth 50. 000 foto), skicoteka (me rreth 4000 skica).
Arkivi i shkruar i etnografisë dhe folklorit është i ndarë në disa fonde: fondi i shkruar i etnografisë, fondi i shkruar i folklorit, fondi i përkthimeve.
Arkivi i kulturës materiale është i ndarë në dy fonde: fondi tekstil-lesh (12,597 objekte) dhe fondi dru-metal (8,785 objekte).
Arkivi audiovizual përmban1700 bobina me shirit magnetik të incizuar, rreth 221 kinofilme, 215 videokaseta, 202 disqe magnetofoni etj.
Kjo pasuri arkivore është kontribut i shumë brezave studiuesish që kanë kryer ekspedita dhe kanë gjurmuar pasurinë kulturore në trevat shqipfolëse, duke e dokumentuar atë vizualisht, në të shkruar dhe në mbledhjen e objekteve të trashëgimisë materiale.
Instituti i Antropologjisë boton edhe revistën shkencore Antropologji, në të cilën redaksia përzgjedh për botim artikujt më të mirë në fushat e antropologjisë, etnografisë, folklorit etj.