Arian Leka punoi si kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, si lektor në Universitetin e Arteve dhe ka drejtuar Sektorin e Enciklopedisë shqiptare pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mban gradën shkencore “Doktor” në shkencat letrare, me tezën “Realizmi Socialist-një Adventus dhe Adventurus midis Realizmit dhe Irrealizmit”. Ai është autori 21 librave letrarë e studimorë, mes të cilëve monografia “Realizëm Socialist në Shqipëri” (ASHSH, 2020) dhe “Konsensus dhe Polemikë” (ASA, 2023) kushtuar prirjeve futuriste në vitet 1930, avantgardave të toleruara në letërsinë e diktatit si dhe artikujt e botuar në “Studime filologjike”, “Studia Albanica”, “Antropologji”, “Academia edu.” etj. Krijimtaria studimore e Arian Lekës është publikuar në anglisht e gjermanisht nga “Routledge Taylor&Francis” dhe “Anthea”.
Krijimtaria letrare e Arian Lekës është nderuar 6 herë me Çmime Kombëtare, përfshi çmimet e Ministrisë së Kulturës, “Strabizëm” (2004), “Shpina e Burrit” (2006), “Ndreqje gabimesh” (2010), “Dora e Majtë” (2016), ndërsa “Hartë memece për të mbyturit” dhe “Në kërkim të këmishës së humbur” ishin finalistë të çmimeve kombëtare. Në vitin 2018 poezia e Arian Lekës u vlerësua në Shkup me Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë “Skepri Poetik”; në vitin 2019, në Iasi, u vlerësua me Çmimin “Poet i Kryeqytetit Letrar të Rumanisë” dhe në 2022, me Çmimin Ndërkombëtar Opera Omnia “Tudor Arghezi”. Më herët, proza e Arian Lekës “Vëllezër në brisk” u bë pjesë e “Best European Fiction” (Dalkey Archive Press, 2011); “Këmisha” u botua në antologjinë europiane “Das Hemd” (Vjenë, 2014); “Qeli prej letre” u përfshi në antologjinë “Glückliche Wirkungen” (Berlin, 2017); “Paranoja” u përfshi në antologjinë “A Good European” (Mynih, 2018) dhe “Prej nga vjen Drita” në antologjinë mbi Mesdheun (Vjenë, 2020). Arian Leka ka fituar bursa letrare, studimore e universitare në Gjermani, Hong Kong, Austri, Kroaci, Kinë, Hungari, Spanjë, Bosnjë dhe Hercegovinë etj dhe, përveçse në gjuhën amtare, krijimtaria e tij është botuar në frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, anglisht, italisht, rumanisht, bullgarisht, serbisht, kinezisht, arabisht, polonisht, boshnjakisht, sllovenisht, kroatisht, finlandisht, sllovakisht, maqedonisht dhe në gjuhën malazeze dhe galicisht dhe ka qenë në vëmendjen e kritikëve të njohur letrarë, mes të cilëve Ali Aliu, Luan Starova, Robert Elsie, Aleksandar Hemon, Peter Byrne, Brandon Wicks, Kevin Frazier, Michael Krüger, Đorđe Krajišnik etj.
Drejtuesit ndër vite
- Prof. dr. Xhevat Lloshi
- Prof. dr. Emil Lafe
- Prof. dr. Muharrem Dezhgiu
- Prof. dr. Aurel Plasari
- Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi