80-vjetori i Çlirimit

Në datën 25 tetor 2024 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua sesioni shkencor “Batalioni “Antonio Gramshi” dhe lufta antifashiste në Shqipëri”.

Kjo veprimtari u organizua në kuadër të 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Sali Onuzi, përfaqësues i organizatës së veteranëve të LANÇ-it çeli veprimtarinë dhe ia dha fjalën Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushit.

Akad. Gjinushi përshëndeti pjesëmarrësit e këtij sesioni shkencor dhe theksoi se Antonio Gramshi ishte udhëheqës i rëndësishëm politik i së majtës, por edhe filozof, intelektual, estet, sociolog dhe një gazetar mjaft i zoti. Ai njihej si një figurë poliedrike me kulturë shumë të gjerë dhe ishte pa dyshim një ndër intelektualët më të shquar italianë të shekullit XX. Ai foli për 15 dëshmorët e këtij batalioni dhe vetë komandantin e batalionit, Tercilio Kardinali.

“Kjo luftë e përbashkët mes antifashistëve shqiptarë e atyre italianë, të cilët deri në shtatorin e vitit 1943 kishin qëndruar në llogore përballë njëri-tjetrit, tregon se antifashizmi ishte një vlerë e përbashkët e padiskutueshme e të dy popujve. Po kështu edhe aspirata e tyre për liri. Ajo që kishte çuar në armiqësi të dy popujt gjatë pushtimit italian nuk ishte dëshira e popullit italian, por ishte e diktuar nga politika shtetërore e udhëheqjes fashiste. –tha akad. Gjinushi.

Më tej, ai theksoi se antifashizmi është një vlerë e përbashkët e të dy popujve dhe lufta e tyre krah për krah kundër Gjermanisë hitleriane pas shpërbërjes së shtetit fashist në Itali, përbën pa dyshim një emërues të përbashkët në mirëkuptimin dhe bashkëjetesën në paqe midis dy fqinjëve pas luftës së Dytë Botërore.

Historianët akad. Pëllumb Xhufi, prof. dr. Ksenofon Krisafi, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, dhanë një panoramë të plotë historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri.

Akad. Xhufi, përmes kumtesës “Italia tjetër”: batalioni “Antonio Gramshi” në luftën antifashiste të popullit shqiptar”, solli në vëmendje të opinionit një faqe pothuajse të harruar të historisë sonë, atë të ish ushtarakëve italianë në Shqipëri, të cilët pas shpalljes së armëpushimit në 8 shtator 1943 iu bashkuan formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në luftën kundër pushtuesit të ri gjerman. Akad. Xhufi tha se: E gjithë historia e Italisë në Luftën II Botërore është revizionuar shumë keq. Harrohet që krimi mbi krime i Italisë fashiste ishte pushtimi i vendeve të huaja dhe masakrat e kryera mbi popujt e Abisinisë, Spanjës, Malit të Zi Bosnjës, Kroacisë, Greqisë.

Prof.dr. Ksenofon Kristafi përmes kumtesës “Antonio Gramshi – arbëreshi i madh që i dha emrin batalionit të luftëtarëve italianë të ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare”, dha konkluzionin se evokimi i luftës së dytë botërore dhe i frymës së përgjithshme të antifashizmit duhet të shërbejë për të luftuar prirjet e ringjalljes së fashizmit.

Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi iu referua çështjes sesi trajtohet antifashizmi në historiografinë e sotme.

Prof. asoc. dr. Teki Kurti dha një informacion të zgjeruar për partizanët italianë në formacionet e antifashiste shqiptare sipas dokumenteve të Arkivit të Forcave të Armatosura.

Akad. Vasil S. Tole, zëvendëskryetar i ASHSH përmes kumtesës së tij zbuloi historinë e Himnit të divizionit garibaldin “Antonio Gramshi” në vitin 1943.
“Himni u krijua në Shkodër nga bashkëpunimi mes kompozitorit të ri Tish Daija (1926-2003), në atë kohë një djalosh 17-vjeçar dhe autorit të tekstit, ushtarakut italian Mario Dacci, pjesëtar i batalionit “Antonio Gramshi”.” – tha akad. Tole
Tish Daija njihet për merita historike si krijues i baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajria”, 1963, krahas shumë veprave të tjera të gjinive vokale, instrumentale e simfonike. Ishte periudha kur Daija me shokët ishin pjesë e bandave muzikore dhe e koreve të ndryshme si “Scuola Cantorum”, që funksiononte në Shkodër, apo edhe në të tjera syresh, qofshin fetare apo laike.
Më pas, përfaqësues të organizatës së veteranëve të LANÇ, sollën dëshmi të reja për pjesëmarrjen dhe kontributin e ushtarakëve të tjerë antifashistë italianë në radhët e ushtrisë antifashiste të Shqipërisë.