U zhvillua mbledhja e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”
Më 7 mars 2025 Qendra e Botimeve Enciklopedike Albanologjike (QBEA) organizoi mbledhjen e Redaksisë Qendrore të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.
Në këtë takim pune përveç anëtarëve të kësaj redaksie akad. Pëllumb Xhufi, prof. Paskal Milo, prof. Ferit Duka, prof. Neritan Ceka mori pjesë dhe drejtori i QBEA-së dr. Arian Leka.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte shqyrtimi i mëtejshëm dhe përfundimtar nga redaksia qendrore i dy volumeve të para “Lashtësia” dhe “Mesjeta”, para se ato t’i nënshtrohen recensionimit.
Fillimisht drejtori i Qendrës bëri një përshkrim lidhur me ecurinë e punës dhe gjendjen aktuale të dy vëllimeve të para të projektit madhor “Historia e shqiptarëve”.
Dr. Leka informoi anëtarët e redaksisë qendrore mbi hapat që do të ndiqen lidhur me procesin fundor të redaktimit shkencor dhe proceset e tjera redaksionale- drejtshkrimore dhe stilistike.
Anëtarët e Redaksisë Qendrore vijuan më tej me diskutimet mbi çështje të përmbajtjes së dy veprave. Gjatë analizimit të vëllimit I – “Lashtësia” me 699 faqe dhe vëllimit II – “Mesjeta” me 722 faqe, prof. Paskal Milo dhe prof. Ferit Duka konstatuan se lënda shkencore e paraqitur sjell qasje të reja në përmbajtje, trajtime të pasuruara të temave ekzistuese e plotësime të tematikave të munguara, duke përmbushur kriteret shkencore të synuara. Veprat dëshmojnë fazat e qytetërimit shqiptar sipas periudhave, duke mbuluar në mënyrë̈ tërësore hapësirën e banuar nga shqiptarët gjatë gjithë̈ historisë̈ së tyre të lashtë dhe mesjetës.
U vërejt gjithashtu se të dyja vëllimet ndalen në momentet historike kryesore, shtjellojnë̈ figurat më të spikatura dhe ndriçojnë̈ ngjarjet madhore, duke bërë̈ evidentimin e plotë formave të zhvillimit historik, organizimit social, politik e kulturor të shqiptarëve në territoret e banuara prej tyre.
U nënvizua gjithashtu edhe fakti se veprat kanë ndjekur metodologji bashkëkohore të historiografisë̈, duke sjellë risi përballë̈ teksteve me tematikë të ngjashme botuar më herët. Gjatë takimit, redaktorëve përgjegjës të periudhave akad. Pëllumb Xhufit dhe prof. Neritan Cekës iu bënë sugjerime lidhur me një organizim më të arrirë të lëndës, si dhe u theksua kërkesa për avancim të punës në lidhje me proceset editoriale.
Takimi i radhës së kësaj redaksie, që përmbyll këtë fazë pune do të zhvillohet më 20 mars 2025.