U zhvillua konferenca shkencore ndërkombëtare “Në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi nazifashist”
Sot, më 25 nëntor 2024, me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të shpallur si vit jubilar mbarëkombëtar nga Këshilli i Ministrave, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës zhvilluan një konferencë shkencore ndërkombëtare.
Sesionin e parë të kësaj konference e moderuan prof. dr. Paskal Milo, dr. Roderick Bailey e prof. dr. Bujar Dugolli.
Fillimisht prof. dr. Milo përshëndeti të pranishmit dhe i dha fjalën e hapjes së kësaj veprimtarie Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushit.
Akad. Gjinushi u shprehu të pranishmëve urimet për festën e 80-vjetorit të Çlirimit të vendit dhe falënderoi organizatorët e konferencës dhe pjesëmarrësit nga Kosova, Maqedonia e Veriut, nga Akademia Ushtarake dhe Akademia e Policisë, etj.
Ai theksoi ndër të tjera, se qasja ndaj rolit të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut, një nga ngjarjet më të mëdha e më tragjike të njerëzimit, ka të bëjë jo thjesht me qëndrimin ndaj një periudhe historike, por me vlerësimin e një prej tipareve më të vyera të një populli, atë të antifashizmit, tipar themelor ky i popujve sot, në botën demokratike.
Konferencën e përshëndeti edhe z. Skënder Durmishi, ambasador i Republikës së Kosovës. Ai foli për përpjekjet që kanë bërë kosovarët për të qenë në vijën e parë të frontit të luftës për çështje të pavarësisë dhe lirisë.
Më pas prof. dr. Paskal Milo, mbajti kumtesën “Shqipëria antifashiste në anën e duhur të historisë në Luftën e Dytë Botërore. Ai theksoi se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme.
Studiuesi italian, prof. Alberto Basciani, foli për figurën e prof. Gjeneral Parianit dhe fundin e sundimit italian në Shqipëri (mars – shtator 1943). Në fillim të marsit 1943, situata italiane në Shqipëri pësoi një kthesë të bujshme. Francesco Jacomoni (Françesko Jakomoni) dha dorëheqjen si mëkëmbës dhe në vend të tij u emërua nga Musolini Alberto Pariani. Por, ai u vendos në një situatë komplekse, që nuk e kishte imagjinuar, tha prof.Basciani.
Akad. Pëllumb Xhufi mbajti kumtesën “Kolaboracionizmi në Luftën e Dytë Botërore: rasti shqiptar”. Ai pasi bëri një përshkrim të forcave aleate dhe kundërshtare që morën pjesë në luftë theksoi se dokumente të shumta të pushtuesve italianë e gjermanë, të misioneve aleate anglo-amerikane, të qeverive kuislinge e të organizatave Balli Kombëtar e Legaliteti provojnë qartë se parulla e së ashtuquajturës “Shqipëri Etnike” që ata përdorën gjatë viteve të luftës për të përligjur kolaboracionizmin e tyre, ishte thjesht e vetëm propagandë. Në fakt, ata nuk munguan të iniciojnë marrëveshje me qarqet antishqiptare fqinje për përfshirjen e Shqipërisë, pa Kosovën e Çamërinë, si njësi federale në kuadrin e shtetit jugosllav apo të atij grek.
Dr. Roderick Bailey, University of Oxford, foli për ndikimin e Luftës në Shqipëri në trupat dhe mendjet e personelit britanik, duke iu referuar burimeve nga dokumente tё deklasifikuara dhe nga materiale tё tjera bashkëkohore tё mbledhura nga personeli britanik dhe familjet e tyre.
Prof. dr. Et’hem Çeku foli për zhvillimin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë. Ai theksoi se përfshirja e Kosovës në Luftën Nacionalçlirimtare, në zbatim të thirrjes së aleatëve të mëdhenj antifashistë, bëri që Kosova të ruante tërësinë e saj territoriale dhe shumicën e popullsisë shqiptare që jetonte aty. Kjo luftë ndikoi që Kosova të fitonte një subjektivitet të veçantë, që do të ndihmonte në zhvillimin dhe, më vonë, në formimin e mëvetësisë së saj.
Prof. dr. Sonila Boçi mbajti kumtesën “Nga Peza në Berat: një vështrim analitik mbi ngritjen dhe strukturimin e Frontit Nacionalçlirimtar në Shqipëri”. Ajo u përqendrua në analizën e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që siguruan masivizimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe suksesin e saj si në çlirimin e Shqipërisë, ashtu edhe në rrugëtimin e PKSH-së drejt pushtetit.
Sesioni i dytë u drejtua nga prof. dr. Hamit Kaba, prof. dr. Et’hem Çeku, prof. asoc. dr. Elias G. Skoulidas.
Prof. asoc. dr. Elias G. Skoulidas, Universiteti i Janinës, mbajti një kumtesë për format e bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe grekëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shprehu interesin për të diskutuar në kuadër të bashkëpunimit në Ballkan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Objektivi ynë është që të shqyrtojmë proceset e veçanta, bazuar kryesisht në burimet më të fundit arkivore greke e shqiptare të disponueshme, si dhe të shteteve të tjera. -tha Skoulidas. Ai e vuri theksin tek bashkëpunimet greko-shqiptare gjatë Luftës Civile Greke dhe fillimit të Luftës së Ftohtë, veçanërisht në kontekstin e “strategjisë së përmbajtjes” dhe “politikës së Rollback-ut”.
Akad. Hamit Kaba foli për Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe qëndrimin e diasporës shqiptare gjatë kësaj lufte. Ai trajtoi raportet e emigracionit shqiptar dhe përfaqësuesve të tyre me Lëvizjen Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Emigracioni shqiptar ruajti karakterin antifashist, por mbeti i ndarë e i përçarë dhe nuk arriti që të realizonte të gjitha objektivat që i kishte vënë vetes për afrimin dhe afirmimin e Shqipërisë me Aleancën Antifashiste.
Prof. dr. Skënder Asani dhe prof. dr. Isamedin Azizi u prezantuan me kumtesën “Kontributi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për luftën nacionalçlirimtare dhe bashkëpunimi me Luftën Nacionalçlirimtare të Shqipërisë.” Në shtjellimin e kësaj teme ata u përqendruan në formimin e formacioneve të veçanta shqiptare, që morën pjesë aktive në çlirimin e të gjitha qyteteve të Maqedonisë Perëndimore, duke u bërë kështu një nga brigadat më aktive për çlirimin e plotë të Jugosllavisë.
Akad. Vasil S. Tole mbajti kumtesën “Këngët partizane, trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste”. Ai trajtoi rolin që kishte muzika patriotike dhe gjinitë e saj të veçanta si: kënga, himni, marshi, elegjia, etj., gjatë luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. “Këto këngë janë pjesë e pandashme e trashëgimisë muzikore shpirtërore patriotike të popullit shqiptar, e cila filloi të krijohej në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të, me muzikën patriotike qytetare kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, që vijoi me opusin qendror të muzikës patriotike të Rilindjes sonë Kombëtare, pjesë e së cilës është edhe “Himni Kombëtar” dhe që mbyllet natyrshëm me këngët e periudhës 7 prill 1939-9 maj 1945, ose me këngët patriotike të Luftës së Dytë Botërore.”-tha akad. Tole.
Më tej u fol për rolin e Diasporës në Luftën e Dytë Botërore.
Prof. dr. Bujar Dugolli mbajti kumtesë për Drenicën gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa prof. Hajredin Isufi foli për Lëvizjen Antifashiste në Çamëri gjatë kësaj lufte. Hajredin Isufi foli për Lëvizjen Antifashiste në Çamëri në Luftën e Dytë Botërore.
Prof. asoc. dr. Ardit Bido mbajti një kumtesë për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai trajtoi veçorinë e rastit shqiptar, si i vetmi vend europian që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës sesa përpara saj. Në këtë kumtesë do të evidentohen përpjekjet e forcave antifashiste, por edhe të qeverive bashkëpunëtore shqiptare, në shpëtimin e hebrenjve, çka përbënte një sfidim të drejtpërdrejtë të ideologjisë naziste.
Seanca e tretë u drejtua nga prof. dr. Petrit Nathanaili, prof. dr. Skënder Asani, prof. dr. Ksenofon Krisafi.
Gjatë kësaj seance, prof. dr. Ksenofon Krisafi foli për marrëdhëniet e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare me Fuqitë e Mëdha të kombeve të bashkuara antifashiste. Pozicioni i tyre ndaj Shqipërisë së pasluftës zuri fill te qëndrimi ndaj pushtimit fashist italian dhe në deklaratat e dhjetorit 1942, ku u shprehën se pas lufte do ta rinjihnin zyrtarisht shtetin e pavarur shqiptar. Deklarimet për afirmimin e të drejtës së shqiptarëve për ringritjen e shtetit të vet, për vendosjen e formës së qeverisjes dhe zgjedhjen e qeverisë që do të dëshironin, në përputhje me Kartën e Atlantikut, nuk e ndryshuan, pavarësisht nga zig-zaget që shoqëruan zhvillimet e mëvonshme si rezultat i interferencave të faktorëve të tjerë.
Prof. dr. Petrit Nathanaili foli për pushtimin italian i Shqipërisë dhe pasojat e tij në Ballkan dhe Mesdhe. Ai tha se Britania dhe Franca, të shqetësuar kryesisht për interesat e tyre, si fuqi të mëdha, nuk reaguan ndaj këtij akti. Ato konsideruan më të nevojshme një aleancë me Turqinë, për shkak të paralelizmit mes interesave të tyre. Anglia dhe Franca vendosën të ndihmojnë Greqinë për ruajtjen e pavarësisë së saj dhe status quo-së në këtë rajon duke propozuar garantimin e Turqisë kundër çdo agresioni italo-gjerman në Mesdhe.
Akademik Marenglen Verli mbajti një m kumtesë për faktorët që penguan pushtuesit nazifashistë të kryenin rekrutim masiv në Kosovë. Ai theksoi se në Kosovë pati një lëvizje antifashiste, dhe në vitin 1944, aty ishin rreshtuar përkrah aleatëve antifashistë rreth 20 000 luftëtarë. Në fund të luftës numri kishte arritur në 53 000 të tillë.
Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi mbajti një kumtesë për karakterin e luftës së shqiptarëve dhe problematikat e trajtimit të saj. Ai analizoi disa nga problemet e hasura në dhjetëvjeçarët e fundit në trajtimet e historisë, e kryesisht mbi natyrën e luftës së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Prof. dr. Irakli Koçollari mbajti një kumtesë për rezistencën nazifashiste në Shqipëri. Ai vuri në dukje mes të tjerash se SOE kishte për mision të organizonte dhe mbështeste veprimtari spiunazhi, sabotazhi apo lëvizjet e rezistencës së armatosur lokale, në Europën e pushtuar nga gjermanët.
Në fund, prof. dr. Bernard Zotaj paraqiti një kumtesë për dukuri të artit ushtarak në LANÇ dhe veçori të forcave luftarake. Ai theksoi se përvoja e forcave luftarake që morën pjesë aktive në LANÇ të popullit shqiptar është shumë dimensionale gjë që u vu re në fushën e organizimit luftarak dhe të artit ushtarak, të cilat jo vetëm duhet të njihen, por dhe të përkujtohen dhe nderohen me respekt dhe dinjitet.
Gjatë kësaj konference përmes punimeve shkencore u bë e qartë se shqiptarët zgjodhën rrugën më të drejtë për të rifituar lirinë dhe pavarësinë e tyre, përmes rezistencës antifashiste dhe luftës çlirimtare kundër shteteve pushtuese fashiste.
Ata për herë të parë me luftën e tyre u imponuan si subjekt e faktor ndërkombëtar dhe nuk lejuan të trajtoheshin si më parë në kulisat e politikës e të diplomacisë të Fuqive të Mëdha që vendosnin për fatin e tyre dhe të Shqipërisë pa i pyetur e duke i nëpërkëmbur. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimi krahas Aleatëve të Mëdhenj të Kombeve të Bashkuara forcoi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e shpëtoi atë nga disa përpjekje që u bënë pas Lufte për t’i cenuar integritetin territorial dhe ndërhyrjen në punët e brendshme, etj.