U zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes Akademisë së Shkencave dhe Bankës së Shqipërisë “Për ekspozimin në muzeun e Bankës së Shqipërisë të disa objekteve numizmatike dhe arkeologjike në administrim të Akademisë së Shkencave/Institutit të Arkeologjisë”
Më 19 shkurt 2025, në orën 11:00, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes mes Akademisë së Shkencave dhe Bankës së Shqipërisë “Për ekspozimin në muzeun e Bankës së Shqipërisë të disa objekteve numizmatike dhe arkeologjike në administrim të Akademisë së Shkencave/Institutit të Arkeologjisë”.

Ceremonia u zhvillua me praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi; Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko; zëvendëskryetarit të ASHSH-së akad. Vasil Tole; drejtorit të Institutit të Arkeologjisë akad. Adem Bunguri dhe drejtorit të Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë, z. Altin Tanku.

Në fjalën e tij përshëndetëse akad. Gjinushi vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë në organizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e ekonomisë dhe financave e veçanërisht në ekspozimin në muzeun e Bankës të dhjetëra monedhave të periudhës kryesisht ilire e disa objekteve arkeologjike. Ai tha se kjo ekspozitë mundëson njohjen e publikut të gjerë vendas e të huaj me dëshmi të lashtësisë së kulturës së popullit shqiptar.
Këto objekte tregojnë se Akademia e Shkencave nuk është thjesht pohuese e lashtësisë së origjinës së popullit shqiptar, por vërtetuese e promovuese e tyre. Është ajo, bota akademike që ka vërtetuar e provuar këtë lashtësi pasi ato janë produkt i hulumtimeve dhjetëravjeçare të Institutit të Arkeologjisë, pjesë e kësaj akademie.

Akad. Gjinushi theksoi se, sipas marrëveshjes së dakordësuar, Banka e Shqipërisë është vendi më i sigurt e më me impakt për ekspozimin e 19 objekteve arkeologjike dhe 210 monedhave numizmatike, pjesë e fondit të këtij Instituti.
Në fjalën e tij Guvernatori z. Gent Sejko, shprehu kënaqësinë që Banka e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave, së bashku me Institutin e Historisë, kanë ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë dhe zyrtarizojnë vijimin e bashkëpunimit të tyre për ekspozimin në muzeun e Bankës së Shqipërisë të objekteve arkeologjike dhe koleksioneve numizmatike në pronësi të Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se kontributi i ASHSH-së ka qenë thelbësor në hartimin e platformës shkencore të muzeut të Bankës së Shqipërisë dhe pasurimin e ekspozitës së tij të përhershme.
Përmbajtja e kësaj ekspozite është jo vetëm pjesë e kujtesës historike e kombëtare, por edhe një platformë e fuqishme për edukimin financiar. Objektet përfaqësojnë një pjesë thelbësore të trashëgimisë sonë historike, duke ofruar dëshmi të pakundërshtueshme për zhvillimin e shkëmbimit paramonetar, prerjen dhe qarkullimin e monedhës në trojet tona, gjatë prehistorisë dhe antikitetit. Falë këtij partneriteti, tematika e parasë dhe historisë monetare të vendit tonë është trajtuar në një dimension më të plotë, duke tejkaluar kornizat e historisë së bankës qendrore dhe duke ofruar një panoramë më të gjerë të zhvillimeve ekonomike dhe kulturore të rajonit.
Më tej Guvernatori i Bankës së Shqipërisë falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Institutin e Arkeologjisë për besimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, duke evidentuar faktin se Muzeu i Bankës së Shqipërisë nuk është vetëm një njësi e këtij institucioni, por edhe një qendër e ruajtjes së kujtesës historike e kombëtare dhe një platformë e fuqishme për edukimin financiar.
Ai theksoi se Banka e Shqipërisë ndihet e nderuar për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore.
Në vijim u bë firmosja e marrëveshjes nga akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, dhe z. Altin Tanku, drejtor i Departamentit të Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë.