U mbajt mbledhja e parë e partnerëve të projektit CryoConnect: Një iniciativë rajonale për kriobankë ndërkufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor
Veprimtaria u zhvillua sot, më 25 qershor 2025, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Italia, Çekia, Gjeorgjia, Serbia, Kroacia, Maqedonia dhe vende të tjera të rajonit.
Akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, si dhe akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë, u uruan mirëseardhjen pjesëmarrësve në këtë takim dhe i falënderuan për bashkëpunimin me studiuesit shqiptarë e kontributin që kanë dhënë në mbarëvajtjen e projektit CryoConnect: Një iniciativë rajonale për kriobankë ndërkufitare në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Projekti zhvillohet në vijim të veprimtarive të Qendrës së Kërkimit Shkencor “Bioteknologji & Gjenetikë” (QKBGJ), pjesë e Akademisë së Shkencave; Universitetit të Tiranës, si dhe institucioneve partnere ballkanike e më gjerë.
Synimi i këtij takimi ishte prezantimi i kërkimit shkencor dhe përvojës së deritanishme në kriokonservimin e gjermoplazmës bimore rajonale, si dhe përgjegjësitë e palëve të përfshira.
Akad. Anila Hoda, sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Kryesisë. Ajo shprehu mirënjohjen për punën që është bërë për realizimin e projektit dhe theksoi ndër të tjera rolin dhe arritjet e Akademisë së Shkencave me institutet, qendrat kërkimore dhe seksionet e saj në kërkimin shkencor në tërësi, e sidomos në fushën e gjenetikës dhe bioteknologjisë së aplikuar, si dhe në zgjerimin e bashkëpunimeve me rrjetet ndërkombëtare e rajonale të kërkimit shkencor.

Takimin e përshëndeti edhe akad. Genc Sulçebe, drejtues i Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, pjesë e ASHSH-së. Ai theksoi se QKBGJ-ja ka dhënë kontribut në kërkimet e shumta shkencore, përfshirë dhe ato të lidhura me bioteknologjinë bimore, e veçanërisht me ruajtjen kriogjenike të gjermoplazmës bimore me interes, përmes organizmit të projekteve dhe studimeve të përbashkëta me institucionet e arsimit të lartë e të shkencës dhe nëpërmjet krijimit e angazhimit të rrjetit europian e rajonal të bashkëpunëtorëve.

Më tej, gjatë kësaj seance, dr. Lorenzo Maggioni (Sekretar ekzekutiv i ECPGR) dhe dr. Miloš Faltus (kryetar i grupit të punës për kriokonservimin në ECPGR) theksuan domosdoshmërinë e krijimit të bashkëpunimeve të kësaj natyre dhe rëndësinë e përfshirjes së teknikave të ruajtjes afatgjatë nëpërmjet kriokonservimit të gjermoplazmës bimore autoktone.
Në takim mbajtën referime dhe palët partnere: dr. Darko Jevremovic dhe dr. Tatjana Vujovic nga Serbia, dr. Zvjezdana Markovic nga Kroacia dhe dr. Tekle Zakalashvili nga Gjeorgjia.
Për palën shqiptare u pasqyrua një panoramë e plotë mbi zhvillimet në bioteknologjinë bimore in vitro dhe aplikimet më të fundit me qëllim ruajtjen afatgjatë nga akad. Efigjeni Kongjika dhe prof. dr. Valbona Sota, të cilat veçanërisht theksuan dhe mbështetjen e ASHSH-së në mbarëvajtjen e këtyre nismave të reja shkencore për vendin tonë.
Organizimi i këtij takimi në Shqipëri zyrtarizon zbatimin e projektit, duke vendosur një bazë të përbashkët pune për të gjithë partnerët.