U mbajt forumi ndërkombëtar “Arkitektura e peizazhit në Shqipëri: sfida dhe potenciale”
Veprimtaria u zhvillua më 26 qershor 2025 me pjesëmarrjen e studiuesve dhe ekspertëve të arkitekturës së peizazhit e disiplinave të afërta nga Shqipëria, Italia, Hungaria, Greqia dhe Rumania.
Organizatore dhe ideatore e këtij forumi është Njësia e përkohshme e kërkimeve gjeografike, pjesë e Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Departamentin e Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit dhe Shoqatën e Arkitektëve të Peizazhit të Shqipërisë.
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, përshëndeti pjesëmarrësit e forumit në emër të Kryesisë së ASHSH-së dhe falënderoi për kontributin në këtë veprimtari veçanërisht presidenten e Federatës Ndërkombëtarë të Arkitektëve të Peizazhit, IFLA, prof. Katerina Gkoltsiou-n; sekretaren e përgjithshme të IFLA-s, dr. Diana Lavinia Culescu-n, prof. Giulio Senes-in, Universiteti i Milanos; Abertt Fekete-n, Universiteti i Shkencave të Jetës e Bujqësisë, Budapest, si dhe arkitektin Guust Selhorst-in, themeluesin e drejtuesin e të parës studio të arkitekturës së peizazhit në Shqipëri (JESHILE Landscape Design), si dhe institucionet mbështetëse: ASHSH-në, Universitetin Bujqësor të Tiranës etj, të cilat japin ndihmesën për konsolidimin e këtij drejtimi të ri të studimeve shkencore shqiptare. Ai theksoi se forumi i sotëm nuk është thjesht një ngjarje akademike. Këtu duhet të fillojnë përpjekjet serioze për një dialog ndërdisiplinor për ndërtimin e një vizioni të përbashkët dhe për nxitjen e politikave afatgjata, që e vendosin arkitekturën e peizazhit në qendër të zhvillimit bashkëkohor dhe të qëndrueshëm të vendit.
Më pas përshëndeti prof. dr. Perikli Qiriazi, drejtuesi i Njësisë së kërkimeve gjeografike, pjesë e ASHSH-së. Ai tha se forumi synon që nëpërmjet diskutimeve, argumenteve dhe qasjeve ndërdisiplinore të analizojë problemet komplekse të fushës së re studimore të arkitekturës së peizazhit në Shqipëri, për të gjetur pika takimi midis gjeografisë e shkancave të tjera me arkitekturën e peizazhit dhe, mbi këtë bazë, të ndërtohen projekte të përbashkëta për të zgjidhur problemet dhe sfidat e mëdha, me të cilat përballen vendbanimet, peizazhet natyrore të degraduara apo të dezertifikuara aq të shumta në vendin tonë.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe presidentja e IFLA-s, prof. dr. Katerina Gkoltsiou, e cila e vuri theksin tek roli që luan arkitektura e peizazhit për luftimin e ndryshimeve dhe sfidave klimatike.
Forumi u drejtua nga prof. dr. Zydi Teqja dhe seancat u moderuan nga prof. dr. Bilal Draçi, prof. asoc. dr. Gjok Vuksani, prof. dr. Zydi Teqja, prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri.
Përmes 10 punimeve shkencore të paraqitura në këtë forum nga referuesit prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri; prof. dr. Perikli Qiriazi; prof. dr. Dhimitër Doka; prof. asoc. dr. Ermir Hoxha; dr. Artan Hysa; prof. dr. Zydi Teqja; arkitekti Kreshnik Merxhani; prof. dr. Katerina Gkoltsiou, prof. Giulio Senes; prof. dr. Albert Fekete; arkitekti Guust Selhorst u trajtua një spektër i gjerë temash.
Referuesit u përqendruan në historinë e arkitekturës së peizazhit në Shqipëri; detyrat e arkitekturës së peizazhit në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave urbane dhe vlerësimin e burimeve të peizazhit natyror dhe kulturor, vjeljen përvojave nga vendet e tjera europiane, sfidat dhe potencialet e arkitekturës së peizazhit në Shqipëri, si dhe strategjitë më të mira për të promovuar arkitekturën e peizazhit në Shqipëri etj.
Në fund u bënë diskutime të hapura rreth referateve të mbajtura dhe miratimi i dokumentit përfundimtar.