Turizmi në epokën digjitale: Shqipëria drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe teknologjike!

Sot ne 24 mars 2026, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua forumi kombëtar me temën: “Turizmi në epokën digjitale: Edukimi dhe zhvillimi i aftësive për një të ardhme të qëndrueshme në Shqipëri”. Ky aktivitet u organizua nga Komisioni i përhershëm i ekonomisë në bashkëpunim me Komisionin e Përhershëm të matematikës dhe informatikës, duke bërë bashkë kërkues shkencorë, akademikë dhe ekspertë të industrisë.
Forumi “Turizmi në epokën digjitale” u organizua dhe u moderua nën drejtimin e akad. Anastas Angjelit, kryetar i Komisionit të Përhershëm të Ekonomisë dhe prof. dr. Klodiana Goricës. Angazhimi i tyre ishte kyç në bashkërendimin e forcave midis dy komisioneve të Akademisë së Shkencave, duke krijuar një platformë që nxit bashkëpunimin ndërinstitucional dhe dialogun midis kërkimit shkencor dhe nevojave reale të tregut.
Ky forum shërbeu si një platformë unike bashkëpunimi, duke bërë bashkë autoritetet më të larta të akademisë dhe institucioneve kyçe në vend. Diskutimet mblodhën përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), e cila u vlerësua si një mbështetëse kryesore e kërkimit shkencor përmes financimit të projekteve që lidhin shkencën me praktikën. Pjesë e tryezës ishin gjithashtu kërkues shkencorë dhe ekspertë të shumtë, përfaqësues të Universitetit të Tiranës, Universitetit Mesdhetar, nga industria e turizmit dhe hotelerisë, si dhe drejtues të institucioneve publike, si Muzeu Kombëtar, duke krijuar një dialog gjithëpërfshirës mbi integrimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë në trashëgiminë dhe ekonominë tonë.
Konkluzionet kryesore të Forumit:
1. Mbyllja e hendekut të aftësive: Ekziston një nevojë urgjente për të adresuar diferencën midis arsimit akademik dhe kërkesave reale të industrisë së turizmit për aftësi digjitale (kompetencat SMART).
2. Ristrukturimi i kurrikulave: Analiza e dinamikave të tregut të punës duhet të shërbejë si bazë për përditësimin e programeve mësimore në universitete.
3. Inovacioni në trashëgimi dhe prodhim: Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për transformimin e muzeve dhe integrimin e sistemeve të qëndrueshme ushqimore lokale në ofertën turistike.
4. Bashkëpunimi trigjithësor: Suksesi i turizmit të qëndrueshëm varet nga dialogu i hapur dhe i vazhdueshëm midis akademisë, industrisë dhe institucioneve publike.
Shqipëria ndodhet në një moment kyç për të orientuar turizmin drejt një modeli konkurrues që shfrytëzon në plotësi potencialin e epokës digjitale.