Salvator BUSHATI
Fusha: Gjeofizikë
Salvatore Bushati (1949 – 2019). Inxhinier gjeofizikan, profesor, akademik. Kreu arsimin e mesëm në gjimnazin “Ismail Qemali” dhe u diplomua inxhinier gjeofizikan në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1970–1974). Punoi në Shërbimin Gjeologjik Shqiptar me detyrën inxhinier gjeofizikan. Kreu një sërë kualifikimesh pasuniversitare në Shqipëri dhe jashtë saj si në Universitetin “Pierre Marie Curie” dhe pothuaj në të gjitha vendet e Europës e më gjerë. Ka një karrierë të pasur shkencore, profesionale dhe pedagogjike. Në fillimet e para të veprimtarisë së tij ai drejton grupin kërkimor shkencor në studimet eksperimentale mbi mundësitë e përdorimit të metodave gjeofizike në kërkimin e mineralit të kromit në Shqipëri, duke vendosur bazat metodike gjeofizike, teorike dhe praktike të përdorimit të gravimetrisë e magnetometrisë në kërkimin e kromit (1974–1980), studime këto, që u konkretizuan me projektime e zbulime të shumta të kromit në Shqipëri. Në vitin 1981 krijon dhe drejton departamentin e kërkimeve krahinore gjeofizike dhe gjeokimike dhe ndërmerr kryerjen e disa studimeve, që kryheshin për herë të parë në Shqipëri. Gjatë viteve 1995–1999, drejton Qendrën e Kërkimeve Gjeofizike, Gjeokimike dhe të Mjedisit, të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke e fuqizuar atë në një institucion bashkëkohor të studimeve e kërkimeve aplikative e bazë.
Në vitin 1999 konkurron dhe punësohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, krijon dhe drejton një strukturë të re: Njësinë e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik e Inovacionit; më 2002 emërohet sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike; më 2008 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe më pas zgjidhet nga Asambleja e Akademisë, sekretar shkencor i saj (2009–2013) duke dhënë një kontribut të çmuar në këtë institucion. Në vitin 2010 zgjidhet anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve, Austri. Në vitin 2014 zgjidhet kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të ASHSH-së.
Gjatë veprimtarisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë Salvatore Bushati drejton dhe bashkëpunon në realizimin e shumë projekteve në kuadrin e programeve kombëtare, bilaterale e ndërkombëtare (me partnerë të Rrjetit të Akademisë së Shkencave në Europë – ALLEA; të Botës – IAPartnership e TWAS; të institucioneve prestigjioze si CNR – Itali; rrjetit të universiteteve italiane – CONISMA etj.), në vitet e fundit në “Studimin e Liqenit të Shkodrës dhe Bunës”; në projektimin e Qendrës Ndërkombëtare të Shkencave Detare – CISM; në realizimin e projektit europian madhor “Studimi hidrogjeologjik, hidrologjik dhe hidraulik të Liqenit të Shkodrës në sistemin ujor Drin – Moraça – Liqeni i Shkodrës – Lumi Buna”, në kuadër të programit IPA.
Fushat shkencore të kompetencës së veprimtarisë së Salvatore Bushatit në shkencat e tokës dhe ato gjeofizike janë: inxhinieri gjeofizike (prej 1974); aplikimi i metodave matematikore në përpunimin e të dhënave dhe interpretimin e informacionit me anë të kompjuterit, krijimi i programeve të algoritmit për këto qëllime (prej 1972); aplikimi dhe baza e studimeve mbi metodat e reja gjeofizike, si graviteti dhe magnetizmi (prej 1974) dhe ajo e mikrorilevimeve magnetike (prej 1975) në zbulimin e vendburimeve minerale, të kromit e bakrit; studimet rajonale gjeofizike të gravitetit (prej 1980); studime rajonale gjeofizike magnetike (prej 1981); zgjerimi i fushës së aplikimit të metodave gjeofizike në kërkimin e kromit, bakrit, asbestit, boksiteve, mineraleve të rënda, të rralla e të çmuara; në studimin në fushën e inxhinierisë gjeologjike dhe hidrogjeologjisë; me aplikimin e gravitetit dhe metodat magnetike (prej 1980); rrjeti magnetik i Shqipërisë (prej 1987); kartografimet magnetike (të detajuara prej 1975 dhe ato rajonale prej 1978); rrjeti gravitacional i Shqipërisë (prej 1988); kartografimet gravimetrike (të detajuara prej 1974 dhe ato rajonale prej 1978); studime paleomagnetike (prej 1992); studime gjeotermike (prej 2001). Gjithashtu ai ka kontribuuar në hartimin e politikave në shkencë, teknologji e inovacione, si programe shkencore;programe kombëtare për kërkim-zhvillim e inovacion; strategji të kërkimit e të arsimit të lartë; metodologji e ekspertiza mbi politikat dhe veprimet në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm; strategji për RTD&I (kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare); raporte shkencore kombëtare; hartim dhe menaxhim i projekteve; politika mjedisore e monitorime.
Salvatore Bushati është autor dhe bashkautor i më se 29 librave, monografive e teksteve mësimore, autor i “Rrjetit gravimetrik shqiptar” (1986); i “Hartës së gravitacionit të Shqipërisë, 1:200000” (1988); i “Rrjetit magnetometrik shqiptar” (1996); i “Hartës së anomalisë së fushës magnetike të Shqipërisë, 1:200000” (1998); bashkautor ndërkombëtar i “Hartës gravimetrike të Europës (1990)” dhe i “Hartës magnetike të Europës (1999)”, e shumë studimeve me ndikim teorik e praktik. Gjithashtu veprimtaria e gjerë shkencore e tij pasqyrohet në mbi 200 artikuj shkencorë të shqyrtuar nga borde shkencore, të botuar jashtë e brenda vendit; pjesëmarrës në mbi 150 veprimtari shkencore; 90 studime e projekte; mbi 50 organizime shkencore ndërkombëtare e aktivitete të tjera të botuara; 14 pozicione akademike e dhe 55 anëtarësime në rrjetet akademike, institucione shkencore e borde këshillimore (27 institucione të huaja dhe 28 brenda vendit), një numër i madh publikimesh në medien e shkruar e televizive. Kryeredaktor i bordit editorial të revistës “Journal Natural and Technical Sciences” (JNTS of ASA, ISSN 20174-867); anëtar i bordit editorial të “Journal of Agriculture and Animal Production Science for Rural Development” (ASA & BLEKALB Foundation, ISSN 2224-7718), i “World Geomagnetic Bulletin”, Australi; i “Dialogo Oggi” (Istituto Cattolicc delle Scienze delle Attivita Sociali e Educative Anton Luli), Albania.
Për kontributin e tij ai është vlerësuar me Medaljen e Punës: “Për veprimtari të shquar në përpilimin e hartave gjeofizike për Hartën e re Gjeologjike në shkallë 1: 200000 (1984); Diskun e Artë: “Për kontribut të veçantë në shkencën dhe shoqërinë ndërkombëtare”, përzgjedhur nga Bashkësia e Shkencave të Tokës, SHBA (1996); Medalje për kontributin në Simpoziumin I Ndërkombëtar të Studimeve të BSEC-ut (6-7 maj, 2005); Medalje “For the Precious Collaboration”, nga profesorati i Institute of Research and Environmental Didactic” (Ireda, Naples – 21 prill 2011). Gjithashtu, Salvatore Bushati mban një patentë europiane në drejtim të “Polyparametric Sensor to Monitor, in real time, the Quality and the Quantity of the Pollution in Water Systems”. (Organizata Publike Greke e Pronësisë Industriale, prill 2008 si një produkt i projektit: “Development of an Innovative Monitoring Tool for the Quantitative and Qualitative Assessment of the Pollutants at the Agricultural Land of the Shkumbini river side, Lushnja District, in Albania”, realizuar në kuadër të Programit Bilateral në Shkencë dhe Teknologji, Greqi–Shqipëri, 2006–2008).
Veprat kryesore
Studimi gravimetrik krahinor i Shqipërisë, 1988.
Gravity Map of Albania, 1994.
Studimi i fushës gjeomagnetike i Shqipërisë, 1998.
Unification of Gravity and Magnetic Maps of Albania, Greece and other Balkan Countries, 1993.
The first Magnetik Map of Albania,1997.
Quantification of Present Days Tectonic of Albania, 2007.
Gjeofizika e zbatuar në shkencat e Tokës, pjesa e parë, 2012 (bashkautor).