Qendra për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor pranë ASHSH-së nisi ciklin e parë të trajnimeve për specialistët e rrjetit të bibliotekave të Shqipërisë të përfshira në sistemin COBISS
Në datën 7 prill 2025 Qendra për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH) në Akademinë e Shkencave nisi ciklin e parë të trajnimeve për specialistët e rrjetit të bibliotekave të Shqipërisë të përfshira në sistemin COBISS.

Trajnimet do të vijojnë në disa faza përgjatë vitit dhe janë rezultat i marrëveshjeve të bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave, institucioneve të arsimit të lartë (I.A.L.) dhe bibliotekave publike me vizion digjitalizimin dhe përhapjen e informacionit shkencor dhe akademik.
Në fazën e parë marrin pjesë drejtues dhe specialistë të bibliotekave shkencore, universitare, publike dhe speciale nga Tirana, Vlora, Korça, Shkodra, Durrësi, Berati etj.
Trajnimi synon kualifikimin e domosdoshëm të bibliotekarëve si specialistë të informacionit përmes përdorimit të sistemit COBISS.AL https://al.cobiss.net/ dhe integrimit të veprimtarisë kërkimore në sistemin ECRIS.AL https://cris.cobiss.net/e-cris/al/sq
Module të veçanta do të përfshijnë digjitalizimin e njësive bibliografike në platformën dCOBISS dhe qasjen në informacion përmes elementeve që ndërthurin koncepte dhe metoda inovative të lidhura edhe me inteligjencën artificiale (shih linkun: https://plus.cobiss.net/cobiss/al/sq/bib/search/advanced…).

Ky proces është sfidues për të gjithë sistemin e informacionit shkencor në Shqipëri për zbatimin e standardeve ndërkombëtare që lidhen me rankimin e prurjeve shkencore.
Në trajnim marrin pjesë dhe punonjëset e reja të stafit të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave pas riorganizimit të saj, në mbështetje të kërkimit shkencor, me fokus digjitalizimin e veprimtarisë botuese, transparencën dhe vlerësimin në platforma ndërkombëtare.

Në përfundim të trajnimeve, pjesëmarrësit do të pajisen nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me licensat përkatëse. Ky është kusht i domosdoshëm për përdorimin e këtij programi dhe ndërveprimin midis bibliotekave në nivel kombëtar dhe në rajon.