Përurohet libri “MIGRIMI I VARFËRISË”

Punimi i akad. as Kosta Barjaba: “Migrimi i varfërisë”, botim i Akademisë së Shkencave, u përurua dje me daten 12 nentor 2015 në sallen Ovale te Pallatit te Kongreseve ne kuader te Panairit te 18-te të Librit Tirana 2015, në prani të shumë studiuesve, akademikëve e profesorëve, kolegë të autorit.
Ky libër nuk është i pari ku profesor Barjaba prek çështjet e varfërisë dhe të mirëqenies, pasi ai vjen pas dy forumeve të mbajtura prej tij mbi varfërinë, të organizuara nga Akademia e Shkencave. Nga gjashtë probleme të lidhura me mirëqenien, të cilat diskutohen në këtë libër: zhvillimi ekonomik, varfëria, papunësia, arsimi, pensionet dhe migrimi, në titull janë vendosur vetëm dy prej tyre: varfëria dhe migrimi.
Studimet dhe botimet e Kosta Barjabës janë origjinale dhe interesante edhe për një arsye tjetër. Ai ka depërtuar në disa zona të pashkelura të studimeve për realitetin shqiptar, ku ndërthuren me njëra-tjetrën ekonomia dhe disa shkenca shoqërore. Në problematikat e zhvillimit ekonomik, ai zbulon përmbajtjen e tyre sociale dhe po me të njëjtën finesë, në problematikat e zhvillimit social zbulon thelbin e tyre ekonomik. Shoqëria, por edhe shkencat tona shoqërore, kanë nevojë për kërkime, të cilat ndriçojnë natyrën komplekse të vështirësive të jetës dhe ofrojnë rekomandime të mençura për zgjidhjen e tyre.
Këto vlerësime për këtë botim janë bërë si në parathënien e prof. Ardian Civicit, ashtu edhe në diskutimet që u bënë gjatë përurimit të librit, prej prof. Selami Xhepës, zv.ministres së Arsimit dhe Sportit znj. Nora Malaj dhe prej akad. Vasil S. Toles, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave. Këto forume synojnë të bëhen preokupim jo vetëm i publikut dhe i shoqërisë, por edhe i komunitetit shkencor, që varfëria të mos mbetet një çështje vetëm e të varfërve.