Prezantim i librit Arbërit e Jonit, i profesor Pëllumb Xhufit, fitues i çmimit Çabej, në edicionin e I të konkursit shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuar në sallën “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave. Përmes një ligjërate shumë interesante, autori, prof. Pëllumb Xhufi bëri prezantim të hollësishëm të monografisë mbështetur në burime të reja, të pakëshilluara deri më sot, kryesisht perëndimore. 1440 faqe, ky studim voluminoz rrëfen Shqipërinë joniane gjatë shekujve 15, 16 e 17. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin. Prof. Xhufi vuri në dukje edhe përpjekjet e mëdha për të hulumtuar në arkivat e Venecies, të cilat kanë një material të bollshëm, që do të kërkonin një kohë dhe një numër të konsiderueshëm historianësh. (30 maj 2017)