Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin universitar “Reald” të Vlorës
– Marrëveshja u nënshkrua nga akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave, dhe prof. Spiro Çaushi, Rektor i kolegjit universitar “Reald”
– Të pranishëm anëtarë të Asamblesë, përfaqësues të kolegjit universitar “Reald”, drejtues të institucioneve publike e jopublike të arsimit të lartë.
Akad. Gjinushi theksoi se Akademia e Shkencave, në bashkëpunimin me institucionet akademike-universitare, nuk kufizohet vetëm me universitetet publike, por gjen hapësira bashkëpunimi edhe me ato jopublike.
Në rastin konkret, tha ai, bashkëpunimi përfshin tri fusha prioritare: mjekësinë, ekonominë dhe biologjinë. Komisionet e përhershme të këtyre fushave në ASHSH dhe fakultetet gjegjës në “Reald” mund të bashkëpunojnë drejtpërsëdrejti, në kuadër të projekteve dhe nismave të tjera dypalëshe, për çështje të karakterit rajonal e kombëtar, si shëndeti publik, mjedisi, turizmi, shkencat e jetës.
Nga të pranishmit u theksua veçmas rëndësia e një projekti të përbashkët për vlerësimin e rrezikut të pranisë së merkurit në ujërat bregdetare në zonën industriale të Vlorës, të ndotura në nivele të larta pas shkatërrimit të industrive të vjetra të sodës etj. Një traditë bashkëpunimi për këtë ekziston. Por tani mund të kalohet në fazën e rekomandimit të masave të dezaktivizimit të mbetjeve të tij në vijën bregdetare.
Drejtuesit e dy institucioneve paraqitën misionin dhe strukturat e tyre dhe mundësitë konkrete për bashkëpunim, që përfshin: pjesëmarrje në veprimtaritë shkencore të njëra-tjetrës, shkëmbim botimesh dhe informacioni shkencor, lehtësim aplikimesh për projekte, së bashku dhe me palë të treta; pjesëmarrje të akademikëve në hartimin e programeve universitare dhe mbajtjen e ligjëratave të hapura prej tyre.