Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi veprimtarinë shkencore jubilare kushtuar poetit akademik Xhevahir Spahiu në 80-vjetorin e lindjes
Më 4 mars 2025 Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, zhvilluan veprimtarinë shkencore jubilare “Xhevahir Spahiu në 80-vjetorin e lindjes”.
Kjo veprimtari u zhvillua me praninë e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, zëvendëskryetarit të ASHSH-së akad. Vasil Tole, sekretares shkencore të ASHSH-së akad. Anila Hoda, kryetarëve të seksioneve të ASHSH-së, studiuesve dhe kritikut të letërsisë akad. Ali Aliut (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës), prof. dr. Eqrem Bashës (ASHAK), drejtuesve të instituteve dhe qendrave shkencore të ASHSH-së etj., si dhe miqve e familjarëve të poetit akademik Xhevahir Spahiu.
Akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pasi shprehu urimet për 80-vjetorin e akad. Xhevahir Spahiut, ai vuri në dukje vlerat më të spikatura të tij si poet dhe akademik, i cili përbën një aset të veçantë për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Akad. Hoxha theksoi se ky vit, përveç datëlindjes jubilare, shënon mbi gjysmë shekulli të krijimtarisë letrare poetike të Xhevahir Spahiut. Ai krijoi një individualitet emblematik duke shkruar për kompleksitetin e historisë shqiptare, të kulturës dhe identitetit të saj, me rrënjët nga lashtësia e deri në aktualitetin e trazuar, gjithmonë duke iu referuar temës së lirisë dhe përpjekjes për të mbrojtur njerëzoren dhe të bukurën. Zëri i tij poetik mbetet dëshmi e fuqisë krijuese, që beson te forca e fjalës, beson në shpirtin e një kombi, por edhe tek ajo që e bashkon këtë komb me universalen e njerëzimit. Më tej ai foli për rezonancën e veprës së akad. Spahiut në letërsinë botërore dhe veçoi disa nga vlerësimet më thelbësore të kritikës.
Akad. Hoxha ia dha fjalën akad. Ali Aliut, studiuesit dhe kritikut të njohur të letërsisë. Akad. Aliu tha se Xhevahir Spahiu është poet në 24 orët e ditës. Ai ka një ndjesi të madhe për gjuhën dhe në këtë pikë qëndron mbi të gjithë poetët. Xhevahir Spahiu e konsideron fjalën si diçka të gjallë e të shenjtë. Ai ka lënë një gjurmë të veçantë në letërsinë shqipe, që njihet si fjala dhe vargu i Xhevahirit.
“Xhevahir Spahiu është Lorka i poezisë shqipe”, -tha në fund të fjalës së tij përshëndetëse akad. Ali Aliu.
Më pas ceremoninë e përshëndeti kryetari i shoqatës “Tomorri” z. Nuri Çuni, i cili i dorëzoi një dekoratë nga Kryegjyshi Botëror Bektashian, Baba Mondi, në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për bektashizmin dhe për poezinë e tij të mrekullueshme për Malin e Tomorrit dhe trevat rreth tij.
Veprimtaria vijoi më tej me 4 kumtesa akademike për veprën e akad. Spahiut.
Studiuesi dhe kritiku i letërsisë prof. dr. Bashkim Kuçuku mbajti kumtesën me temën “Koha e patejkalueshme e poezisë”. Ai e vlerësoi fillimisht poetin për rebelizmin e tij si poet e qytetar në vitet më të vështira për letërsinë shqipe, ‘70-’90, i cili e ka të mishëruar lirinë te fjala. Ai e cilësoi Xhevahir Spahiun si një poet me një shprehje të fuqishme metaforike, që ka sjellë risi në poezi dhe ka ngritur një sistem metaforash, të cilat në stilistikën e letërsisë shqipe konsiderohen si një megaforë e hapur, e vijueshme dhe koherente. E plotësuar nga vëllimi në vëllim, dukshëm, e dallueshme nga megaforat dhe megasimbolikat e autorëve të tjerë bashkëkohës, ajo përbëhet nga konstante motivesh figurative të përsëritshme, të cilat, duke u riaktivizuar dhe rishpërfaqur në kontekste të ndryshme, pasurojnë radhazi kuptime dhe domethëniet e tyre. Në kumtesën e tij, prof. dr. Kuçuku solli shembuj nga zbulesat stilistike, shoqëruar me vargje të zgjedhura të poetit.
Prof. asoc. dr. Viola Isufaj mbajti kumtesën me temën “Vetëdija letrare e Xhevahir Spahiut përkundrejt shformimeve të metodës socrealiste”. Ajo theksoi se Xhevahir Spahiu ka hyrë në poezinë shqipe me energji tërësisht individuale, me sinqeritet siu generis dhe kreativitet. Udhën po ia çelte një intuitë e fortë poetike, me të cilën do të vinte jo vetëm për të marrë vendin e tij në poezinë shqipe, por edhe për ta pasuruar madje, deri dhe për t’ia ndryshuar larushinë fytyrës së poezisë shqipe. Kjo është një linjë e re e një brezi të rinjsh – me prirje kah modeli europerëndimor i vargëzimit, figuracionit dhe strukturës poetike.
Ajo foli më tej për sfidat e poetit, vështruar në marrëdhënie komplekse me trashëgiminë krijuese, krijimin e një zëri origjinal në letërsinë shqipe me ligjërimin poetik, leksikun, motivet dhe psikologjinë e heroit lirik, dhe më tej me realizmin socialist, ku krijoi një poezi me një ngarkesë të thellë filozofike e letrare.
Dr. Virion Graçi mbajti kumtesën “Nesër jam aty –premtimi i përmbushur i poetit Xhevahir Spahiu”. Ai tha se Xhevahiri, i përfshirë ndershmërisht me problematikat shoqërore, me lëvizjet kulturore, u diferencua vetiu nga poetët minorë e pragmatikë; kryelartë, ndoqi yllin e tij të fatit, rrugën e rrezikshme të sinqeritetit, të shqiptimit të unit lirik për t’u madhëruar si poet. Më tej ai nënvizoi disa tipare të profilit poetik të Xhevahir Spahiut, si: retorika e lartë e tribunizmi – jo të lidhura me epikën, me materialen, por retorikë e lartë, duke luajtur me figurat, me përfytyrimet, me simbolet e analogjitë; retorika ngjizet me frymë metafizike, shtron mëdyshje etike, funksionon si përsiatje filozofike; forma grafike e organizimit të ligjërimit poetik, të poezisë, që, thënë ndryshe, i ngjan një orteku ndjenjash, mendimesh, përfytyrimesh tokësore a kozmike, që duhen perceptuar sipas vizionit të krijuesit dhe karakteri polemizues e predikues, të cilin Graçi e përcaktoi si një tipar që spikat në poezitë me tema shoqërore-historike, nga dramat e etnisë dhe kur vizaton me vargje persona të përveçëm, por dhe poezi me fabul nga jeta e përditshme qytetare. Janë shprehje malli, mungesash, keqardhjesh, më shumë sesa çështje të kalueshme, rastësore.
Prof. dr. Aristotel Spiro mbajti kumtesën “Sublimiteti i shprehjes poetike dhe fisnikërimi i gjuhës shqipe”. Ai tha se Xhevahir Spahiu është një nga pikat kulmore të letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij, ashtu si te Lasgush Poradeci apo te Kostandin Kavafisi (krahasime që gjithsesi mund të qëndrojnë veç së jashtmi), përbëhet nga poezi më të vogla, të cilat lexohen brenda disa çastesh, por fuqia e përfytyrimit artistik ngulitet në mendje për të mos u fshirë më kurrë. Vepra e tij poetike është një mozaik i bukur i përbërë nga gurë të çmuar vargjesh e poezish, që lexuesit i mbajnë dhe i përdorin duke i bërë pjesë të jetës së tyre të përditshme.
Vargu i Xhevahir Spahiut ka hyrë në ndërgjegjen e shqiptarëve nëpërmjet disa mënyrave. Së pari, nëpërmjet zgjedhjes së lexuesve, të cilët e kanë vlerësuar dhe kërkuar poezinë e tij dhe e kanë bërë pjesë të domosdoshme të bibliotekave të tyre. Së dyti, nëpërmjet përfshirjes në tekstet shkollore, poezia e tij bëhet pjesë e edukimit sistematik të një populli të tërë. Së treti, nëpërmjet këngës së kultivuar e popullore shqiptare. Mjaft poezi të Xhevahir Spahiut kanë shërbyer si lirika për të frymëzuar disa nga këngët më të njohura të traditës muzikore shqiptare, kompozuar nga emra të fuqishëm të muzikës së lehtë. Së katërti, nëpërmjet përkthimit të poezisë së tij në gjuhë të huaja, vargu i Xhevahir Spahiut udhëton nëpër botë, duke përfaqësuar nga njëra anë denjësisht poezinë shqipe, dhe nga ana tjetër duke u bërë pjesë e trashëgimisë poetike botërore (poezia e tij është përkthyer në gjuhën angleze, frënge, gjermane, spanjolle, italiane, holandeze, maqedonase, turke, ruse, greke, rumune, arabe, japoneze, kineze, kroate, hebraike etj.).
Më tej ai foli për elemente kyçe të stilit letrar të Xhevahir Spahiut, si: muzikaliteti i vargut, integrimi i imazheve të natyrës si mjete të ndërgjegjësimit poetik dhe filozofik, dialogët e ndërlikuar mes individit dhe shoqërisë, disiplina gjuhësore dhe përkushtimi ndaj një poetike të reflektuar e të angazhuar etj.
Veprimtaria vijoi me recitime nga poezitë e zgjedhura të poetit Xhevahir Spahiu, interpretuar nga aktorët Erjona Kakeli dhe Kastriot Ramollari.
Në ceremoninë e 80-vjetorit të poetit u bë edhe një përshëndetje me dy pjesë muzikore me flaut nga instrumentistja Majlinda Spiro. Ajo interpretoi dy vepra, “Les Folies d’Espagne” të Marin Marais-së dhe “Dy skicat” të kompozitorit akad. Vasil Tole, që sjellin motive të muzikës shqiptare në një gjuhë moderne, duke ruajtur energjinë dhe shpirtin e tyre autentik.
Akad. Xhevahir Spahiu shprehu falënderime të përzemërta për Kryesinë e Akademisë së Shkencave, organizatorët dhe të pranishmit për zhvillimin e kësaj ceremonie. Në mbyllje të veprimtarisë, Orgesi, djali i poetit Xhevahir Spahiu, falënderoi të gjithë organizatorët dhe shprehu vlerësimin për të atin poet, shoqëruar me mirënjohjen që u rrit me praninë dhe frymën e poezive të tij. Ai recitoi disa nga vargjet e përzgjedhura të poetit.