Letër ngushëllimi
I nderuar akad. Mehmet Kraja,
Të dashur kolegë,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Salih Gashit, një prej figurave më të shquara të botës akademike dhe shkencore të Kosovës.
Akademik Gashi la pas një trashëgimi të pasur në fushën e kimisë fizike dhe kontribute të jashtëzakonshme në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Kosovë. Si studiues, profesor dhe udhëheqës shkencor, ai frymëzoi breza të tërë studentësh dhe kolegësh me përkushtimin, dijen dhe vizionin e tij.
Akademik Salih Gashi pati gjatë gjithë jetës së tij një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me kërkuesit edhe në Shqipëri, veçanërisht me profesorët e fushës së kimisë në Universitetin e Tiranës, që prej më shumë se pesë dekadash. Ai dha një kontribut të vyer në të gjitha aktivitetet e përbashkëta shkencore mes Seksionit të Shkencave të Natyrës të ASHAK-ut dhe Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ndër angazhimet më të spikatura të viteve të fundit, përmendet roli i tij si kryesues i Këshillit Organizues të Konferencës së përbashkët shkencore ndërkombëtare me temë “Ndryshimet klimatike, resurset ujore dhe trajtimi i ujërave të ndotura”, mbajtur në maj 2024 në bashkëpunim mes ASHAK dhe ASHSH. Po ashtu, akademik Gashi ishte pjesë e Këshillit Organizues të Edicionit të dytë të kësaj konference, që do të zhvillohet më 29–30 maj 2025 në Tiranë, me temë “Menaxhimi i integruar i ujërave për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit”.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kontributit të tij në bashkëpunimin mbarëkombëtar ishte angazhimi në projektin e Enciklopedisë Shqiptare, ku ai kontribuoi si redaktor i redaksisë së fushës së Mjedisit për Kosovën. Gjatë këtij projekti, akademik Gashi pati një bashkëpunim të shkëlqyer me redaksinë homologe të Shqipërisë, duke u dalluar për mirëkuptim, profesionalizëm dhe përkushtim të veçantë, dhe duke ndihmuar në forcimin e frymës së bashkëpunimit akademik ndërmjet dy akademive.
Në këto momente të dhimbshme, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e një akademiku të shquar dhe një njeriu të urtë. Ju lutemi t’i përcillni ngushëllimet tona më të ndjera familjes së akad. Gashi, kolegëve të tij në Universitetin e Prishtinës, si dhe gjithë bashkëpunëtorëve dhe miqve që patën nderin ta njohin dhe të punojnë me të.
Me respekt të thellë,
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Tiranë, 21 prill 2025