• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Koleksionet

Akademia e Shkencave e Shqipërisë boton një numër të madh monografish, veprash shkencore, si edhe periodikësh, duke mbuluar në këtë mënyrë një spektër të gjerë të rezultateve të shkencës shqiptare në fushat humanitare, fizike e natyrore dhe shkencat e tjera të kryqëzuara.

Akademia e Shkencave çdo vit boton mesatarisht rreth 30 tituj shkencorë të fushave të ndryshme: në albanologji dhe shkenca natyrore. Pranë ASH-së funksionon Këshilli i botimeve i përbërë nga akademikë, profesorë e  specialistë  të fushave të ndryshme. Dosjet e botimit të paraqitura pranë ASh-së, shqyrtohen e u nënshtrohen procedurave të recensionimit nga specialistët përkatës, në përputhje me Rregulloren e veprimtarisë botuese të Akademisë së Shkencave. Këshilli i botimeve, sipas rregullores, përzgjedh për botim veprat më cilësore.

Veprat përfaqësuese të botuara deri më sot (rreth 700 tituj) nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, mbeten pika referimi të sigurta dhe maten me nivele të përparuara të rajonit e të kontinentit për çështje thelbësore dhe kyçe të historisë, gjuhës, traditës dhe, në përgjithësi, të kulturës sonë kombëtare. Fjalori i Gjuhës së Sotme shqipe, Gramatika e Gjuhës Shqipe, Historia e Popullit Shqiptar, Historia e Letërsisë Shqiptare, Atlasi Klimatik i Republikës së Shqipërisë, Flora e Shqipërisë, Rajonizimi Sizmik i RPSSH, Harta Gjeologjike e Republikës së Shqipërisë, Gjeografia Fizike e Shqipërisë etj., janë fryt i një pune të gjatë dhe mbajnë firmat e personaliteteve më të njohura të shkencës shqiptare.

Në programin e botimeve një vend të shenjuar zënë periodikët: Deri në vitin 2007 Akademia me institutet e saj botonte disa periodikë: Studime filologjike, Studia Albanica, Studime historike, Iliria, Candavia, Studime Biologjike, Studime Gjeografike, Çështje të Folklorit Shqiptar, Kultura Popullore etj. Sot ajo boton dy periodikë në gjuhë të huaj, ku përfshihen artikuj, studime, rezultate konferencash dhe simpoziumesh kombëtare dhe ndërkombëtare për çështje të ndryshme me interes shkencor dhe praktik: Studia Albanica, revistë gjashtëmujore, ku botohen artikuj nga fushat gjuhës, letërsisë, historisë etj., dikur në gjuhën frënge dhe tashmë në gjuhën angleze; AJNTS – Albanian journal of Natural and Tecnichal Sciences, revistë 6-mujore në gjuhën angleze, (numri i parë i së cilës është botuar në vitin 1996), e cila mbulon të gjitha fushat e shkencave natyrore-teknike.

Në vitin 2008, panë dritën e botimit tri vepra:

Fjalor Enciklopedik Shqiptar (në tri vëllime)
Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe
Harta Arkeologjike e Shqipërisë
STUDIA ALBANICA
JNTS (JOURNAL OF NATURAL AND TECHNICAL SCIENCES)