Ditëlindja jubilare e akademikut Rexhep Meidani

Në 80-vjetorin e lindjes, në jubileun e një jete të mbushur me veprimtari intensive e të pandërprerë shkencore dhe qytetare; Kryesia e Akademisë së Shkencave i uron akademikut Rexhep Meidani, anëtar i Asamblesë së saj prej më shumë se dy dekadash; figurë e shquar e shkencës në Shqipëri, përfaqësues referencial i brezit të fizikanëve që u formuan në universitete perëndimore dhe modernizuan programet, mësimdhënien e përgjithësisht jetën universitare në Shqipëri në vitet 1980, duke reformuar e duke i dhënë arsimit të lartë karakter bashkëkohor; me kontribute të njohura e të mirëvlerësuara në disa nëndisiplina të fizikës; autor monografish dhe tekstesh universitare me të cilat janë formuar e vazhdojnë të formohen brezat e rinj shqiptarë përgjatë afro një gjysmë shekulli; me aktivitet pedagogjik të shtrirë brenda dhe jashtë vendit; personalitet që i kushtoi për afro tri dekada energjitë e tij intelektuale dhe vlerat e veta morale mirëqeverisjes shtetërore, duke kryer detyra dhe funksione shumë të larta në institucione kushtetuese, përfshirë atë të Presidentit të Republikës; i vlerësuar brenda vendit dhe në rrethet politikëbërëse të Perëndimit e të Botës për nisma e vendimmarrje me rëndësi thelbësore në momente kthesash e tronditjesh sociale, si periudha e ristabilizimit shtetëror pas “krizës së piramidave” dhe Konferenca e Rambujesë; i njohur për maturinë dhe drejtpeshimin në raportet ndërinstitucionale; i cilësuar si personalitet që arriti të rikthejë institucionin e Kryetarit të Shtetit në pozicionin e vet kushtetues dhe që pati e ka ndikim në përpunimin e mendimit kombëtar në shekullin e ri; përfaqësues i Shqipërisë në institucione ndërkombëtare dhe zë i respektuar në mjediset e tyre; me veprimtari botuese të lakmueshme në shkencat e sakta dhe në kahjen politologjike të jetës së tij, bazuar në njohjen teorike dhe përvojën vetjake drejtuese; figurë e dashur dhe e afërt për qytetarët; fitues i nderimeve dhe mirënjohjeve shkencore e qytetare në shumë vende të rajonit dhe Europës; anëtar në akademi shkencash, “doctor honoris causa” dhe “invited professor”; ligjërues e drejtues studimesh pasuniversitare.
Jetë të gjatë akademik Rexhep Meidani, shëndet të mbarë, veprimtari kërkuese e botuese cilësore të mëtejshme.
Disa nga titujt e botimeve të akad. Rexhep Meidanit (të tjerë me ilustrime):
1. “Mbi ndërtimin e botës”;
2. “Ndikime filozofike të paradigmës ajnshtajniane”;
3. “Fizika moderne” (bashkautor);
4. “Mbi hapësirë-kohën”;
5. “A është deterministe teoria kuantike?”, bot. ASHSH;
6. “Të vërtetat dhe të fshehtat e entropisë”;
7. “Rëniet-ngritjet e demokracisë”;
8. “Mbi qeverisjen”, I-II;
9. “Beteja për votën”;
10. “Kushtetuta: bilanci dhe perspektiva”;
11. “Las trampas del Estado-nacion;
12. “Politika in vivo – in vitro”;
13. “Kurthet e shtetit-komb”;
14. “Kontratë me vetveten”;
15. “Politika, morali dhe shteti”;
16. “Jus Gentium”;
17. Globalizimi, integrimi dhe kombi shqiptar”;
18. “Të vërtetat e të fshehtat e entropisë”.