Ceremoni e dorëzimit të diplomave dy anëtarëve të jashtëm të Akademisë - dr. Gëzim Alpion e dr. Lulzim Tafa
Në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave për dorëzimin e diplomave të pranimit si anëtarë të jashtëm të saj dr. Gëzim Alpion dhe dr. Lulzim Tafa ishin të pranishëm Kryetari akad. Skënder Gjinushi, anëtarë të Kryesisë, akademikë e studiues, diplomatë, ministra e deputetë të mëparshëm.
I pranishëm imzot Frendo, arkipeshkv i Tiranës e Durrësit; përfaqësues të qeverisjes vendore të Dibrës, studiues e miq nga Kosova e MV.
Veprimtarinë e hapi akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave. Ai tha se në mbledhjen e datës 22 prill 2024, me vendimin nr. 43, Asambleja e ASHSH pranoi në radhët e anëtarëve të jashtëm të saj disa personalitete të dijes dhe letrave shqipe, dy prej të cilëve kemi nderin dhe kënaqësinë të jenë të pranishëm në këtë sallë.
Në fjalën e tij akad. Sinani theksoi se Gëzim Alpion është autor i shtatë veprave monografike; i njohur si biografi më i besueshëm për Nënë Terezën, vepër e përkthyer dhe botuar mbi 15 herë; autor i 17 artikujve shkencorë dhe kritikë e i disa librave artistikë. Vepra të tij janë të recensionuara në më shumë se 100 raste. Alpion është profesor në Universitetin e Birmingham-it.
Dr. Lulzim Tafa njihet për veprimtarinë e tij botuese të pandërprerë prej më shumë se tri dekadash, me njé profil intelektual të spikatur në fushën e kërkimit shkencor; doktor i shkencave në drejtësi, i njohur dhe për veprimtarinë universitare dhe pjesëmarrjen qytetare. Lulzim Tafa është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe i Akademisë së Shkencave të Bosnjës.
Duke i uruar dy anëtarët e rinj për suksesin e tyre, akad. Sinani shprehu kënaqësinë për zgjerimin e radhëve të Akademisë me personalitete të këtij niveli dhe ftoi Kryetarin e ASHSH akad. Skënder Gjinushin për dorëzimin e diplomave. Tafa ka fituar çmime europiane në krijimtari (“Neruda”, “Eminescu”) dhe mirënjohjen e Presidentit të Francës “Ordre des artes e de literature”.
Akad. Gjinushi përshëndeti të pranishmit dhe ftoi profesorët Gëzim Alpion dhe Lulzim Tafa për t’u dorëzuar diplomat si anëtarë të jashtëm.
Anëtarët e rinj falënderuan Asamblenë e Akademisë së Shkencave për pranimin me votim si anëtarë të jashtëm dhe shprehën vlerësime për veprimtarinë e kësaj akademie.
Më pas, prof. Gëzim Alpion paraqiti leksionin e hapur me temë “Shenjtorja Nënë Tereza – ikonë globale e kombit shqiptar”.
Në këtë ligjëratë dr. Alpion e vlerësoi Nënë Terezën si figurë emblematike që u shndërrua në mishëruese të vlerave më pozitive të Njerëzimit. Ai theksoi se Nënë Tereza nuk është një rastësi. Sipas tij, personalitete të lartësisë së saj duhen studiuar në kontekstin e rrethanave personale dhe me sfondin etnik, nacional, fetar dhe kulturor me efekt brumues në jetën dhe aktivitetin e tyre.
Në fund, u bënë pyetje dhe diskutime rreth figurës së shenjtores Terezë me origjinë shqiptare.
Linku i ceremonisë: https://www.facebook.com/share/v/hDHH2C9TK89FZbJ2/