Bordi i drejtorëve të njësive afatgjata dhe të përkohshme mblidhet për të marrë vendime për akte rregulluese dhe riorganizime
Bordi i drejtorëve, pas diskutimit në tërësi dhe për çdo nyje, miratoi rregulloren e re për periodikët që boton Akademia e Shkencave dhe rrjeti i institucioneve pranë saj, si dhe për politikën editoriale të tyre.
Rregullorja u miratua më parë nga kryeredaktorët aktualë të periodikëve dhe koordinatorët e redaksive të tyre. Me miratimin e saj revistat shkencore do të kenë status konkurrues ndërmjet periodikëve shkencorë brenda dhe jashtë vendit.
Në përfundim projekti u miratua dhe u la një afat i shkurtër pritjeje për riformulime të mundshme në nene të veçantë.
Në vijim u raportua për veprimtarinë e grupeve të punës të ngritura me vendimin nr. 63 datë 26.6.2024 të Kryesisë për strategjinë e zhvillimit të kërkimit shkencor e ristrukturimin e instituteve të albanologjisë, si dhe plotësimet e amendimet e mundshme në Statut (kreu i shtuar për rrjetin e instituteve të albanologjisë). Në muajt e ardhshëm këto plotësime e amendime duhet të paraqiten për miratim përfundimtar në Asamble.
U bënë të njohura ndryshimet e propozuara për projekt-rregulloren e punësimit të personelit akademik sipas konceptit të paraqitur në mbledhjen e bordit të drejtorëve më 11 qershor 2024. Javën e ardhshme përfundon afati për pranimin e sugjerimeve. Ndërkohë, me rregullat e përkohshme që janë miratuar, ka nisur shpallja e konkurseve për vendet vakante në institute dhe faza e parë do të përfundojë brenda këtij muaji.
Bordi u informua për miratimin me vendim të Qeverisë të propozimit të Asamblesë për ngritjen dhe konstituimin e Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, në zbatim të VKM nr. 298 datë 15.5.2024. Qendra ka filluar veprimtarinë e saj sipas këtij vendimi dhe perspektiva është që edhe njësi të tjera të përkohshme të kalojnë në këtë status me akte nënligjore.
U kërkua pëlqimi i bordit për krijimin e laboratorit të restaurimit pranë ASHSH, në funksion të fondeve të arkeologjisë dhe antropologjisë.
Një informacion i detajuar iu paraqit bordit nga akad. Gjinushi për projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”, hartuar nga ministria përgjegjëse për arsimin e shkencën dhe nga ASHSH, që pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe më pas nga Kuvendi i Shqipërisë. Projektligji rregullon në tërësi sistemin e kërkimit shkencor në vend dhe pozicionin qendror të Akademisë në kuadër të tij.