Akademike Myzafere Limani u shpall fituese e çmimit për veprën më të mirë studimore në edicionin IV të Panairit të librit akademik
Në ditën e dytë të edicionit IV të Panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që po zhvillohet në Prishtinë, u shpall çmimi për veprën studimore më të mirë.
Ceremoninë e hapi Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akad. Mehmet Kraja, i cili ia dha fjalën drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit znj. Alda Bardhyli për shpalljen e çmimit. Ajo çmoi bashkëpunimin mes dy akademive në këtë nismë të përbashkët për organizimin e panairit dhe u shpreh se Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e mbështet çmimin për “Veprën më të mirë studimore” që propozohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Çmimi për “Veprën më të mirë studimore” iu akordua akademike Myzafere Limanit për veprën “Akustika, të folurit dhe muzika”.
Znj. Bardhyli i bëri ftesë kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushit për dorëzimin e çmimit. Ai lexoi motivacionin e çmimit, ku theksohej se: “Me një aparat matematikor relativisht të thjeshtësuar, libri paraqet burim të pasur dhe të besueshëm të informacioneve edhe për studiuesit dhe ekspertët e fushave të tjera që ndërlidhen me akustikën, sinjalet e të folurit dhe muzikën”.
Në fjalën e saj, fituesja e çmimit akad. Limani falënderoi dy akademitë për vlerësimin që iu bë. “Libri shkencor ka një numër të kufizuar lexuesish dhe zakonisht qëndron i fshehur. Edhe ky libër do të gjejë interesim te muzikantët dhe inxhinierët e fushës, ndaj e quaj të lartë vlerësimin që është bërë për librin, për punën dhe ju falënderoj të gjithëve”.