Tish DAIJA
Fusha: Muzikologji
DAIJA Tish (1926–2003). Kompozitor. Artist i Popullit, akademik, anëtar i jashtëm i ASHAK. Lindi në Shkodër. Afrimi i tij me muzikën nisi në vitet e fëmijërisë: 6 vjeç këndonte në korin françeskan të M. Gjokës, më pas ishte anëtar i orkestrës frymore të P. Jakovës. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua për kompozicion në Konservatorin “P. I. Çajkovski” (Moskë, 1951–1956). Punoi në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës dhe si udhëheqës artistik i ASHKVP (1962–1980). Fillimet kompozicionale, disa këngë me stil popullor (“Çike o mori çike”, “Me lule t’bukra” etj.) të ndikuara nga muzika qytetare shkodrane, u përkasin viteve ’40. Në gjysmën e dytë të viteve ’50 krijimtaria e tij njohu zhvillime të mirëfillta profesioniste me vepra instrumentale dhe orkestrale, si Kuarteti i parë i harqeve (1955) dhe Suita orkestrale “Një ditë pikniku” (1955). Me operetën “Lejlaja” (1957) dhe operën “Pranvera” (1960) renditet mes krijuesve të parë të këtyre gjinive skenike; me baletin “Halili dhe Hajrija” (1962) u bë krijuesi i baletit të parë shqiptar. Kompozoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore, edhe muzikë filmi. Si një ndër përfaqësuesit më origjinalë të këngës shqiptare, Tish Daija shfaqi prirje të vërteta emancipuese për kohën (“Erë pranverore”, “Natën vonë” etj.). Së bashku me Çesk Zadenë krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.