• Shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000, Albania
  • +355 4 2230305
Resolving Issues

Projekte

Njësia e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacioneve (NPKZHTI)

Për nxitjen e kërkimit, informimin, monitorimin dhe përhapjen e përvojës në drejtim të kërkimit, transferimit të teknologjive, zhvillimit teknologjik dhe inovacioneve, në ASH funksionon Njësia e Projekteve të Kërkimit, Zhvillimit Teknologjik dhe Inovacioneve (NPKZHTI) si strukturë mbështetëse. Detyrat e këtij sektori i cili drejtohet nga një specialist me titullin “Profesor” janë:

-Monitorimi i aktivitetit kërkimor-shkencor të ASH-së dhe ndihma për miradministrimin e tij nëpërmjet projekteve përkatëse, me synim vendosjen e një raporti të drejtë nëpërmjet lirisë së kërkimit shkencor dhe domosdoshmërisë së përfitimit sa më të madh nga mbështetjet financiare të dhëna;
-NPKZHTI në bashkëpunim me seksionet përgatit dhe dërgon për miratim në Kryesinë e ASH-së rregulloren për procedurat e përgatitjes, paraqitjes, shqyrtimit, miratimit dhe kontrollit të zbatimit të programeve dhe projekteve që financohen nga buxheti i shtetit;
-Në kuadër të përpilimit të projekteve NPKZHTI ka për detyrë të instruktojë, në lidhje me përgatitjen e projekteve, në përputhje me udhëzuesit, përparësitë dhe karakterin e institucioneve financiare që mbështetin projektet apo programet e kërkimit;
-NPKZHTI monitoron të gjitha projektet dhe raporton në Kryesinë e ASH për ecurinë e tyre;
-NPKZHTI ka për detyrë të grumbullojë në kohë, informacione në lidhje me programet dhe projektet parësore të kërkimit e zhvillimit dhe të bëjë të mundur thithjen e projekteve ndërkombëtare apo dypalëshe e shumëpalëshe. Në këtë kontekst, ajo ka si objektiv gjetjen dhe mbajtjen e lidhjeve me organizma dhe institucione të ndryshme, paraqitjen e aktiviteteve të institucionit, njohjen e aktiviteteve të tyre dhe gjetjen e rrugëve të bashkëpunimit me to bazuar në grante programesh të ndryshme dypalëshe dhe shumëpalëshe;
-Realizimi i detyrave të saj, veçanërisht lidhur me përzgjedhjen dhe paraqitjen e problematikave shkencore në faza të ndryshme të realizimit të projekteve si të projekt-ideve, projekteve paraprake dhe projekt-propozimeve në fazën përgatitore, dhe për hartimin, monitorimin, vlerësimin e cilësisë dhe miradministrimin e projekteve në fazën e zbatimit; kryen konsulta të ndërsjella me seksionet e institucionet bashkëpunuese;
-Në të njëjtën mënyrë ajo bashkëpunon edhe me sektorët e tjerë për të gjitha problemet që lidhen me parashikimin e buxhetit në përputhje me kërkesat e projekteve e programeve që parashikohen të financohen nga buxheti i shtetit, përdorimin e fondeve, kontrollet me karakter financiar etj.;
-NPKZHTI ndihmon dhe bashkërendon lidhjen me institucionet e tjera kërkimore shkencore, universitetet dhe shkolla të tjera të larta, drejtoritë shkencore të dikastereve dhe të biznesit, duke marrë pjesë në projekte të ndryshme shkencore e praktike si partner, konsulent apo ekspert;
-Në përputhje me politikat qeveritare të zhvillimit, nëpërmjet seksioneve përkatëse, NPKZHTI i sugjeron Kryesisë ndërmarrjen e studimeve shkencore e të përbashkëta me institucionet publike ose private, brenda dhe jashtë vendit;
-Në përputhje me politikat globale të kërkimit dhe zhvillimit, nëpërmjet seksioneve përkatëse, NPKZHTI i sugjeron Kryesisë ndërmarrjen e iniciativave për kërkim e zhvillim në nivel kombëtar;
-NPKZHITI kryen dhe detyra specifike të ngarkuara nga Kryesia e ASH-së;
-Në punën e saj NPKZHTI vepron sipas procedurave përkatëse të monitorimit të projekteve, të miratuara nga Kryesia e ASH-së e nëpërmjet një rregulloreje të veçantë;
-Ndërkohë për të gjitha projektet dhe programet e bashkëpunimit ndërkombëtar, përfshirë specializimet e kualifikimet e mundshme, NPKZHTI vepron në përputhje me rregulloret në fuqi dhe rregullat e organizmave ndërkombëtare, duke bashkëpunuar ngushtësisht me sektorët përkatës të ASH-së, ku realizohet projekti;
-Raporton me shkrim mbi veprimtarinë vjetore të njësisë, brenda përfundimit të vitit.
-Merr pjesë dhe mban protokollin në takime zyrtare të ASH-së.