Forumi rajonal i ekspertëve nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut “Për problemet aktuale të sizmikës dhe mbrojtjen nga tërmetet”

Më datë 10 janar 2020 u zhvillua Takimit rajonal të ekspertëve nga Shqipëria, Kosova, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut “Për problemet aktuale të sizmikës dhe mbrojtjen nga tërmetet”. Në të morën pjesë mbi 20 ekspertë nga gjithë rajoni, që shënoi dhe datën e krijimit të Njësisë kërkimore shkencore për studimin e tërmeteve dhe sizmikës

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucione kërkimore dhe ekspertë të fushës nga Greqia, Italia, Kosova dhe Mali i Zi. Gjithashtu ishin të pranishëm zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Artan Shkreli, rektori i UPT -së prof. dr. Andrea Maliqari dhe zv. Rektori prof. as. Alki Fundo, dekani i Fakultetrit të Inxhinierisë së Ndërtimit prof. dr. Neritan Shkodrani, zv. Drejtor i SHGJSH-së dr. Arben Pambuku, shef i departamentit të sizmologjisë në IGJEUM dr. Rexhep Koci dhe prof. as. Bardhyl Muceku si përfaqësues i FGJM-së

Takimin e hapi Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi. Fillimisht akad. Gjinushi pasi u uroi mirëseardhjen, prezantoi pjesëmarrësit. Lexo fjalën e akad. Skënder Gjinushi.

Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të punës së kryer ndër vite nga Institutet e Shqipërisë, duke vënë theksin në botimin e studimit të bërnë nga profesorët tanë të nderuar Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço dhe Eduard Sulstarova, akad. Gjinushi u ndal në ndodhitë e fundit të cilat siç cilësoi: “…vërtetuan edhe një herë saktësinë shkencore të studimeve…”.

Më tej akad. Gjinushi tha se: “Tërmeti i fundit shtroi dy detyra kryesore: një ndaj qeverisë për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e zhdukjen e pasojave; e dyta ndaj institucioneve kërkimore e shkencore, instuteve, fakulteteve, për thellimin e studimeve dhe nxjerrjen e akteve për garantimin e adaptimit të Eurokodit në ndërtimet e reja dhe forcimin e ekzistueseve”.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë,mbështetur në studimin e profesorëve të nderuar, në faktin se ende tek ne punohet me studime të mëparshme, se ende standardet Europiane në ndërtim nuk janë bërë detyrues me ligj, si pjesë edhe e Komitetit të Rindërtimit, ka ngritur një njësi kërkimore drejtuar nga prof. Shyqyri Aliaj. Qëllimi i kësaj njësie është mundësimi i bërjes efektiv e detyrues të rezultateve të arritura, për ngritjen e standardit kombëtar për projektimin e strukturave rezistente ndaj tërmetit bazuar në Eurokodet.

Akad. Gjinushi duke kërkuar edhe mendimet dhe bashkëpunimin e pjesëmarrësve, hodhi idenë e organizimit të një konference rajonale në fushën e sizmologjisë e cila të zhvillohet nga fundi i vitit. Kjo ide ishte paraqitur në një projekt që iu shpërnda pjesëmarrësve.

Në përshëndetjen e tij zv.Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z.Artan Shkreli theksoi edhe një herë rolin e studimeve shkencore dhe nevojën e përpilimit të hartave të reja sizmologjike si dhe zbatimin sa më të efektshëm të Eurokodeve. Ai e cilësoi shumë të rëndësishme ngritjen e njësisë studimore për sizmologjinë pranë Akademisë së Shkencave.

Të pranishmit në këtë takim i përshëndeti edhe rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës prof. dr. Andrea Maliqari, duke vënë në dukje gatishmërinë e Universitetit për vazhdimin e bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave në këtë fushë kaq të ndjeshme këto kohët e fundit.

Pastaj akad. Gjinushi ia dha fjalën prof. Shyqyri Aliajt, për të referuar mbi gjendjen aktuale në Shqipëri dhe me hapat që duhen bërë për të implementuar sa më mirë eurokodet. Në të dy referimet e përgatitura nga njësia e sapongritur e sizmologjisë, u vendos theksi mbi rëndësinë e përpilimit të hartave të reja sizmologjike dhe përshtatjen e eurokodeve dhe përpilimin  e një kodi shqiptar.

Duke marrë fjalën të pranishmit e cilësun si diçka shumë pozitive mbajtjen e një konference me temë sizmologjinë dhe ruajtjen e tërmeteve. Për më tepër secili prej tyre foli edhe për ato çka ata e konsiderojnë të rëndësishme për këtë temë bazuar në fushat e tyre të studimit.

Kështu në fjalën e tij dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit prof. dr. Neritan Shkodrani shprehu domosdoshmërinë e futjes së  eurokodeve që do të jetë në fokus edhe të simpoziumit që do të organizojë Fakulteteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Prof. Shkodrani shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë për bashkëpunimin në organizimin e konferencës rajonale në tetor 2020.

Inxhinieri Niko Naska në fjalën e tij shprehu shqetësimin për vendin që zënë digat e larta në eurokode. Ai tha se në kushtet e vendit tonë ku numri i digave është duhet ti kushtohet një rëndësi përafrimit të eurokodeve me standartet e ICOLD-it dhe përfshirjen e domosdoshme të këtyre standarteve në një kod shqiptar. Gjithashtu ai u shpreh se për këtë qëllim është i domosdoshëm një studim sizmologjik mikrozonal.

Fjalën e morën edhe ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera si prof. Rr. Ormëni, sizmolog dhe prof. as. Y. Muceku, drejtor i Departamentit të Gjeologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë Mjedisit dhe Ujit (IGJEUM), duke folur për punën e bërë dhe duke vënë theksin mbi kujdesin që duhet të tregohet në përpilimin e hartave të reja, në mënyrën e informimit të publikut dhe në përshtatjen dhe zbatimin e eurokodeve.

Të ftuarit nga vendet fqinje në fjalën e tyre shprehën solidaritetin e tyre për popullin shqiptar dhe gjithashtu mbështetën projekt-idenë e organizimit të një konference rajonale për sizmologjinë dhe inxhinierinë e ndërtimeve antisizmike si dhe për një bashkëpunim të gjerë rajonal në lidhje në një projekt evropian.

Në referimin e mbajtur nga përfaqësuesi i delegacionit grek prof. Spyros Pavlides, u bë një paraqitje e studimeve më të fundit sizmologjike të kryera për rajonin e Greqisë dhe shqipërisë në Departamentin e Gjeologjisë së Universitetit të Selanikut në bashkëpunim edhe me kërkues shqiptarë. Gjithashtu prof. Pavlides u shpreh se është e domosdoshme përpilimi i hartave të reja sizmologjike për Shqipërinë duke treguar edhe eksperiencën greke në këtë drejtim. Për më tepër ai e quajti shumë të mirë idenë e studimeve sizmologjike mikrozonale.

Në fjalën e tij Dr. Massimo Chiappini, drejtor për kërkimet shkencore në Institutin kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë së Italisë (INGV), vuri theksin në domosdoshmërinë e kultivimit të psikologjisë së emergjencës. Për më tepër ai theksoi se është e nevojshme që të krijohet edhe një traditë në ndërtimin e banesave duke futur koncepte të reja si ato të metamaterialeve. Dr. Chiappini tha se INGV në bashkëpunim me universitete të njohura si ETH dhe i Singaporit ka tashmë krijuar një prototip për metamaterialet. Shqipëria duhet të investojë në dërgimin e kërkuesve post-doc dhe doktorantëve për të punuar në këto grupe pasi aplikimi i këtyre metamaterialeve është edhe me kosto të ulët krahasuar me të njëjtat ndërtime tradicionale. Për sa i përket kontributit të tij personal Dr. Chiappini u shpreh i gatshëm të vërë në dispozicion të Akademisë së Shkencave dhe shkencës shqiptare në përgjithësi,  dijet e tij duke vazhduar kështu traditën e frytshme të bashkëpunimit që ai ka me  Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Duke marrë fjalën dr. Fidaim Sahiti, Drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik të Kosovës, pasi falënderoi për ftesën e bërë nga Akademis e Shkencave, foli mbi gjendjen në Kosovë duke kërkuar rritjen e bashkëpunimit me institucionet simotra në Shqopëri dhe më gjerë në rajon.

Në fjalën e saj inxh. Jadranka Mihaljevic, shefe e departamentit të inxhinierisë sizmologjike në Institutin e Hidrometerologjisë dhe Sizmologjisë së Malit të Zi, shprehu gatishmërinë e këtij Instituti që të ndajnë me bashkëpunëtorët shqiptarë të dhënat e mbledhura gjatë tërmetit të fundit.

Të gjithë të pranishmit u shprehën dakort që të orgaizohet konferenca e shprehur në projekt idenë e paraqitur duke vënë si deadline fundin e shkurtit për formimin e komitetit shkencor dhe atij organizativ.

Ky takim pati interes të madh edhe për mediat shqiptare.