Njësia kërkimore – shkencore e Sizmologjisë dhe Gjeoshkencës bën gati raportin për Komitetin e Rindërtimit

Vetëm një muaj e gjysmë pas konstituimit, Njësia e Kërkim-studimit të sizmologjisë dhe gjeoshkencës ka përgatitur raportin për masat që duhen marrë për futjen e Eurokodit si dhe për garantimin e ndërtimeve të qëndrueshme e rezistente. 

Për këtë qëllim, më datën 26 shkurt 2020, në orën 13.00, kjo Njësi do të paraqesë punën e saj dymujore për procedurat e ndjekura për futjen e eurokodit 8, për garantimin e strukturave ndërtimore të qendrueshme e rezistente ndaj tërmeteve.

Kjo punë do t’i paraqitet komisionit të inxhinierise dhe grupit të specialistëve ditën e mërkurë, ora 13 00, në takimin që do të zhvillohet në ambientet e Akademisë së Shkencave, para se t’i jepet Komitetit Shtetëror të rindërtimit për t’u përdorur në projektimin e ndërtimeve të reja

Është hera e parë në këto vite tranzicion që inxhinierët, shkencëtarët dhe specialistët e sizmikës përgatisin ekspertizën për organet ekzekutive në mënyrë që ata të hartojnë masat për garantimin e ndërtimeve të qëndrueshme e rezistente. 

Njësia kërkimore shkencore e Sizmologjisë që vepron pranë Akademisë së Shkencave, së bashku me atë të Nanoteknologjisë dhe njësive të tjera që do të ngrihen në vijim, janë frut i reformës së thellë në të cilën është përfshirë Akademia e Shkencave për të rikthyer rolin aktiv të saj në fushat kryesore të kërkimit shkencor.