Konferencë e njësisë së nanoshkencës dhe nanoteknologjisë (Nano-Alb) themeluar pranë Akademisë së Shkencave
Në vijim të punës së nisur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, me work-shop-in e parë shkencor, njëherësh dhe ditë e përurimit të fillimit të veprimtarisë, sot njësia e nanoshkencës dhe e nanoteknologjisë (e njohur tashmë me shkurtesën “Nano-Alb”), zhvilloi konferencën e dytë të saj kushtuar problematikës së kësaj fushe.
Kjo konferencë vjen pas pjesëmarrjes së suksesshme të studiuesve të njohur shqiptarë si akad. Arben Merkoçi dhe prof. Majlinda Vasjari në konferencën ndërkombëtare të nanoshkencës organizuar në Tokio në janar të këtij viti, me pjesëmarrje të ekspertëve nga Shqipëria, Spanja dhe Japonia, që ishin dhe palë organizuese, si dhe të studiuesve nga vende të tjera.
Në përshtatje me kushtet e kufizimit dhe distancimit social, veprimtaria e sotme u zhvillua në formën e video-konferencës. Ndihmesat shkencore që iu paraqitën online kësaj konference, përveç atyre të kryesuesve të njësisë akad. Arben Merkoçi dhe prof. dr. Majlinda Vasjari, u pasuruan me kontribute të kërkuesve shkencorë nga Shqipëria e Kosova. Midis 43 pjesëmarrësve të regjistruar të pranishëm në konferencë qenë dhe Kleva Shpati, Valbona Aliko, Albana Halili, Ledia Vasjari, Albana Veseli, Marsilda Memaj, Nereida Dalanaj, Albana Hasimi, Sidorela Vishkulli, Sadik Cenolli, Sonila Duka, Sefer Avdiaj.