Akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë pret në një takim zyrtar zëvendëspresidentin e Akademisë së Shkencave të Lituanisë

Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave akademike, më 25 mars, në orën 11:00, në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua një takim me zëvendëspresidentin e Akademisë së Shkencave të Lituanisë, prof. dr. Aivaras Kareiva.
Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, me pjesëmarrjen e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, si dhe anëtarëve të kryesisë.
Gjatë fjalës së tij, akad. Gjinushi vlerësoi marrëdhëniet me Akademinë e Shkencave në Lituani, ku theksoi procesin e reformimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai u ndal në ndryshimet ligjore që kanë mundësuar riorganizimin e institucionit, përfshirë ngritjen e njësive të përkohshme dhe të përhershme, si dhe funksionimin e pesë instituteve kërkimore pranë saj.
Në vijim, ai theksoi rëndësinë e zhvillimit të fushave bashkëkohore si nanoteknologjia dhe inteligjenca artificiale, duke marrë si model përvojën e Lituanisë. Në këtë kuadër, u përmend edhe synimi për ngritjen e një qendre rajonale kërkimore dhe një qendre për shkencat e jetës pranë Universitetit Bujqësor.

Në fushën e projekteve kërkimore, ai theksoi se Akademia mbështet si projektet e financuara nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), ashtu edhe iniciativat e veta, ndërsa për projektet madhore kërkohet mbështetje nga qeveria. Ndër arritjet kryesore përmendi përfundimin e “Fjalorit të madh të gjuhës shqipes”, një projekt i realizuar në bashkëpunim me specialistë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe punën në vijim për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare” dhe projektit për “Historinë e shqiptarëve”.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta mes dy akademive. Akad. Gjinushi theksoi organizimin çdo vit në Shqipëri të një konference ndërkombëtare për nanoteknologjinë, me pjesëmarrjen e rreth 250 specialistëve nga 25 – 30 vende të botës, duke shprehur interes për bashkëpunim me studiuesit lituanezë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Akademisë së Shkencave të Lituanisë, prof. dr. Aivaras Kareiva, shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, duke theksuar eksperiencën e institucionit që përfaqëson në organizimin e konferencave ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me Akademinë Polake të Shkencave, si dhe mundësinë e realizimit të aktiviteteve të përbashkëta në vitin 2027.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit midis dy akademive dhe krijimit të urave të reja në fushën e kërkimit shkencor.