U mbajt forumi shkencor “Ulliri dhe vaji i ullirit, prodhime tradicionale me rëndësi të veçantë ekonomike për vendin tonë”
Forumi u mbajt sot, në datën 9 dhjetor 2025, me pjesëmarrjen e studiuesve, profesorëve, studentëve të masterit, kërkuesve shkencorë dhe specialistëve të fushës së ullishtarisë. Gjithashtu, morën pjesë drejtues të bizneseve, si dhe specialistë të inspektimit, certifikimit, marketimit e eksportit të prodhimit të ullirit dhe vajit të ullirit.
Veprimtaria u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, gjegjësisht Komisioni i biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë pranë ASHSH-së, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo veprimtari shkencore u propozua dhe u koordinua nga akad. Fatbardh Sallaku dhe prof. dr. Vjollca Ibro.
Në fjalën e hapjes, prof. dr. Ibro foli për rëndësinë që po i kushtohet bujqësisë nga Akademia e Shkencave. Ajo vuri në dukje se zhvillimi i këtij forumi vjen pas një sërë veprimtarish të tjera të lidhura drejtpërdrejtë me bujqësinë, ushqimin dhe zhvillimin rural, të realizuara më parë, siç kanë qenë ato mbi bujqësinë organike, bujqësinë inteligjente, verën dhe vreshtarinë etj. Gjithashtu, janë edhe një sërë veprimtarish dhe projektesh të tjera të karakterit biologjik me objekt bimët dhe kafshët bujqësore, pyjet, peshkimin apo ushqimin në tërësi e më gjerë.
Në fund të fjalës së saj, prof. dr. Ibro shprehu mirënjohjen për dy kërkuesit e spikatur në fushën e ullishtarisë nga Universiteti Kordoba i Spanjës, si kontribuues të këtij forumi: dr. Angjelina Belaj, përgjegjëse e Bankës Botërore të Gjermoplazmës së Ullirit dhe Hristofor Miho, kërkues postdoktorial në fushën e gjenetikës së ullirit dhe kimisë së vajit të ullirit.
Më tej, përshëndeti akad. Ilia Mikerezi, kryetar i Komisionit të bujqësisë, biologjisë dhe veterinarisë. Ai theksoi se forumi mblidhet për të shtruar jo vetëm problemet e sfidat në sektorin e ullirit, por edhe zgjidhjet. Rëndësia e kësaj konference nuk qëndron vetëm në objektin e saj ullirin, por në kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me të gjithë sektorët privatë dhe specialistët në përballjen me nevojat dhe kushtet e natyrës.
Akad. Fatbardh Sallaku, Rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, falënderoi organizatorët e Akademisë së Shkencave dhe pjesëmarrësit e forumit. Ai foli për kontributin e UBT-së në drejtim të bujqësisë, që i jep prioritetet të ardhmes bujqësore dhe rurale të vendit. UBT-ja u ka hapur dyert bashkëpunimeve me Akademinë e Shkencave, me komunitetin e agrobiznesit, me bashkëpunëtorët e huaj e më gjerë për të arritur standardet që ka Bashkimi Europian. Ai foli më tej për nevojën e laboratorëve të certifikuar dhe nxitjen e inovacionit e programeve mësimore në gjitha fushat e bujqësisë e veterinarisë.
Z. Fatmir Guri, zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural foli për rëndësinë jetike të cilësisë dhe standardeve moderne në bujqësi dhe rritjen e aksesit në tregje të reja. Ai e vuri theksin në ndërtimin e një strategjie kombëtare për cilësinë dhe standardet, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës kombëtare të cilësisë dhe rritjes së konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare, si dhe qasjen në tregjet vendase e të huaja.
Z. Agim Rrapaj, Kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar foli për bashkëpunimin me Akademinë, institucionet dhe sektorët privatë, prodhues dhe përpunues në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të ullirit dhe prodhimit të vajit të ullirit.
Forumi u zhvillua në dy seanca, të cilat u moderuan nga prof. dr. Dionis Çakalli, dr. Angjelina Belaj, prof. dr. Anila Kopali, z. Fation Hoxha.
Gjatë prezantimit të ligjëratave u bënë diskutime, u shkëmbyen përvoja dhe ide: për gjendjen dhe të ardhmen e prodhimit të ullirit dhe vajit të ullirit në vendin tonë; për problemet kryesore që ndikojnë në gjithë filierën nga ullishta, fabrika deri në treg, si dhe për masat që duhen marrë për përmirësimin e menaxhimit të këtij produkti tradicional me vlera të larta ushqyese dhe rëndësi të madhe ekonomike etj.