Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përshëndet Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”
Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave në Konferencën I Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, që u mbajt sot, në datën 5 dhjetor 2025, në Tiranë:
“I nderuar Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë,
Të nderuar kryetarë të komuniteteve fetare të vendit,
Të nderuar kolegë, miq e të ftuar.
Zhvillimi i Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, këtu në Tiranë, më jep mundësinë dhe kënaqësinë t’ju përshëndes në emër të ASHSH dhe t’ju uroj mirëseardhjen në këtë tubim të rëndësishëm shkencor, i pari që organizohet në këto përmasa e në këtë nivel në Shqipëri, meritë kjo e të gjitha institucioneve që kanë kontribuuar në përgatitjen e kësaj konference, e komisionit shkencor dhe organizativ si dhe i të gjithë studiuesve që do të referojnë, në veçanti, kolegëve pjesëmarrës nga vendet e tjera.
Kjo konferencë për nga natyra është një qasje shumëdimensionale shkencore ku ndërthuren disiplina të ndryshme si: historia, arkeologjia, arti, arkitektura, paleografia dhe epigrafia, kultura shpirtërore dhe jurisprudenca bizantine. Në këtë mjedis shkencor multidisiplinar studiues nga më të mirët, vendës dhe të huaj, do të bëjnë përpjekje që të rindërtojnë tablonë e përgjithshme të botës shqiptare në universin bizantin përmes analizave, prurjeve e përfundimeve origjinale dhe qasjeve të reja metodologjike.
Konferenca përbën një kontribut të rëndësishëm për njohjen e rolit të trojeve shqiptare si urë komunikimi midis qytetërimeve, por në veçanti si një hapësirë veprimi intensiv i dy perandorive të mëdha të kohës, Bizantit e Romës, Lindjes dhe Perëndimit, të cilat nuk kanë qenë thjeshtë një periferi e Bizantit, por një faktor strategjik ndërmjetësimi dhe dialogu kulturor; të argumentojë se në trojet shqiptare ka ekzistuar një linjë e pandërprerë qytetërimi nga koha romake te ajo bizantine dhe pasbizantine, deri më sot.
Gama e gjerë e monumenteve, ndërtimeve, mozaikëve, vulave liturgjike, ikonave e kodikëve që gjenden në Butrint, Lin, Durrës, Voskopojë, Berat, Shkodër, Rodon, Stegopul, Mesopotam, Peshkëpi etj., janë dëshmi të kësaj vazhdimësie. Ky territor i pasur në monumente dhe në artefakte vërteton se trashëgimia bizantine është e ruajtur jo vetëm në libra, por edhe në gurë, në qeramikë e në thellësitë e ujërave të detit.
Synimi i kësaj konference nuk është thjesht e vetëm të përkujtojë periudhën bizantine në historinë e shqiptarëve, por të nënvizojë se ajo është një shtresë e thellë e identitetit historik, shpirtëror e kulturor të tyre.
Shqiptarët kanë qenë aktiv në zhvillimet mesjetare të Bizantit. Ata kanë qenë pjesëmarrës me zë në ushtrinë dhe administratën bizantine, në marrëdhëniet diplomatike me Kostandinopojën e Romën, por edhe në konsolidimin kulturor, shpirtëror dhe liturgjik.
Në vëmendje të konferencës janë edhe trashëgimia shpirtërore, vitaliteti, mbijetesa dhe përshtatja e saj ndër shekuj; roli i muzikës bizantine dhe i shenjtorëve shqiptarë në traditën psaltike, kultin e shenjtorëve dhe vazhdimësinë e riteve liturgjike, si dhe ndikimin e traditës bizantine në komunitetin ortodoks shqiptar dhe në arbëreshët e Italisë, është gjithashtu pjesë e punimeve të saj.
Ne e vlerësojmë këtë konferencë si një dialog mes brezave të studiuesve, të autoriteteve shkencore të mirënjohura e atyre më të rinj, si një dëshmi e njohurive të reja, të nevojshme për të përcaktuar më mirë pozitën e Shqipërisë në studimet bizantine europiane, jo thjesht si një analizë retrospektive.
Konferenca, krahas boshtit të saj të spikatur akademik, është edhe një ngjarje e rëndësishme kulturore kombëtare. Ajo së bashku me ekspozitën “Kodikët bizantinë e pasbizantinë në Shqipëri”, me koncertin e muzikës bizantine dhe me prezantimin e monumenteve në posterat shkencorë do të shndërrohet në një promovuese e mirëfilltë e trashëgimisë bizantine të shqiptarëve.
Në përfundim, në emër të Akademisë së Shkencave, ju shpreh falënderimet më të përzemërta të gjithë studiuesve për kontributet e tyre të çmuara që kanë sjellë në këtë konferencë si dhe të gjithë institucioneve të tjera bashkëpunuese në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm shkencor.
Uroj dhe shpresoj që kjo konferencë me arritjet e saj të pasurojë edhe më shumë fondin e studimeve akademike për Shqipërinë në periudhën bizantine dhe të zërë një vend të merituar në trashëgiminë shkencore të studimeve bizantine.
Ju faleminderit.