U mbajt Forumi Shkencor Ndërkombëtar me temën: “Forcimi i bashkëpunimit shkencor në nivel ballkanik për marrjen e nënprodukteve farmaceutike bio-natyrale për biznesin shqiptar”
Veprimtaria u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë; Qendra e Kërkimit Shkencor “Bioteknologji & Gjenetikë” në bashkëpunim me Departamentin e Bioteknologjisë dhe Qendrën Kërkimore te Florës dhe Faunës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës; Fakultetin e Shkencave Matematike dhe Natyrore, Universiteti i Prishtinës, si dhe me pjesëmarrësit e huaj nga institucione shkencore në vend e Kosovë, Greqi, Bullgari, Maqedoninë e Veriut e më gjerë.
Në forum morën pjesë ekspertë shqiptarë dhe të huaj me synimin për të analizuar dhe diskutuar rezultatet e Projektit VITROBMA për përdorimin e metodave inovatore in vitro në: shfrytëzimin e qëndrueshëm të ekosistemeve natyrale të bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA), pa i rrezikuar ato; shtimin e vlerës monetare të tyre nga përpunimi brenda vendit për prodhimin e metabolitëve sekondarë të rëndësishëm veçanërisht për industrinë farmaceutike, që nuk janë prodhuar deri tani.
Forumi u hap me fjalën përshëndetëse të akad. Ilia Mikerezit, Kryetar i Komisionit të Përhershëm për Biologjinë, Bujqësinë dhe Mjekësinë Veterinare (ASHSH). Ai shprehu kënaqësinë për miratimin unanim të Komisionit për zbatimin e këtij projekti brenda Sektorit të Bioteknologjisë së Bimëve të Qendrës së Kërkimit të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës të sapokrijuar në Akademinë e Shkencave. Akad. Mikerezi tha se shkëmbimi i përvojave midis studiuesve shqiptarë dhe kolegëve të shquar nga vendet e tjera të Ballkanit, mbi ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve gjenetike bimore lokale përmes metodave moderne bioteknologjike, i shton vlerë të jashtëzakonshme këtij eventi. Sot, përmes iniciativave të tilla si VITROBMA, ky rrjet po shtrihet përtej kufijve kombëtarë – duke ndërtuar një partneritet të vërtetë ballkanik që nxit bashkëpunim efektiv kërkimor, shkëmbimin e ekspertizës dhe transferimin e teknologjive inovative, të gjitha të drejtuara drejt projekteve të përbashkëta me ndikim të prekshëm shoqëror dhe ekonomik.
Akad. Efigjeni Kongjika, Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës, paraqiti një përmbledhje të objektivave të projektit dhe një vështrim të përgjithshëm të arritjeve të deritanishme, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të strategjive inovative in vitro në bioreaktorë për shfrytëzimin e qëndrueshëm të BMA për prodhimin e metabolitëve sekondarë të përdorur në farmakologji, si aditivë ushqimorë dhe kozmetikë. Akad. Kongjika paraqiti edhe domosdoshmërinë për ngritje e koleksionit gjenetik in vitro të Gesneriadave të Ballkanit në bashkëpunim me disa institucione ballkanike, dhe punën e bërë deri tani në këtë drejtim.
Në tre sesionet e këtij forumi u prezantuan punimet shkencore nga prof. dr. Valbona Sota; prof. dr. Aurel Nuro, prof. dr. Katya Georgieva, prof. dr. Sonja Gadzovska Simiç; prof. asoc. dr. Bekim Gashi; prof. asoc. dr. Entela Haloçi, dr. Oliver Tusevski, dr. Bledar Myrta; dr. Ajola Mesiti; dr. Katerina Grigoriadou; dr. Eleni Maloupa, si dhe studentët e doktorturës: Maria Adroudi, Tea Mastori dhe Ina Xhangoli, të cilët sollën informacione të rezultateve në projektin e përbashkët, si dhe të rezultateve të rëndësishme të fushës së tyre të kërkimit me ndikim në realizimin optimal të mëtejshëm të projektit.
Në fund u diskutuan strategjitë ndërsektoriale të qeverisë për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor 2024 – 2030, që do të nxisin prodhimin në vend të vajrave esenciale, ku janë bërë dhe investime, si dhe krijimi i lidhjeve të bizneseve me grupet akademike të koordinuara nga QKSH “Bioteknologji & Gjenetikë”, e cila synon zbatimin e kërkimit për të kontribuar në nivelin e zhvillimit ekonomik të vendit.
Gjithashtu, u ndanë edhe detyrat për perspektivën e zhvillimit të projektit me përforcim të bashkëpunimit rajonal Ballkanik me kërkues më të njohur të kësaj fushe kërkimi.