Nisi punimet konferenca e parë kombëtare me temën: “Rreziqet gjeologjike dhe hidrogjeologjike”
Konferenca dyditore i nisi punimet sot më 7 nëntor 2025 me organizimin e Njësisë së Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, Fakultetin Gjeologji Miniera, Tiranë, dhe Universitetin e Mitrovicës, Kosovë.
Konferenca e parë kombëtare me temën: “Rreziqet gjeologjike dhe hidrogjeologjike” mblodhi bashkë profesorë dhe kërkues shkencorë, përfaqësues të 21 institucioneve shtetërore, arsimore dhe kërkimore brenda dhe jashtë vendit, si dhe përfaqësues të sektorit privat nga Shqipëria, Kosova, dhe vende të tjera të Europës.
Veprimtaria u drejtua nga akad. Rrapo Ormëni, drejtues i Njësisë së Gjeoshkencave dhe Ing. Gerta Lubonja, drejtoreshë e Entit Rregullator të Ujit.
Akad. Rrapo Ormëni mbajti fjalën përshëndetëse. Fillimisht ai u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve të konferencës dhe vlerësoi bashkëpunimin me grupin kërkimor “Gjeorreziqet” dhe me grupin kërkimor “Hidrogjeologji” brenda Njësisë së Gjeoshkencave dhe Gjeoinxhinierive, si dhe bashkëpunimet me komisione e njësi të tjera pranë Akademisë së Shkencave e institucioneve kërkimore në Shqipëri, Kosovë, Austri, Itali etj.

Ai vuri në dukje se tematika specifike e rreziqeve gjeologjike dhe hidrogjeologjike ka marrë një vëmendje të veçantë në kërkimin shkencor, në politikat publike dhe në ndërgjegjësimin shoqëror, falë punës së ekspertëve të njohur në fushat e gjeologjisë, hidrogjeologjisë, inxhinierisë, arkeologjisë dhe gjeoinformacionit apo kompanive që operojnë në sektorët gjeoteknikë, ndërtimor, gjeofizik dhe mjedisor, duke sjellë aspektin praktik dhe aplikativ të dijes shkencore.
Shqipëria është një laborator natyror i gjerë gjeologjik dhe hidrogjeologjik – një vend ku bukuria natyrore bashkëjeton me rreziqe të shumta gjeodinamike. Rreziqet gjeologjike dhe hidrogjeologjike nuk janë thjesht fenomene natyrore, por sfida ndërdisiplinore që kërkojnë vizion, koordinim dhe përgjegjësi.- tha akad. Ormëni.

Në fund të fjalës së tij, akad. Ormëni shprehu falënderime të veçanta: për Akademinë e Shkencave dhe Kryetarin e saj akad. Skënder Gjinushi për mbështetjen e vazhdueshme; për komitetin shkencor dhe organizues; për partnerët universitarë e kërkimorë, si dhe prezantuesit e pjesëmarrësit, që e bëjnë këtë konferencë një hap të vërtetë drejt shkencës së shërbimit publik.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Teknike akad. Neki Frashëri përshëndeti në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave. Ai e vlerësoi organizimin e kësaj konference për lidhjen e urave të bashkëpunimit midis studiuesve, institucioneve shtetërore dhe aktorëve të tjerë. Ai premtoi mbështetjen e mëtejshme të ASHSH-së me qendrat kërkimore dhe komisionet e saj aktive në krijimin e një strategjie të përbashkët për përballimin e rreziqeve natyrore dhe mbrojtjen e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri.
Konferencën e përshëndetën edhe msc ing. Skënder Sallahi, drejtor i Departamentit të Minierave në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës dhe ing. Gerta Lubonja. Ata theksuan emergjencën ndaj rreziqeve të frenimeve gjeologjike dhe natyrore dhe shprehën gatishmërinë për kontribute dhe bashkëpunime të mëtejshme për të ndërtuar strategji të përbashkëta për të ulur cenueshmërinë dhe për të rritur mbrojtjen ndaj rreziqeve, si dhe për të integruar në politikat institucionale praktikat më të mira europiane.

Seanca plenare u hap nga dr. Christoph Hauer, Universiteti BOKU i Vjenës Austri, i cili paraqiti punimin shkencor me temën: Rëndësia e marrjes në konsideratë të proceseve morfodinamike në analizën e rrezikut nga përmbytjet.
U zhvilluan katër sesione tematike: rreziqet gjeologjike (tërmetet, rrëshqitjet, fundosjet, errozioni dhe rreziqet nga aktivitetet minerare); prezantimi i temave në poster dhe ekspozita teknologjike; rreziqet hidrogjeologjike dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike; gjeoarkeologjia (ndërthurja e gjeoshkencave me arkeologjinë).
Seancat u moderuan nga prof. dr. Neritan Ceka; prof. dr. Arjan Beqiraj, prof. dr. Naser Peci, prof. asoc. Klodian Skrame, prof. asoc. Edmond Hoxha, msc. Izabela Skenaj, Margarita Lutaj.
Në 30 punimet shkencore, që u prezantuan në kuadër të kësaj konference, u analizuan situatat aktuale të rreziqeve gjeologjike dhe hidrogjeologjike në vend nëpërmjet praktikave bashkëkohore të monitorimit e menaxhimit, si dhe u prezantuan gjetjet e reja kërkimore, me synim nxitjen e bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërdisiplinor dhe ndërgjegjësimin publik e institucional për mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgimisë kulturore.
Dita e dytë e konferencës (e shtunë, 8 nëntor 2025), do t’i kushtohet një vizite në terren për të kuptuar nga afër rolin e gjeoinxhinierive dhe gjeoshkencave në fushën e gjeo-hidrorreziqeve, ku si rast ilustrimi do të shërbejë vizita në zonën e Currilave në qytetin e Durrësit.
