Akad. Skënder Gjinushi përshëndet punimet e Konferencës së 5-të Ndërkombëtare mbi Bujqësinë dhe Shkencat e Jetës në Shqipëri 2030: “Inovacion sot për të nesërmen europiane të Shqipërisë”
Konferenca i nisi punimet sot më 3 nëntor 2025 në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Veprimtaria u organizua nga Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin BOKU të Vjenës, Kolegjin Universitar “Qiriazi”, universitete të tjera të vendit dhe organizata si FAO, UNIPO, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe kërkuesve të rinj vendës dhe nga Europa e Shtetet e Bashkuara.

Organizimi i kësaj konference u mundësua me mbështetjen e posaçme të Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama.
Fjala përshëndetëse e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi:
Të nderuar pjesëmarrës, profesorë, studentë të UBT-së,
I nderuar Z. Kryeministër,
I nderuar Z. Rektor,
Faleminderit për ftesën, për mundësinë për të marrë pjesë në hapjen e Konferencës së 5-të Ndërkombëtare për Shkencat Bujqësore dhe të Jetës, një aktivitet shkencor tashmë i kthyer në traditë, dëshmi kjo e rritjes së kapaciteteve kërkimore dhe vizionit akademik të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe të partnerëve të tij ndërkombëtarë.
Kjo konferencë vjen në një moment vendimtar për vendin tonë teksa në kuadër të ambicies për të përmbyllur fazën finale të anëtarësimit të vendit në BE brenda vitit 2030, si masë për plotësimin e detyrimeve që vijnë nga ky proces, qeveria ka miratuar strategjinë e zgjuar, në të cilën synohet që investimi për kërkimin shkencor e inovacionin të arrijë në 1% të PBB, çka do të thotë rritje e këtij treguesi në disa herë.
Ky është një ogur e bazë e mirë për t’u përballur edhe me sfidën e kësaj konference, të shprehur në temën e saj: “inovacion sot, për të nesërmen europiane të Shqipërisë”.
Në dekadat e fundit, përparimet në biologji, bioteknologji, siguri ushqimore, shkencat mjedisore, shëndetin publik veterinar, të përmbledhura në konceptin “Një shëndet – One Health” kanë treguar se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të arrihet pa një shkencë të fuqizuar, të integruar dhe me vizion europian, e kjo, nuk mund të arrihet pa angazhimin e shkollave të larta, e konkretisht të universitetit tuaj.
Në këtë kontekst, Akademia e Shkencave mbështet fuqimisht:
– promovimin e kërkimit shkencor shumëdisiplinor;
– zhvillimin e burimeve njerëzore për shkencë dhe inovacion;
– forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar;
– përfshirjen e ekspertizës shkencore në hartimin e politikave kombëtare, veçanërisht në zbatim të tyre.
Të gjitha këto kërkojnë një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë midis vetë institucioneve tona: Akademisë së Shkencave, shkollave të larta, instituteve e institucioneve politikbërëse, duke thyer çdo tendencë për veprimtari të mbyllur e të parcelizuar, bashkëpunim që mbështetet në një konkurrencë të natyrshme midis vetë kërkuesve e institucioneve, që nxit rritjen e punës së gjithësecilit e jo pengimin e punës së tjetrit. Akademia e Shkencave, për vetë natyrën e saj, për vetë misionin që i ngarkon ligji, por edhe për konceptimin e strukturave që funksionojnë pranë saj, si: komisionet, njësitë e përkohshme a të përhershme e grupet e projekteve, nuk është konkurrente me asnjë institucion tjetër, as zëvendësuese e tyre, por mbështetëse e nxitëse e kërkimit shkencor në tërësi, këtë e dëshmon dhe bashkëpunimi me Universitetin Bujqësor. Me kënaqësi vërejmë se ky bashkëpunim sot shprehet në të gjitha aspektet:
– Anëtarë të stafit të UBT-së janë pjesë aktive e Asamblesë së Akademisë së Shkencave, madje sot dhe me pozicione drejtuese;
– Një numër i konsiderueshëm prej tyre janë të përfshirë aktivisht në komisionet shkencore dhe kërkimore të ASHSH-së, si në: komisionin e biologjisë, bujqësisë dhe veterinarisë, njësitë e bioteknologjisë, biogjenetikës e atë të Pasurive ujore, si dhe në dhjetëra projekte të këtyre fushave. Bashkërisht kemi zhvilluar shumë aktivitete të rëndësishme shkencore, forume, konferenca, trajnime dhe tryeza diskutimi, ose më saktë, thuajse asnjë aktivitet yni nuk zhvillohet pa bashkëpunimin me UBT-në.

Ky është modeli që duhet ndjekur: bashkëpunim i sinqertë, përmbajtësor dhe vizionar mes institucioneve akademike, sepse vetëm kështu forcohet kapaciteti kërkimor kombëtar dhe rritet ndikimi i shkencës në zhvillimin e vendit; vetëm kështu vihen më në pah e vlerësohen sipas meritës më të aftët, e njëkohësisht margjinalizohen mediokrit e të paaftët, vetëm kështu mund të ndjekim ritmet për të arritur standardet e Bashkimit Europian.
Sot, më shumë se kurrë, duhet të forcojmë lidhjen midis dijes dhe politikëbërjes, midis laboratorit dhe ekonomisë, midis shkencës dhe shoqërisë.
Bashkëpunimi midis institucioneve tona do të zgjerohet e forcohet më tej me ngritjen e qendrave të reja elitare, të parashikuara tashmë në “Strategjinë e zgjuar”, e posaçërisht të Nanoalb. Qendrën e re ne e shohim si një krijim të përbashkët me UBT, UT, UP etj., pasi së bashku mund t’i japim asaj vizionin, formatin dhe mbështetjen e duhur. Vendosja e Qendrës pranë mjediseve të UBT-së për ne është një avantazh i madh, çka do të lehtësonte e institucionalizonte bashkëpunimin tonë në të ardhmen, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë, në nevojën që ka sistemi ynë i shkencës për t’u reformuar, duke mirëpërdorur hapësirën që krijojnë si strategjia e zgjuar ashtu dhe ligji i ri për shkencën, në rast se ato do të zbatohen sipas frymës së tyre e jo sipas frymës së strukturave burokratike, reformat e standardet janë produkt i institucioneve e jo i administratës.
Nevoja për fuqizimin e kërkimit shkencor e përfshirjen e personelit akademik në të është vënë në epiqendër të punës suaj, duke e parë atë si mjetin e vetëm për të realizuar synimin tuaj që, në bashkëpunim me universitetin BOKU të Austrisë, diplomat e UBT-së të jenë të nivelit europian. Logjika është e thjeshtë: për të pasur diploma të nivelit europian, duhen stafe të nivelit europian e stafet trajnohen vetëm nëpërmjet kërkimit shkencor. Këtë vlen ta kuptojnë edhe skeptiket; të kuptojnë që kërkimi në bujqësi nuk bëhet vetëm për të rritur nivelin e prodhimeve bujqësore, duke u përkthyer direkt në të mira materiale, por edhe për të rritur nivelin e trupës mësimdhënëse të shkollave të larta, e për pasojë të specialistëve të lartë, duke u përkthyer në përfitim afatgjatë akoma më të madh.
Ky institucion i nderuar, i ngritur mbi traditën, dijen dhe kontributin e disa brezave të profesorëve e studiuesve, që sot kremton 74-vjetorin e tij, është duke e përballuar me kompetencë këtë sfidë, e për këtë ju urojmë shumë sukses.
Duke falënderuar organizatorët, studiuesit vendës dhe ndërkombëtarë, nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara, dhe mbi të gjitha pjesëmarrjen e kërkuesve të rinj, më lejoni t’ju uroj edhe një herë punime të frytshme, shkëmbim cilësor idesh dhe ndërtim të bashkëpunimeve të reja ndërkombëtare, për të çuar përpara objektivat tona të përbashkëta drejt një Shqipërie më të qëndrueshme, më të gjelbër dhe më europiane.
Ju faleminderit dhe suksese në punimet e konferencës!
Për më shumë, shiko linkun:
