Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave, përshëndeti konferencën shkencore mbarëkombëtare: “Muzika shqiptare si krijimtari, interpretim, muzikologji dhe edukim artistik”
Fjala përshëndetëse e Kryetarit të ASHSH-së në veprimtarinë e mbajtur sot, më 30 tetor 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme nga Shqipëria e Kosova, si dhe personaliteteve të njohura shqiptare me karrierë ndërkombëtare:
Të nderuar pjesëmarrës,
Si kurrë më parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka pasur një përqendrim kaq të madh të përfaqësuesve institucionalë dhe personaliteteve që lidhen me muzikën nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të mbledhur në këtë konferencë mbarëkombëtare, e para e këtyre përmasave pas viteve 1990. Me këtë rast ju uroj të gjithëve mirëseardhjen dhe punime sa më të mbara.

Akademia e Shkencave dhe Fakulteti i Muzikës në UART i kushtuan vëmendjen e duhur propozimit të Komisionit të përhershëm të arteve, pranë saj, që kjo konferencë të organizohej me gjithë seriozitetin dhe mbështetjen e duhur, së bashku me institucionet dhe aktorët më në zë të muzikës sonë brenda e jashtë kufijve shtetërorë, të cilët i falënderojmë që iu përgjigjën thirrjes sonë. Një falënderim të veçantë kemi për Komitetin e Nderit, të cilët i kanë dhënë gjithashtu kësaj konference mbështetjen e tyre profesionale dhe morale.
Ne mblidhemi sot këtu në kohën kur problematikat që shqetësojnë krijuesit dhe interpretuesit e muzikës, edukatorët e saj, që e përcjellin atë përmes edukimit artistik te nxënësit, studentët e më gjerë, e po ashtu studiuesit e muzikologët, janë të mëdha e duhen evidentuar e përballuar. Vrulli i zhvillimeve teknologjike e “çudirat” e inteligjencës artificiale ua lehtësojnë jetën e punën njerëzve duke ua lehtësuar teknikisht, por ato nuk zëvendësojnë rolin e artit dhe të muzikës në jetën e tyre, rol i cili nuk duhet të zvogëlohet, por të rritet. E pikërisht për të vlerësuar rolin e arteve në jetën e vendit e për të adresuar problemet e tij, pranë Akademisë sonë të Shkencave u ringrit dhe funksionon edhe Qendra e Studimit të Arteve, krahas instituteve shkencore tradicionale të albanologjisë.

E gjejmë me vend faktin që konferenca do të japë gjetjet dhe rekomandimet e saj për institucionet vendimmarrëse, kjo si një shenjë e bashkëpunimit të ekselencave shkencore e artistike me vendimmarrjen qeveritare, aq të domosdoshme për mbështetjen konkrete në fushën e muzikës, pasi problematikat që hasen ndërlidhen me disa ministri këtu, në Kosovë apo në Maqedoninë e Veriut, si ajo e Arsimit, e Kulturës apo me institucione kombëtare, si: Teatri i Operës dhe i Baletit, RTSH, Universiteti i Arteve, Qendra e Studimit të Arteve etj.
Në hapje të kësaj konference është vendi të shprehim nderimin për të gjithë personalitetet që i dhanë zë dhe emër muzikës sonë në shek. XX e që nuk i kemi fizikisht mes nesh, prej at Martin Gjokës, imzot Fan S. Nolit, Thoma Nassit, Kristo Konos, Tefta Tashko Koços, Marie Krajës, Jorgjie Trujës, Kristaq Antoniut, Prenk Jakovës, Gaqo Avrazit, Kostandin Trakos, Mustafa Krantjes, Çesk Zadejës, Tish Daisë, Dhora Lekës, Lorenc Antonit, Fahri Beqirit, Albert Paparistos, Ibrahim Madhit, Ymer Skënderit, Llukë Kaçajt, Tonin Guraziut, Kozma Larës, Hamide Stringës, Tonin Harapit, Pjetër Gacit, Nikolla Zoraqit, Gaqo Çakos, Mentor Xhemalit, Gjon Simonit, Kujtim Laros etj., ndaj të cilëve përkulemi me nderim.

Edhe një herë i urojmë punime të mbara e të suksesshme kësaj konference që i kushtohet muzikës, për të cilën at Gjergj Fishta thoshte: … se termometri i qytetarisë së një populli është muzika… se, sa më fort që muzika të jetë mes kulturës e qytetarisë, aq më të përparuara janë ato.
Ju faleminderit e punime të mbara!
