U mbajt ceremonia e kremtimit të 30-vjetorit të revistës “Studime për artin”
Veprimtaria u mbajt sot më 29 tetor 2025 nga Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ceremoninë e kremtimit të 30-vjetorit të revistës “Studime për artin” e çeli drejtori i QSA-së akad. Stefan Çapaliku. Ai paraqiti një historik të shkurtër gjatë tri dekadave të fundit, si dhe perspektivat e zhvillimit të këtij periodiku shkencor në të ardhmen.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi përshëndeti të pranishmit dhe shprehu falënderimet e mirënjohjen për themeluesit e bashkëpunëtorët e revistës. Ai e vlerësoi revistën “Studime për artin”, jo vetëm si periodikun më të rëndësishëm shkencor kushtuar çështjeve që kanë të bëjnë me teorinë, praktikën dhe historinë e artit në Shqipëri, por edhe si një pasqyrë të kërkimit shkencor.
Prof. dr. Papagjoni foli për përpjekjet themeltare dhe vijimësinë e botimit të revistës ndër vite. Ai tha se revista ka pasur një vëmendje e posaçme për artin; trashëgiminë dhe traditat artistike të kombit shqiptar, duke iu përkushtuar publikimit të studimeve me tematika që nga periudha e hershme e mesjetës e deri sot.
Në fund përshëndeti dr. Jonida Gashi, kryeredaktore e revistës “Studime për artin”. Ajo foli, jo vetëm për indeksimin e revistës në Central and Eastern European Online Library (CEEOL), që është një ndër burimet kryesore të literaturës shkencore nga dhe mbi Europën Qendrore, Lindore e Juglindore në lëmin e shkencave humane dhe sociale, por edhe për punën në lidhje me indeksime të mëtejshme.