Zhvillohet tryeza shkencore mbi parimin themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe
Më 2 tetor 2025, Departamenti i Gramatikës dhe i Historisë së Gjuhës, organizoi në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave tryezën shkencore mbi parimin themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Në këtë veprimtari morën pjesë përfaqësues të Akademisë së Shkencave, kërkues shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, profesorë me një kontribut shumëvjeçar në studimet për gjuhën shqipe, si dhe studiues e pedagogë të institucioneve të arsimit të lartë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të pranishëm në sallë ose përmes platformës Zoom.

Pas fjalës së hapjes nga drejtuesja e Departamentit, në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, përshëndeti akad. Gëzim Hoxha, i cili vlerësoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të diskutimeve të vazhdueshme shkencore për çështje themelore të gjuhës shqipe.
Ligjëratën kryesore me temën “Parimi themelor i drejtshkrimit” e mbajti prof. asoc. Aristotel Spiro. Ai argumentoi se debati mbi drejtshkrimin e shqipes nuk mund të japë rezultate të qëndrueshme pa përcaktimin e qartë të parimit themelor.

Prof. Spiro nënvizoi se përveç parimit fonologjik, në drejtshkrimin e shqipes veprojnë edhe parime dytësore, si parimi fonetik, ndërsemiotik dhe simbolik, të cilët duhen parë në ndërveprim me njëri-tjetrin.
Gjatë veprimtarisë pati pyetje dhe diskutime të shumta nga të pranishmit mbi praninë dhe peshën e këtyre parimeve në gjuhën shqipe, të cilat pasqyruan interesin e lartë të studiuesve dhe nevojën për të vijuar debatin shkencor rreth kësaj çështjeje.