Tryezë e rrumbullakët: “Studimet historike shqiptare sot: sfida dhe probleme”
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i përhershëm i historisë, pjesë e Akademisë së Shkencave. Tryeza shkencore u mbajt në praninë e akad. Skënder Gjinushit, kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; akad. Anila Hodës, sekretares shkencore të ASHSH-së; akad. Gëzim Hoxhës, Kryetarit të Seksionit Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, ASHSH, dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Institutit të Historisë, Komisionit të përhershëm të historisë, profesorë e studiues të Universitetit të Tiranës, si dhe përfaqësues nga Drejtoria Qendrore e Arkivave.

Prof. Paskal Milo, kryetari i Komisionit të përhershëm të historisë, u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi akad. Skënder Gjinushin për praninë dhe mbështetjen e kësaj veprimtarie, në një kohë kur çështja e historisë së shqiptarëve përbën një shqetësim të vazhdueshëm me problematikat që ka e sfidat që duhet të përballojë.
Kryetari i akademisë në fjalën e tij tha se tematika e kësaj tryeze të rrumbullakët trajtohet në një moment kulmor, siç është dorëzimi i veprës madhore të “Historisë së shqiptarëve” në katër vëllime, ku tashmë janë përfunduar dy vëllimet e para. Ai vlerësoi edhe punën e historianëve të angazhuar në hartimin e kësaj vepre nën drejtimin e prof. dr. Cekës për periudhën e antikitetit; akad. Pëllumb Xhufit për periudhën e mesjetës, si dhe prof. dr. Milos e prof.dr. Dukës për vijimin e punës me dy vëllimet e tjera. Ai vlerësoi se ky takim pune do të shërbejë në hapjen e disa rrugëve për të paraqitur “Historinë e shqiptarëve” në mënyrë të paanshme për ato çështje që ofrojnë debatet më të nxehta.

Prof. Paskal Milo mbajti kumtesën me temën “Studimet historike shqiptare, sfida dhe probleme”, ku u ndal në disa aspekte të rëndësishme të problematikave dhe të sfidave që ka historiografia jo vetëm në Shqipëri, por që janë të reflektuara edhe në përvojën botërore, siç është politizimi i historisë. Ky fenomen shfaqet me përdorimin selektiv të botimeve, glorifikimin e disa periudhave, ngjarjeve dhe individëve historikë, dhe në denigrimin e disa të tjerave, në mohimet apo shtrembërimet e tyre, si dhe në keqinterpretimin e kontributeve përmes etiketimeve politike, në hartimin e kurrikulave dhe botimeve të teksteve shkollore, në ngritjen e komisioneve historike, si dhe në imponimin e klisheve në interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike.
Sipas tij, kjo fushë e shkencës po përballet gjithashtu dhe me krizën e burimeve arkivore, që rrjedh nga kufizimet në shfrytëzimin e arkivave, nga censura dhe mosrespektimi i afateve të deklasifikimit të dokumenteve etj., të cilat rrezikojnë të krijojnë një histori të fragmentarizuar. Ai u ndal në çështje, si: raporti midis historisë globale dhe historisë kombëtare; roli i teknologjisë dhe i inteligjencës artificiale në historiografi; rivlerësimi i figurave historike në dritën e standardeve të sotme morale; instrumentalizimi i historisë në politikën dhe konfliktet bashkëkohore etj.

Si pasojë e mungesës së investimeve në kërkimin shkencor, disa nga problemet aktuale në këtë drejtim janë: përballja me narrativat nacionaliste, e kaluara ideologjike dhe trashëgimia e saj, mungesa e kritikës dhe debatit akademik; mungesa e ndërkombëtarizmit dhe përfshirjes në debate globale. Një sfidë themelore në raportin midis globalizmit dhe historisë së identitetit kombëtar e kulturor mbetet nevoja për riformatimin metodologjik dhe etik në historiografi. Historiografia shqiptare është në një pikë kthese; ajo s’mund të mbetet peng i narrativave të vjetra, por duhet të ndërtojë një kulturë historike të bazuar në kërkimin objektiv, kritikën e hapur dhe përballjen me të kaluarën pa komplekse. Vetëm në këtë mënyrë historia mund të shërbejë jo si një mit për konsum politik, por si një mjet për kuptim, pajtim dhe nderim të së ardhmes në mënyrë të ndershme dhe të qëndrueshme.

Prof. dr. Ferit Duka në kumtesën me temën “Historiografia dje dhe sot: arritje dhe probleme” dha një pasqyrim të gjendjes së historisë së sotme të shkruar në dy periudha, periudha e komunizmit dhe postkomunizmit. Ai tha se në të dyja periudhat partitë politike shqiptare dhe udhëheqësit e tyre kanë pasur një prirje të qartë për ta përdorur historinë në funksion të nevojës për legjitimitet dhe fuqizim të pozicionit të tyre në shoqëri. Sipas tij, ky fenomen ka ushqyer edhe historiografinë amatore, e cila, për fat të keq, ka qenë shumë e zëshme në media dhe në veprimtari të tjera me karakter publik. Sot kërkohen studime historike cilësore dhe për këtë nevojiten historianë cilësorë, me imunitet të fortë ndaj presioneve manipulative të origjinave të ndryshme. Kjo është një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet historiografia jonë në ditë e sotme.

Tryeza u mbyll me kumtesën “Apatia historike e brezit të ri dhe sfida e rizgjimit të ndërgjegjes kolektive” e prof. dr. Arben Cici. Në trajtesën e tij, ai u ndal në efektet që kanë rrjetet sociale dhe teknologjia tek brezat e rinj të cilët po distancohen gjithnjë e më tepër nga e kaluara, po e perceptojnë historinë si të largët, të mërzitshme dhe shpeshherë të parëndësishme për të tashmen apo të ardhmen. Ky fenomen është global dhe vjen si rezultat i një ndërthurjeje faktorësh edukativë, kulturorë dhe teknologjikë, që i kanë kthyer të rinjtë në konsumatorë të informacionit të çastit dhe jo të dijes me rrënjë të thella historike; është një çështje që prek thelbësisht edukimin, identitetin kombëtar dhe kohezionin shoqëror. Studimet mbi edukimin historik tregojnë se mungesa e analizës historike çon në paaftësinë për të kuptuar rrënjët e fenomeneve aktuale, siç janë populizmi, nacionalizmi ekstrem dhe autoritarizmi. Brezi i ri po bëhet më i prekshëm ndaj narrativave të rreme, propagandës dhe populizmit.

Në këtë drejtim, prof. dr. Cici propozoi disa ide për shmangien e këtyre fenomeneve negative si: reformimi i kurrikulës së lëndës së historisë; qasja e re didaktike e mbështetur në mendimin kritik dhe ndërtimin e interesit ndaj historisë; përdorimi i teknologjisë si mjet ndihmës për aplikime të realitetit virtual që simulojnë ngjarje historike, dokumentarë interaktivë e platforma të tjera; aktivizimi përmes projektit dhe kujtesës aktive; angazhimi i të rinjve në projekte kujtese (vizita në kampe përqendrimi, monumente përkujtimore, ekspozita); shembuj dhe përvoja konkrete nga vendet e tjera etj.
Në fund të veprimtarisë, pjesëmarrësit zhvilluan diskutime rreth fenomeneve dhe çështjeve më thelbësore të trajtuara nga kumtuesit.