U zhvillua lectio magistralis me temën “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin Haig Zacharian
Sot, më 26 shkurt 2025, Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, zhvilloi një lectio magistralis me titull “Rrëfim në dy kohë” me kompozitorin Haig Zacharian.
Veprimtarinë e çeli drejtori i Qendrës së Studimit të Arteve (QSA) akad. Stefan Çapaliku. Ai theksoi se Haig Zacharian-i është një kompozitor me karrierë të gjatë e të spikatur në muzikën shqiptare.
Pasi foli për disa nga kontributet e Zacharian-it në muzikën klasike, përfaqësuar me romanca vokale e muzikë dhome, dhe në muzikën e filmit, akad. Çapaliku e falënderoi kompozitorin për pranimin e ftesës në zhvillimin e kësaj veprimtarie.
Më pas drejtori i QSA-së vuri në dukje se gjatë vitit që kaloi janë realizuar lekto magistralis për personalitetet që kanë lënë gjurmë në historinë e artit shqiptar, si akad. Eno Koço, prof. dr. Thoma Simaku, regjisori Alfred Bualoti, fotografi shqiptaro-kroat Luka Mjeda, piktori Lekë Tasi, koreografi Gjergj Prevazi etj.
Në fund të fjalës së tij, akad. Çapaliku premtoi se për vitin 2025 QSA-ja do të vijojë serinë e lektio magistralis, duke përfshirë personalitete të rëndësishme të artit dhe letërsisë.
Lecto magistralis u zhvillua në bashkëbisedim me dr. Edmir Ballgjatin. Ai theksoi se tema e këtij bashkëbisedimi përbën një përsiatje retrospektive për rrugën krijuese të Haig Zacharian-it. Veprimtaria e tij shkrihet në një periudhë 50-vjeçare, që lidhet edhe me proceset në të cilat kaloi muzika shqiptare në periudhën socialiste dhe atë postsocialiste. Ai ka dhënë një kontribut të vyer dhe ka pasur bashkëpunime të shumta me fushat e tjera të artit në të dyja periudhat.
Dr. Edmir Ballgjati e ftoi kompozitorin Zacharian të rrëfente fillimet e karrierës së tij. Kompozitori rrëfeu se këto fillime përkojnë me ngritjen e shkollave muzikore në vendin tonë. Në shkollën e muzikës në Durrës nisi mësimet në piano. Në atë kohë të gjitha klasat kishin vetëm një mësuese të pianos, e cila ishte shumë e përkushtuar ndaj të gjithë nxënësve. Pasi kompozitori Zacharian shprehu mirënjohjen për të dhe mësuesit e tij në fushën e kompozimit, dr. Ballgjati e pyeti për marrëdhëniet me kompozitorin e shquar Tonin Arapi.
Prof. Zacharian u shpreh se nga prof. Arapi kishte mësuar disa nga sekretet e profesionit, veçanërisht kombinimin e fjalës me tekstin muzikor. Ai tha se Tonin Arapi ka qenë figura muzikore që e ka ndjekur gjatë gjithë krijimtarisë.
Më tej, dr. Ballgjati e pyeti për karrierën në fushën e muzikës së filmit. Zacharian-i rrëfeu episode të bukura nga komunikimi me regjisorët e njohur: Rikard Ljarja, Kujtim Çashku e të tjerë gjatë përgatitjes së kompozimeve për filmat “Ilegalët”, “Dollia e dasmës sime”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Njeriu i mirë”, “Dora e ngrohtë”, “I paharruari”, “Taulanti kërkon një motër”, “Flutura në kabinën time” etj.
Rrëfimi vijoi për punën që ka bërë me ansamblet amatore dhe kontributin që ka dhënë për kompozimin e muzikës për fëmijë. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve), Haig Zacharian-i ka punuar si drejtues artistik i ansambleve amatore në veri të vendit dhe në vitin 1977 u kthye në Durrës për të punuar me ansamblet amatore. Gjatë viteve 1986 dhe 1992 punoi si kompozitor në krijimtari të lirë. Ai ka kompozuar dhjetëra këngë për fëmijë, korale, muzikë filmash dhe ka aranzhuar shumë pjesë të muzikës klasike dhe romantike për ansamble të ndryshme.
Pasi shprehu mbresat dhe kujtimet gjatë karrierës artistike, kompozitori Zacharian rrëfeu se është përpjekur që krijimtaria e tij të tingëllojë sa më origjinale. Për këtë ai u është shmangur autorëve të huaj, sepse beson se muzika është e lidhur me jetën dhe botën që e rrethon vetë artistin. Ai ka qenë i lidhur me melosin e botës shqiptare, muzikën që vjen që nga gjeneza.
Pas viteve 1990 krijimtaria e Hajg Zacharian-it, përveç filmave, është zhvilluar kryesisht në gjinitë e muzikës së dhomës, ku duken qartë tendenca të përdorimit dhe eksperimentimit në teknikat bashkëkohore të krijimtarisë muzikore.
Në mbyllje të veprimtarisë, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave akad. Vasil Tole, pas një bashkëbisedimi me Zacharian-in për teknikat e kompozicionit vlerësoi stilin e muzikës së këtij kompozitori, që është i dallueshëm, me ngjyra të holla dhe me një sens të komunikimit të drejtpërdrejtë.