Dhimitër S.SHUTERIQI
Fusha: Letërsi
SHUTERIQI Dhimitër S. (1915–2003). Shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Elbasan në familjen e Simon Shuteriqit. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1936) dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua për filozofi në Universitetin e Grenoblës (1942). U kthye në atdhe më po atë vit dhe mori pjesë aktive në Luftën ANÇ. Pas çlirimit pati detyra me përgjegjësi në institucione arsimore, kulturore dhe letrare të vendit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947–1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950–1974. Dhimitër Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30 me vjersha, tregime dhe artikuj kritikë. Ka botuar, në atë kohë, përmbledhjet poetike “Kangët e rinisë së parë” (1935) dhe “Kangë” (1936), kurse në revistën “Bota e Re” të Korçës artikullin e gjatë “Drejtimet e reja letrare”, ku përkrahen prirjet realiste në krijimtarinë e autorëve të rinj të kohës. Veprat më me rëndësi i ka shkruar pas Çlirimit. Në këtë kohë botoi dy vëllimet e para të romanit “Çlirimtarët” (1952, 1955), po vepra mbeti e papërfunduar. Më pas, fushë kryesore e krijimtarisë së tij u bë tregimi. Botoi përmbledhjet “Gurnecka” (1957), “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Kënga dhe pushka” (1972), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1979), “Buka e thika” (2002) etj. Tregimet e Dh.Sh. kanë tematikë të larmishme. Vëmendjen e autorit e kanë tërhequr ngjarje kulmore të së kaluarës historike, figura të historisë e të kulturës kombëtare, jeta e vështirë e njerëzve të thjeshtë dhe sakrifica e tyre në luftë, ngjarje dramatike e poetike të kohës etj. Në to janë përjetësuar Gjorg Golemi legjendar, Marin Barleti, Pjetër Budi, Dhaskal Todri, Ismail Qemali, Dora d’Istria, A. Z. Çajupi e të tjerë. Duke u nisur nga dy burime të mëdha që ushqyen frymëzimin e tij si tregimtar, historia dhe folklori, Dhimitër Shuteriqi krijoi një tip proze që rrjedh në shtratin e ligjërimit popullor dhe zbulon koloritin e jetës shqiptare e të fshehtat e shpirtit njerëzor me një gjuhë të pasur e të rrjedhshme. Këto veçori karakterizojnë dhe ligjërimin e romanit të tij të fundit “Sytë e Simonidës” (1998). Krahas prozës vijoi të lëvrojë edhe poezinë, duke botuar vëllimet “Kangë” (1981), “Kroje kam et” (1998) etj. Fusha kryesore e punës së Dhimitër Shuteriqi si shkencëtar ka qenë historia e letërsisë, tradita e hershme e shkrimit të shqipes, folklori dhe disa figura historike. Kërkimi në këto fusha është kurorëzuar me botimin e një korpusi veprash e studimesh që hedhin dritë jo vetëm në fillimet e shkrimit shqip (“Shkrimet shqipe”, 1965, 1976, dhe “Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në v. 879–1800, 2005), por dhe në rrënjët e traditave letrare-kulturore, në procese e figura të shquara të letërsisë së humanizmit, të Mesjetës dhe të Rilindjes Shqiptare, duke vënë në qarkullim tekste të panjohura dhe ide të reja shkencore. Dhimitër Shuteriqi është bashkautor dhe redaktor i veprës përgjithësuese “Historia e letërsisë shqipe” I, II (1959, 1960), botim i Universitetit të Tiranës, kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i Akademisë së Shkencave; autor i monografisë “Naim Frashëri – Jeta dhe vepra” (1982); i traktatit “Metrika shqipe” (1947) dhe i përmbledhjeve me studime “Nëpër shekujt letrarë” (1973), “Gjurmime letrare” (1974), “Autorë dhe tekste” (1977), “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera” (1987), si dhe i shumë artikujve e studimeve të shpërndara në shtypin shkencor e periodik. Ai është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri. Dhimitër Shuteriqi ka lënë në dorëshkrim një varg veprash të përfunduara, Fjalorin e Naim Frashërit, Fjalorin parabuzukjan të shqipes, një Regest dokumentesh historike të v. 1397–1479 e të tjera. Dhimitër Shuteriqi është dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.