Kfrasheri

Kristo FRASHËRI

Fusha: Histori

Historian, profesor, akademik. Lindi në Stamboll. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i  kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955). Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Kristo Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965).

Më 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958 një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964 një “Histori të Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në v. 1960 (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ‘70–‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984 ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878–1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun (në origjinal dhe në përkthim shqip)” (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë : (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809)” (2009); “E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946” Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015). Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj. Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të kl. I (1961, 1984). Është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”