Gudar BEQIRAJ
Fusha: Matematikë-Informatikë
Gudar Beqiraj(1948 – 2020). Matematikan, profesor, akademik. Lindi në Durrës. Kreu shkollën e mesme në Tiranë dhe ndoqi studimet e larta e u diplomua në Fakultetin e Shkencave Natyrore tëUniversitetit të Tiranës(1971). Punonjës shkencor në Institutin e Informatikës dhe të Matematikës së Aplikuar që nga viti 1971 dhe njëkohësisht si pedagog i lëndëve matematikë e informatikë në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, në Fakultetin e Ekonomisë, të Mjekësisë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, si dhe i lëndës së peshëngritjes në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” (1971–2002). Në 1994 merr titullin Profesor ndërsa në vitin 2003 zgjidhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Që nga viti 2012 është gjithashtu anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Gudar Beqiraj ka kryer specializime për gjeostatistikë në Qendrën e Gjeostatistikës (Fontainebleau, Francë, 1985–1986) për metodat e informatikës së zbatuar në gjeofizikë në Universitetin Paris VI (Francë, 1990) etj. Ka realizuar një varg studimesh mbi algoritmet dhe programet e ndryshme në gjuhët e programimit: ALGOL, Paskal, FORTRAN, të zbatuara në fushën e gjeofizikës, gjeologjisë dhe naftës, bujqësisë, mjekësisë etj.
Ka mbajtur postin e drejtorit të Institutit të Informatikës dhe Matematikës së Aplikuar, INIMA, (1993–1997, 1999–2007) dhe atë të zëvendësdrejtorit (1997–1999). Në vitet 2007–2009 ka qenë dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit të Universitetit Politeknik të Tiranës. Në shkurt të vitit 2008 u emërua nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ndërsa në vitin 2009 u zgjodh Kryetar i saj, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 2013, kur dhe mbaroi mandati katërvjeçar i parashikuar në Statusin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Që nga viti 2013 e deri në mbarim të mandatit mban vendin e zëvendëskryetarit të Akademisë.
Gudar Beqiraj është autor i teksteve “Metodat e matematikës llogaritëse dhe makinat llogaritëse elektronike në shërbim të ekonomisë” (1975), “FORTRAN 77” (1985), “Gravimetria” (bashkautor, 1986) “Vështrim mbi zbatimin e metodave gjeofizike në eksplorimin e vendburimeve të bakrit dhe kromit në Shqipëri” (bashkautor, 2008), “Matematizimi dhe informatizimi i problemeve të gjeofizikës ndër vite në Shqipëri” (bashkautor, 2016) etj., si dhe i një vargu artikujsh shkencorë. Gjatë veprimtarisë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj drejtoi dhe bashkëpunoi në realizimin e shumë projekteve në kuadrin e programeve kombëtare, bilaterale e ndërkombëtare.
Në vazhdim të karrierës së tij sportive Gudar Beqiraj nga atlet në sportin e peshëngritjes (1967–1974) u bë gjyqtar kombëtar (1975–1982) dhe që nga viti 1982 është gjyqtar i kategorisë I ndërkombëtare në peshëngritje. Në vitet 1992–2000 ka qenë president i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes, dhe zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (1996–2000). Për kontributin e tij shumëvjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, Federata Botërore e Peshëngritjes, i ka akorduar Medaljen e Artë (2013) dhe Medaljen e Meritës (2016).
Gudar Beqiraj është President i Fondacionit Humanitar ““Sue Ryder Care, Albania” që nga viti 1993 si dhe anëtar i bordit tëFondacionit Humanitar Ndërkombëtar “Sue Ryder Care” që nga viti 2004. Në vitin 2008 iu akordua nga Bashkia e Tiranës çmimi “Personalitet i Vitit”.