Vizitë zyrtare e delegacionit të Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Në datën 8 qershor 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u prit në një vizitë zyrtare një delegacion me përfaqësues të Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait.
Delegacioni përbëhej nga prof. Yao Jianlong, nënkryetar dhe drejtor i Institutit të Drejtësisë, SASS; prof. asoc. Wang Jianghuai, Instituti i Drejtësisë, SASS; Fan Huihui, oficere programi, Zyra e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, SASS.
Delegacioni përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë përbëhej nga akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e ASHSH-së; akad. asoc. Gëzim Hoxha, Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore Albanologjike; akad. Aurela Anastasi, Komisioni i ekonomisë, shkencave sociale dhe juridike; prof. asoc. Elda Zotaj, drejtuese e zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun.
Akad. Anila Hoda i uroi mirëseardhjen delegacionit në emër të Kryesisë së ASHSH-së dhe shprehu falënderimet për interesin e treguar për të vizituar Akademinë e Shkencave. Ajo e njohu delegacionin kinez me zhvillimet më të rëndësishme të ASHSH-së dhe e vuri theksin në punën që po bëhet në institutet dhe qendrat kërkimore të institucionit për kërkimin shkencor në fushat e biologjisë, nanoteknologjisë, energjetikës, ujërave, mjekësisë, bujqësisë e më gjerë, studiuesit e të cilave kanë dhënë kontribute në rrjetin e shkencëtarëve europianë me vendosjen e bashkëpunimit me qendra ndërkombëtare të kërkimit shkencor.
Gjithashtu, ajo theksoi se ASHSH-ja i kushton një vëmendje të veçantë mbështetjes së punës kërkimore shkencore të studiuesve të rinj dhe kjo reflektohet me ngritjen e Akademisë së të Rinjve pranë këtij institucioni.
Më tej, akad. Hoda foli për tri projektet e mëdha të ASHSH-së, ku aktualisht po bëhet një punë e përqendruar për “Enciklopedinë shqiptare” dhe “Historinë e shqiptarëve”. Ajo e vuri theksin në reformimin e ASHSH-së. Bashkimi i instituteve nën drejtimin e saj ka krijuar tashmë bashkëpunime në shkallë ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo bëri dhe një paraqitje të veprimtarive të përbashkëta më të rëndësishme të bashkëpunimit mes ASHSH-së dhe institucioneve kërkimore kineze.
Në fjalën e tij, kryetari i delegacionit, prof. Yao Jianlong shprehu falënderime për organizmin e këtij takimi. Ai tha se Kina me Shqipërinë ka një miqësi tradicionale dhe ka pasur dëshirë të madhe ta vizitojë këtë vend. Më pas, ai foli për historikun e Akademisë së Shkencave Shoqërore të Shangait (SASS), e cila u krijua në vitin 1958 dhe është institucioni më i vjetër në Kinë. SASS-i ka 17 institute shkencore dhe mbi 20 qendra ndërdisiplinore, të cilat zhvillojnë kërkime teorike dhe të aplikuara për çështje thelbësore që dalin nga politikat e reformës dhe hapjes së vazhdueshme të Kinës, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ka rreth 800 punonjës, përfshirë dhe 550 studiues. Drejtimet përfshijnë ekonomi, kulturë, teknologji, sociologji, fusha ligjore etj. Një punë e rëndësishme është dhe bashkëpunimi me institucionet kërkimore nëpër botë, që mundëson krijimin e një ure lidhëse mes SASS-it dhe ASHSH-së.
Në kuadër të interesit për bashkëpunim u bënë pyetje e diskutime për përvojat e punës dhe mënyrën e drejtimit të kërkimit shkencor në institucionet përkatëse, për të lehtësuar marrëdhëniet në fusha me interes reciprok. Në lidhje me formalizimin e bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje të përbashkët, akad. Hoda tha se ASHSH-ja është e interesuar dhe e hapur për bashkëpunime që zhvillojnë kërkimin shkencor dhe aktivitetet e përbashkëta kërkimore, sidomos për përfshirjen e kërkuesve të rinj dhe u shpreh se do të vijojnë bisedat me kryesinë e këtij institucioni për të hedhur hapa konkretë për formalizimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Në përmbyllje të takimit të dyja palët shprehën vullnetin për të vijuar komunikimet përmes zyrave të bashkëpunimit ndërkombëtar.