Urim për 89-vjetorin e lindjes së akademikut Rexhep Qosja
I nderuar akademik Rexhep Qosja,
Me rastin e 89-vjetorit të lindjes suaj, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjellë urimet më të përzemërta për shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe vazhdimësi të frytshme në veprimtarinë tuaj të pasur krijuese dhe intelektuale.
Jeta dhe vepra juaj janë të lidhura pazgjidhshmërisht me historinë e mendimit shkencor, letrar dhe politik të botës shqiptare. Me një veprimtari të gjithanshme e të pandërprerë, më shumë se gjysmëshekullore si studiues, shkrimtar, mendimtar dhe protagonist i proceseve kombëtare, ju keni qenë dhe do të mbeteni një nga figurat më të shquara të kulturës dhe vetëdijes sonë kombëtare.

Kontributi juaj në historinë e letërsisë shqipe, në kulturën kombëtare dhe në çështjen shqiptare, drejtimi afatgjatë i Institutit Albanologjik të Prishtinës, krijimtaria si romancier dhe eseist, pjesëmarrja aktive në momente kyçe të historisë politike, përfshirë Konferencën e Rambujesë, si dhe zëri juaj kritik në mbrojtje të vlerave demokratike, kanë bërë që emri dhe vepra juaj të zënë një vend të përhershëm në kujtesën shkencore, letrare dhe shoqërore mbarëkombëtare.
Në këtë ditë të veçantë Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ju gëzoni statusin e anëtarit të nderit, ju uron gëzuar ditëlindjen! Shëndet, mbarësi dhe frymëzim të pandërprerë në përpjekjet tuaja të vyera për dijen, kulturën dhe atdheun e përbashkët.
Me nderime të larta dhe respekt të veçantë,
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Tiranë, 25 qershor 2025