U zhvilluan takimet e anëtarëve të redaksisë vendore e redaktorëve përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”
Më 18 mars 2025 u zhvilluan tri takime me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare” të Qendrës së Studimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Në takim morën pjesë redaktorët përgjegjës të redaksisë vendore të fushave përkatëse bujqësia dhe blegtoria; mjekësia dhe mjedisi; arkeologjia dhe lashtësia, mesjeta e Bizanti, periudha osmane dhe Rilindja, histori e shek. XX, historia ushtarake; gjeografi fizike e gjeografi sociale: akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave, prof. dr. Vjollca Ibro, akad. emeritus Nestor Thereska, dr. Arber Pecani, prof. dr. Seit Shallari; akad. Adem Bunguri, akad. asoc. Gëzim Hoxha, akad. Pëllumb Xhufi, akad. Beqir Meta, prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi, prof. dr. Perikli Qiriazi, prof. dr. Skënder Sala, prof. dr. Dhimitër Doka.
Mbledhja e parë u drejtua nga kryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe drejtori i Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dr. Arian Leka.
Akad. Gjinushi falënderoi anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës për punën e mirë që është bërë në hartimin e fjalësit dhe koordinimin e zërave me redaksitë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke konstatuar punën cilësore për zgjedhjen dhe stabilizimin e listave të tyre sipas kërkesave. Më tej, ai vuri në dukje se ky takim bëhet për disa shqetësime dhe çështje ende në diskutim dhe zbatim të detyrave të lëna në takimet e mëparshme. Një nga arsyet e takimit është konsolidimi i kritereve të njëjta e të baraslarguara në përzgjedhje, veçanërisht për termat e përveçëm, që përbëjnë listat e përfshirjes së personaliteteve në “Enciklopedinë shqiptare”.
Akad. Anila Hoda, në rolin e anëtares së redaksisë vendore dhe koordinatorit të grupredaksive, moderoi takimin e redaksisë së mjekësisë, bujqësisë dhe mjedisit. Ajo theksoi se puna për hartimin dhe finalizimin e fjalësit enciklopedik ka vijuar në bashkëpunim me kolegët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e çuar procesin e punës me fjalësit në një fazë të re dhe më të lartë. Procesi ka përfshirë takime të rregullta, diskutime e vërejtje konstruktive, si dhe një vëmendje të detajuar për ta pasuruar dhe përmirësuar përmbajtjen e “Enciklopedisë shqiptare” me lëndë të re, që nuk gjendet në botimet enciklopedike paraardhëse FESH dhe FEK. Fjalësit e paraqitur janë të përbashkët dhe të dakordësuar. Është arritur gjithashtu edhe përfshirja e stabilizimi i artikujve enciklopedikë (AE) të fushës së pyjeve, e personaliteteve të fushave të veterinarisë dhe pyjeve, si dhe bashkëpunimi me redaksitë e tjera (mjedisi, biologjia, gjeografia, ekonomia) për shmangien e mungesave dhe përsëritjeve në artikujt e propozuar të ESH-së.
Gjatë diskutimeve prof. dr. Vjollca Ibro pohoi se janë adresuar problemet për numrin e zërave, për të cilët është komunikuar me institucionet për verifikime, dhe për harmonizimin e fjalësit të bashkuar.
Akad. emeritus Thereska, në fund të diskutimeve, pohoi se është bërë një punë e mirë edhe me ekipin e Maqedonisë dhe Kosovës, me të cilët kjo redaksi ka pasur mirëkuptim të plotë për artikujt e propozuar.
Pas përfundimit të takimit me redaksitë e fushave të sipërmendura u zhvillua takimi me anëtarët e redaksisë vendore e redaktorët përgjegjës të fushave: arkeologji dhe lashtësi, mesjeta e Bizantit, periudha osmane dhe Rilindja, histori e shek. XX, historia ushtarake.
Akad. Adem Bunguri, në pozicionin e anëtarit të redaksisë vendore dhe koordinatorit të grupredaksive pohoi se pas shumë diskutimeve e takimeve me anëtarët e redaksisë vendore dhe ata të Kosovës e Maqedonisë, janë harmonizuar termat në bashkëpunim me redaksitë e tyre dhe si rezultat është arritur edhe një fjalës i përbashkët, me përjashtim të disa rasteve kur historia i trajton ndryshe dukuritë dhe ngjarjet.
Akad. Hoxha, si drejtues i redaksisë së lashtësisë u shpreh se është bërë një punë konstruktive e detajuar për të përmirësuar përmbajtjen e “Enciklopedisë shqiptare” dhe mbeten për t’u shqyrtuar çështje formale të shkrimit apo riadresimet e fundit mes kësaj redaksie dhe redaksive të religjionit dhe trashëgimisë.
Akad. Xhufi diskutoi për saktësimin e emrave të personaliteteve historike dhe harmonizimin e termave që janë përfshirë në Enciklopedinë shqiptare.
Drejtori i QBEA-së në kuadër të këtyre diskutimeve, theksoi se me dorëzimin e listave prej të gjitha redaksive është bërë e qartë se kemi të bëjmë me një vepër unike dhe se kjo lëndë enciklopedike shtron kërkesën e bashkimit në një amzë të përgjithshme të Enciklopedisë shqiptare gjatë muajve në vijim. Ai foli gjithashtu për punën dhe përpjekjet e vijueshme që janë bërë gjatë takimeve të shumta me redaksitë e fushave dhe grupfushave nga dhjetori 2024 deri në mars 2025, duke ndjekur me vëmendje të veçantë vlerësimin e kritereve dhe përpjekjet për respektimin e udhëzuesit praktik.
Takimi i tretë me redaksinë e fushës gjeografi fizike e gjeografi sociale u moderua nga drejtori i QBEA-së, dr. Leka. Ai vlerësoi punën e fushës së gjeografisë dhe gjithë redaktorëve të “Enciklopedisë shqiptare”, por theksoi vërejtjen se emërtimet e përveçme të kësaj redaksie janë shprehur me rend të ndërsjelltë. Falë përpjekjeve të vazhdueshme është arritur të unifikohen artikujt për të gjithë hapësirën shqiptare. Ato do të rrinë veç vetëm në rastet kur historia i trajton ndryshe. Ai shfaqi kërkesën që listat për personalitetet të dërgohen nëpër redaksitë me synimin që të që të tregohet arsyeja e përfshirjes dhe të mos krijohen zëra artificiale.
Prof. dr. Perikli Qiriazi, prof. Skënder Sala dhe prof. dr. Dhimitër Doka diskutuan më tej për spikatjen e zërave për zonat e mbrojtura dhe parqet. Është pasur kujdes që të koordinohen me gjeografinë dhe të veçohen sipas rëndësisë.
Kryeredaktori i ESH-së, akad. Gjinushi, la detyrë që redaksia qendrore të garantojë zbatimin e kritereve dhe theksoi se diskutimet do të vlejnë si parapërgatitje për mbledhjen mes redaksive vendore Shqipëri-Kosovë, që do të mbahet më 25-26 mars 2025, në Vërmicë (Prizren).
Në fund të këtij takimi u konkludua se redaksitë janë të gatshme për fazën përfundimtare të përpunimit dhe publikimit të “Enciklopedisë shqiptare”.