U zhvillua takimi i anëtarëve të redaksisë vendore dhe redaktorëve përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia Shqiptare”

Mbledhja u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, më 10 mars 2026, me pjesëmarrjen e anëtarëve të redaksisë vendore dhe redaktorëve përgjegjës për projektin madhor “Enciklopedia shqiptare”, me organizimin e Qendrës së Studimeve Enciklopedike dhe Albanologjike (QBEA), pjesë e ASHSH-së.
Takimi u drejtua nga akad. Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktor i “Enciklopedisë Shqiptare”.
Në fjalën e hapjes, akad. Gjinushi vlerësoi punën e deritanishme të anëtarëve të redaksisë vendore dhe të redaktorëve përgjegjës në hartimin e fjalësit enciklopedik, si dhe në koordinimin e zërave me redaksitë përkatëse në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se prej dy vitesh janë angazhuar 27 redaksi të fushave të ndryshme, të cilat kanë punuar për trajtimin e fjalësit përkatës. Qëllimi i këtij takimi ishte të merrej një informacion i drejtpërdrejtë mbi gjendjen e plotësimit të fjalësve me autorët e artikujve dhe kategorizimin e tyre brenda afatit të parashikuar, 31 mars.
Drejtori i Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, z. Andreas Dushi paraqiti një pasqyrë të ecurisë së deritanishme të punës në redaksitë e fushave. Po ashtu, ai vuri në dukje se disa redaksi paraqesin specifika të veçanta. Sipas raportimit, vetëm 5 redaksi kishin ende disa mungesa të cilat do të plotësohen brenda kësaj periudhe. U ritheksua nevoja e komunikimit të ndërsjellët si kusht i domosdoshëm për avancimin e punës në të ardhmen.
Ndërkohë, Kryetari i Akademisë nënvizoi si një nga aspektet kryesore të diskutimit nevojën për një koordinim më të ngushtë ndërmjet redaksisë qendrore, redaksisë vendore të riorganizuar, Qendrës së Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike dhe redaksive të fushave.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përcaktimit të një personi përgjegjës brenda çdo redaksie vendore që të marrë rolin e koordinatorit për ndjekjen dhe harmonizimin e punës. Sipas akad. Gjinushit, për ecurinë sa më të mirë të projektit është e dëshirueshme që këtë rol ta mbajë vetë përgjegjësi i redaksisë; megjithatë, në varësi të angazhimeve dhe ngarkesës së punës, redaksitë mund të vendosin vetë për personin që do të kryejë këtë funksion koordinues. Akad. Shaban Sinani, anëtar i redaksisë qendrore e përgjegjës i seksionit për “Enciklopedinë Shqiptare” i njohu të pranishmit me kriteret e procedurat e përgjithshme që do të ndiqen gjatë hartimit të fjalësit, të cilat do të përfshihen në udhëzuesit në procesin e përgatitjes.
Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe të angazhimit të përbashkët për avancimin e mëtejshëm të punës në një nga projektet më të rëndësishme shkencore dhe botuese të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, “Enciklopedia Shqiptare”, me synim të qartë fillimin e shkrimit të artikujve.